Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, dhe Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, moren pjesë në Takimet Mesdhetare MED26, të zhvilluara në Barcelonë nga 6 deri më 13 qershor, së bashku me rektorin e Bazilikës së Nënës së Këshillit të Mirë Dom Artur Jaku, meshtarë nga Shqipëria, e të rinj dhe përfaqësues të Kishave nga vendet e rajonit mesdhetar.


Takimet, të organizuara nën moton “Alça la mirada” (“Ngrije shikimin”), u përqendruan në reflektimin mbi sfidat dhe shpresat e popujve të Mesdheut, duke trajtuar tema si paqja, dialogu, migracioni, bashkëjetesa ndërmjet kulturave dhe roli i Kishës në shoqërinë e sotme.
Një nga momentet më të rëndësishme të këtyre ditëve ishte kremtimi i kryesuar nga Papa Leoni XIV në Bazilikën e Sagrada Familia, gjatë të cilit u përurua Kulla e Jezu Krishtit, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme në historinë e kësaj vepre monumentale të Antoni Gaudí-t.



Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë ftoi të gjithë të jenë ndërtues të paqes dhe të dëshmojnë vlerën e jetës njerëzore, duke kujtuar se besimi në Krishtin është rrugë pajtimi, dialogu dhe shprese. Ai theksoi se madhështia e kësaj vepre nuk qëndron te lartësia e saj, por te aftësia për të drejtuar zemrat dhe shikimin e njerëzve drejt Hyjit.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kishës Katolike në Shqipëri në MED26 dhe në kremtimet e zhvilluara në Barcelonë shpreh angazhimin e Kishës sonë në procesin e dialogut dhe bashkëpunimit mes popujve të Mesdheut, si dhe bashkimin me Atin e Shenjtë dhe Kishën universale në promovimin e paqes, solidaritetit dhe shpresës.


