Mjeku agnostik u kthye falë Sindonës: «Shkenca më ktheu te Hyji»

«Pak shkencë të largon nga Hyji, por shumë shkencë të çon tek Ai», thoshte Louis Pasteur. Historia e këtij mjeku është emblema e tij e gjallë.

Më 24 maj 1998, pasi u gjunjëzua dhe u lut para Sindonës së shenjtë në Torino, Papa Gjon Pali II e pati cilësuar atë si një «cytje ndaj inteligjencës». Dhe u pati bërë thirrje njerëzve të shkencës që të hulumtojnë mbi atë «figurë, të cilën të gjithë e shohin dhe askush nuk mund ta shpjegojë tani për tani».

Po atë vit, një njeri i shkencës, një doktor, udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara në Torino për ta soditur në heshtje Pëlhurën në të cilën, sipas traditës, ishte mbështjellë trupi i Krishtit, pasi e kishin zbritur nga kryqi.

August Accetta, ky është emri i doktorit në fjalë. Për vite me radhë Dr. Accetta e kishte shqyrtuar Pëlhurën e Torinos me sytë e një shkencëtari. Një studim intensiv, i cili e kishte bindur përfundimisht se ajo copë prej liri kishte mirëpritur përnjëmend në të trupin e Jezusit. Përpara atij imazhi të fytyrës së kryqëzuar të Krishtit, Accetta kishte shkuar shumë përtej marrëdhënies me një objekt të thjeshtë studimi shkencor. Për të, një mjek agnostik, Sindona ishte bërë një çështje personale, një marrëdhënie midis një Un-i dhe një Ti-je

Provat shkencore në favor të autenticitetit ishin tani të pakundërshtueshme. Por edhe dy orët e kaluara për ta vëzhguar në heshtje Pëlhurën, së bashku me shtegtarë të tjerë të magjepsur, kishin lënë gjurmë të pashlyeshme. «Ishte një përvojë që të linte pa fjalë», kujton ai për National Catholic Register.

Një kthim në shtëpi

Përvoja e tij mund të përshkruhet si një kthim në shtëpi. Njëmend, Augustiu rrit në Huntington Beach në jug të Kalifornisë dhe kishte qenë një frekuentues aktiv i famullisë në fëmijërinë dhe adoleshencën e tij. Por gjërat ndryshuan sapo ai shkeli në kolegj. Në universitet ai u gjend i zhytur deri në fyt në një mjedis racionalist dhe agnostik që e kishte shtyrë të braktiste fenë katolike, duke e bindur atë se feja dhe shkenca ishin të papajtueshme. Më vonë ai do të martohet dhe gruaja e tij, një protestante mjaft radikale me të cilën do të ketë dy fëmijë, do ta tërhiqte edhe më larg ndaj çdo shenje mbinatyrore.

Mirëpo, në gjithë këto vite, Sindona kishte mbetur një objekt që ia cyste kureshtjen. Ai kishte lexuar për të kur ishte ende një adoleshent. Dhe më vonë, në vitet kur studionte mjekësi, ai do të miqësohej me një studiues të rëndësishëm të Sindonës: Allan Wanger, nga Duke Medical School (Karolina e Veriut).

Përballë Sindonës me sytë e doktorit

Sigurisht, studimet personale të Augustit mbi Sindonën e shenjtë u përqendruan në fushat e tij të kompetencës profesionale: mjekësia, kimia dhe fizika. Për Augustin, si doktor i mjekësisë që ishte, imazhi i vulosur në pëlhurë, si një foto e çastit e Ngjalljes, dukej fare qartë si ai i një trupi në gjendje të rigor mortis (shtangësisë së vdekjes), i cili ende nuk kishte filluar të dekompozohej. Një proces që fillon rreth pesë ditë pas vdekjes. Është gjithashtu një shenjë se ajo figurë ishte në përputhje me atë që Ungjijtë tregojnë për Ngjalljen e Jezusit të tretën ditë pas kryqëzimit.

Por edhe fusha të tjera – si ajo e artit – përforconin atë bindje që, pak nga pak, po piqej në të. Mikja i tij, eksperte e historisë së artit, artistja me origjinë hungareze Isabel Piczek, e siguronte atë se ai imazh nuk mund të ishte i pikturuar nga një piktor mesjetar, siç mendohej në bazë të datimit nga karbon-14. Kësisoj, ishte e pashpjegueshme se si figura ishte shfaqur në atë pëlhurë.

Te Hyji përmes shkencës

Për dy vjet, mes 1992-shit dhe 1994-trës, Dr. Accetta do ta studiojë Sindonën me rrënjë. Dhe, pyetjet e tij për vërtetësinë e saj, morën përgjigje një e nga një. Ajo periudhë, thotë ai, do të jetë për të njëkohësisht një «proces rritjeje» si në njohuritë shkencore ashtu edhe në fe. Në fund të hulumtimit të tij ai do ta kuptojë se ka ardhur koha për t’ia kushtuar jetën sërish Krishtit. «Ndryshe nga shumë njerëz të shekullit të fundit, shkenca më ka çuar te Hyji» shpjegon ai.

Në fund të fundit, a nuk ishte Louis Pasteur, kimisti dhe themeluesi i mikrobiologjisë moderne, i cili tha se «Pak shkencë të largon nga Hyji, por shumë shkencë të çon tek Ai?» Njëmend, rasti i Augustit nuk është unik. Edhe shkencëtarë të tjerë, ateistë, agnostikë ose jo të krishterë kanë përqafuar fenë katolike duke studiuar Sindonën e shenjtë dhe janë bërë promovues të flaktë të saj. Vetë Allan Wanger, për shembull, ishte kthyer nga ateizmi. Dhe një nga studentët e tij, Joseph Marino, madje u bë prift.

Misioni i Sindonës

Piczek, artistja, (vdiq në vitin 2016), kishte folur për një mision të Pëlhurës që mbështolli trupin e Krishtit. «Sindona duket se ka një mision të madh baritor, duke shkaktuar shumë kthime të papritura në fe, veçanërisht mes të rinjve».

Tanimë i bindur se Sindona e shenjtë ishte autentike, Accetta duhej të kuptonte se cili ishte institucioni i vërtetë i themeluar nga Krishti. Vokacioni i tij si studiues e shtynte në mënyrë spontane drejt kësaj çështjeje. Këtë herë, kjo do ta shtyjë atë të zhytet në studimet e teologjisë dhe të historisë së Kishës. Kur filloi t’u afrohet Etërve të Kishës, kuptoi se ka gjetur përgjigjet që kërkonte. Dhe ai rrëfen se «isha i lumtur që gjeta Krishtin në Kishën Katolike. Kur fillova studimin tim, nuk kisha ndërmend të kthehesha aty, por atje më çoi procesi im i kërkimit të së vërtetës». Nuk është rastësi, «nuk është koincidencë», e ka me merak të theksojë ai, që Sindona i është besuar Kishës Katolike për ta ruajtur.

Një qendër për të treguar historinë e Sindonës

Sindona që e kishte sjellë në shtëpi, në atë Kishë katolike të braktisur gjatë viteve të universitetit, do të bëhet për të arsyeja e jetës. Deri në atë pikë sa e shtyu atë të krijojë, në vitin 1996, Shroud Center of Southern California: një qendër studimi kushtuar promovimit të Pëlhurës së Shenjtë, ku vullnetarët u tregojnë vizitorëve historinë e Sindonës, si dhe shkencën dhe kërkimin që qëndron pas Pëlhurës. Dhe nuk mungojnë ata që, pas një prej vizite të udhëhequr personalisht nga Dr. Augusti, shkrehen në lot.

Një nga këta vizitorë, i quajtur Stephen Shehyn, shpjegon se ndjehej «në praninë e Zotit tonë, duke bërë përvojë si me njerëzishmërinë ashtu edhe me hyjninë e tij». Asohere Shehyn ishte kthyer në katolik dhe feja e tij, nënvizon ai, u përforcua fuqishëm nga studimi i tij mbi Sindonën, të cilën e përshkruan si «Ungjilli i pestë, i cili na ballafaqon me realitetin e vuajtjes, vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit». Pas asaj vizite, ai do të kthehet për t’u bërë vullnetar në qendrën që Dr. Augusti themeloi, duke shtuar se feja e tij nuk do të luhatej edhe nëse do të provohej që Sindona është një falsifikim i krijuar me zgjuarsi.

Në fe, faktet kanë rëndësi

Accetta, tashmë 64 vjeç, fton të mos e minimizojmë rëndësinë e fakteve në jetën e fesë, siç bëjnë shumë katolikë që preferojnë një fe të përvojës dhe personale. Nuk duhet të harrojmë, thotë ai, se «Ngjallja e Krishtit është një fakt. Provat e Ngjalljes – duke përfshirë dëshmitarët që e kanë parë Krishtin e ngjallur – ishin të rëndësishme për të krishterët e hershëm.

Për më tepër, shpjegon ai, ka jo-katolikë të magjepsur thellësisht nga misteri i Sindonës. Në fund, ky mjek i kthyer nga agnosticizmi në fenë katolike, inkurajon «katolikët, veçanërisht priftërinjtë, që t’i qasen kësaj Sindone me mendje të hapur dhe me një zemër të dashur. Lëreni Pëlhurën e Jezusit t’ju ndihmojë që ta njihni dhe ta doni gjithnjë e më shumë Jezusin dhe Misterin e tij të Pashkëve».