FESTA E FAMILJES: EUKARISTIA

Jezusi tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të.” (Gjn 6,53.55-56)

Fakti që e gjithë familja merr pjesë në Meshën e të dielës, do të japë si fryt një bashkësi të vërtetë familjare, ku java do të kalojë në një klimë të plotë hareje.

Do të ishte shumë bukur që ta kthenim tryezën familjare në një tryezë feste. Mirëpo, sigurisht se sa herë që e përgatisim një festë me tryezën që i përkon, kërkohen përpjekje dhe shpenzime të mëdha. Do të mund të jetonim prej “festës në festë”, por çfarë shpenzimi do të kërkohej?

Mirë, si “Kisha të vogla”, ne mund të jetojmë nga festa në festë nëse e zbulojmë domethënien e eukaristisë, kuptimin e meshës së të dielës. Mesha e shenjtë është darka e madhe e festës në të cilën Kisha i fton anëtarët e të gjitha “Kishave të vogla shtëpiake”, që e përbëjnë atë, për të kremtuar të bashkuara në një familje të madhe të vetme.

Nuk do ta arrijmë kurrë një vizion mjaftueshëm të gjerë dhe të thellë për ta kuptuar Meshën. Është një mister i vërtetë feje, qëndron në mesin e ecjes sonë. Për të krishterin, ajo është burimi nga ku na vjen shpëtimi. Përmes saj, Jezusi e shpëton çdo ditë njerëzimin.

“Eukaristia (do të thotë: falënderim) është vetë burimi i martesës së krishterë. Në të vërtetë, flija eukaristike e paraqet besëlidhjen e dashurisë së Krishtit me Kishën, pasi është e vulosur me gjakun e Kryqit të tij. Në këtë fli të Besëlidhjes së Re dhe të Amshuar, bashkëshortët e krishterë e gjejnë rrënjën nga ku buron besëlidhja e tyre bashkëshortore” (FC 57). Sa herë që, si çift, merrni pjesë në Meshë, ju e përforconi, në gurrën e hirit që buron nga sakramenti i eukaristisë, besëlidhjen tuaj martesore. Në të njëjtën kohë, e zbuloni një shenjë të dashurisë dhëndërore të Krishtit me Kishën, mister që vetë ju e simbolizoni në dashurinë sakramentore që do ta thurni çast pas çasti, në jetën si çift. Duke e marrë Zotin në kungim, Ai ju dhurohet juve, duke jua ripërtërirë fuqinë e dashurisë.

Mirëpo, për më tepër, ju si prindër duhet ta nxitni Kishën e vogël shtëpiake në mënyrë që ajo të marrë pjesë plotësisht përreth tryezës eukaristike. “Buka eukaristike i bën anëtarët e ndryshëm të bashkësisë familjare një trup të vetëm” (FC 57). Fakti që e gjithë familja merr pjesë në Meshën e të dielës, do të japë si fryt një bashkësi të vërtetë familjare, ku java do të kalojë në një klimë të plotë hareje, të veprimit të hirit dhe faljes, të dëgjimit të fjalës së Hyjit, të ripërtëritjes së fesë dhe të ofrimit të përhershëm ndaj Atit, prej anës së të gjithë anëtarëve të familjes, të jetëve dhe përpjekjeve tuaja të përditshme. E në fund, do ta gjeni, në Krishtin, njësinë që e kërkoni gjatë gjithë javës.

Çfarë ka qenë Mesha, deri sot, për ju?

  • Një ofshamë mërzie?
  • Një zakon?
  • Një peshë e nevojshme për ta qetësuar ndërgjegjen?

Apo ndoshta:

  • Një festë e bukur bashkësiore në të cilën bashkohen Kishat e vogla shtëpiake për të kremtuar dhe për t’u ushqyer me Zotin.

Çfarë bëni gjatë Meshës?

  • Kritikoni meshtarin?
  • Gjykoni predikimin?
  • Ia vini mendjen veshjeve apo kërkoni që të bini në sy?
  • Ankoheni se pse nuk është filan prift “që e kremton Meshën më mirë se…”?
  • E shikoni orën me padurim për atë që do të bëni më pas? A thua është aq e rëndësishme?

Shumë burra e gra, për arsye të të gjitha këtyre realiteteve, e jetojnë Meshën thjesht si një ceremoni njerëzore. Nuk lejojnë të hapen dhe i rrinë larg thelbësores. Ata mendojnë, gjykojnë dhe sillen si me gjërat njerëzore. E megjithatë, aty ndodh veprimi qendror i historisë njerëzore, kthimi i mbarë krijimit tek Ati, përmes flijimit më të lartë të Jezusit. Aty, dhëndri Jezus kthehet për t’iu dhuruar prej dashurisë Kishës, nuses së tij. Ne, Kisha, ushqehemi me të, sepse na e jep jetën.

Për bashkëbisedim në çift

  1. Në çfarë mënyre marrim ne pjesë në Meshën e shenjtë? Në mënyrë aktive apo pasive?
  2. A ekziston një lidhje mes javës që jetojmë në familje dhe Meshës së të dielës?
  3. A i nxisim fëmijët tanë që të marrin pjesë dhe ta jetojnë, që të vegjël, kremtimin eukaristik së bashku me ne?

Për t’u lutur bashkë

O Zot Jezus,

të falënderojmë që ke mbetur në mesin tonë

kështu, në mënyrë kaq domethënëse,

në shenjat e bukës dhe të verës.

E hamë trupin tënd,

e pimë gjakun tënd,

sepse dëshirojmë që ti të ngelesh, o Zot,

në ne,

në fëmijët tanë,

në Kishën tonë të vogël shtëpiake.

Na ndihmo

që të marrim pjesë në darkën eukaristike,

si në momentin më kulmor të jetës sonë,

duke e përjetuar kontaktin më të afërt me ty,

dhe që të mund ta jetojmë

dashurinë tonë martesore dhe familjare,

në mënyrë eukaristike,

si një ofertë bujare, të përhershme,

të njërit për tjetrin.

Amen!

Shkëputur nga libri