9.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenDita Rinore Dioqezane në Dioqezën e Rrëshenit
HomeDioqeza RrëshenDita Rinore Dioqezane në Dioqezën e Rrëshenit

Dita Rinore Dioqezane në Dioqezën e Rrëshenit

Apeli i Kishës së gjithëmbarshme për të ecur së bashku, veçanërisht i Atit të Shenjtë Françeskut, kulmoi me të rinjtë që janë shpresa e së ardhmes. Edhe kisha jonë e vogël, Dioqeza e Rrëshenit, zhvilloi si në shumë vende të tjera, një ditë të bukur me të rinjtë e saj, përreth vatrës së dioqezës që është Katedralja.

Të rinjtë shoqëroheshin nga motrat e meshtarët dhe natyrisht, për të na mirëpritur në këtë “vatër” të ngrohtë, ishte bariu i Kishës, Imzot Gjergj Meta.

Ftesa e Papës, në mesazhin e tij: “Çohu! Po të bëj dëshmitar të asaj çka pe!” (krh. At 26,16) ku në fakt është ftesa e Krishtit bërë Saulit, që më pas do të bëhej dëshmitari i madh Pal, tingëlloi mjaft fort në veshët dhe zemrat e të pranishmëve, një ftesë që vjen pikërisht në këtë ecje të veçantë sinodale që Kisha është futur.

Kur një i ri rrëzohet, në një farë kuptimi bie gjithë njerëzimi. Por, është gjithashtu e vërtetë se kur një i ri çohet, është sikurse të ringrihej bota mbarë. Sa të bukura dhe të vërteta këto dy fjali të Papës.

Kjo e “vërtetë” duhet ta çojë peshë gjithë rininë, të rrëmbehen prej Ungjillit që më pas të bëhen dëshmitarë të mëdhenj të kohës sonë, një kohë mjaft e zymtë dhe e vështirë sidomos për të rinjtë, por që bota ka shumë nevojë për ta.

Ka qenë një ditë e jetuar mjaft mirë dhe e bukur, edhe pse intense. Kishim një lutje të përbashkët, pastaj shpjegimi i mesazhit të Papës drejtuar të rinjve të të gjithë botës. Më pas u gërshetua bërthama e parë e Sinodit me punën në grupe ku të rinjtë ishin aktivë dhe u bënë pjesë e udhëtimit sinodal. U prezantua shkurtimisht figura e bukur e të lumit Carlo Acutis, mbrojtësi i internetit ku të rinjtë janë prehë e mashtrimeve dhe tundimeve të ndryshme. Pjesën e fundit të ditës e zuri dreka e përbashkët dhe argëtimi.

Si shenjë e takimit por edhe si angazhim i mëtejshëm, çdo pjesëmarrësi iu dorëzua libri i Carlo Acutis “Jeta përtej kufirit” dhuruar enkas nga Rektori i Seminarit Ndërdioqezan, Atë Leonardo, të cilin e falënderojmë. Po ashtu, u dorëzua atyre broshura e nxjerrë nga Komisioni Kombëtar i Sinodit mbi 10 bërthamat, që kështu, të rinjtë ta kenë më të qartë ecjen që do të kenë nëpër famullitë e tyre.

Një falënderim shkon për dy Komisionet që bënë të mundur këtë ditë, ai Sinodal si dhe Komisioni i të Rinjve, udhëhequr nga don Agustini!

Urojmë udhëtim të mbarë me Kishën dhe që bashkë të jemi pjesëmarrësmisionit që Krishti na ka dhuruar përmes Pagëzimit!

Aleksandër Markaj

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme