11.5 C
Tirana
HomeKryesorCOMECE i drejtohet BE: embrionet nuk mund të barazohen me gjakun dhe...
HomeKryesorCOMECE i drejtohet BE: embrionet nuk mund të barazohen me gjakun dhe...

COMECE i drejtohet BE: embrionet nuk mund të barazohen me gjakun dhe indet

Në ditën e votimit në Parlamentin Evropian mbi rregulloren për trajtimin e “substancave me origjinë njerëzore”, ipeshkvijtë evropianë kërkojnë ndryshime në përkufizimin e këtij termi, i cili është shumë i gjerë dhe mund të shkojë në dëm të dinjitetin njerëzor. Sekretari Barrios Prieto: Është një tekst i domosdoshëm, por kërkojmë disa sqarime. Ritheksohet rëndësia e formimit të politikanëve dhe funksionarëve evropianë

“Vënia e embrioneve në të njëjtin nivel me qelizat dhe indet nuk është mirë. Nuk respektohet veçantia dhe dinjiteti i embrionit njerëzor, rëndësia e tij si qenie njerëzore që duhet mbrojtur dhe mendojmë se kjo duhet të sqarohet”. Kështu At’ Manuel Enrique Barrios Prieto, sekretari i përgjithshëm i ComeceKonferenca e ipeshkvijve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian – shpreh në emër të ipeshkvijve të Kontinentit të Vjetër shqetësimin për tekstin e “Rregullores mbi parametrat e cilësisë dhe sigurisë për substancat me origjinë njerëzore të caktuara për aplikim te qeniet njerëzore”, e cila është objekt votimi sot në Parlamentin Evropian.

Një rregullore vendimtare për të ardhmen

Teksti, i cili nëse miratohet do të jetë baza e dialogut ndërinstitucional me Komisionin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian për një dispozitë mbi këtë temë, lexohet në një deklaratë të përbashkët të Comece-s dhe Komisariatit të Ipeshkvijve gjermanë të Berlinit, “do të shënojë rrjedhën e diskutimit të ardhshëm mbi jetën e njeriut para lindjes në ligjin farmaceutik dhe atë të transplantit, duke ndikuar kështu në debatin në vazhdim mbi përforcimin e kujdesit shëndetësor të Bashkimit Evropian, duke ngritur pyetje të shumta etike dhe kushtetuese në vendet anëtare të BE-së”.

“Substancat me origjinë njerëzore – SoHO”

Ajo që shqetëson ipeshkvijtë evropianë është përkufizimi “substancë me origjinë njerëzore” – në anglisht Substance of Human Origin, shkurtuar SoHO. Në projekt-rregulloren, tashmë të ndryshuar nga Komisioni për Mjedisin, Shëndetin Publik dhe Sigurinë Ushqimore të Parlamentit Evropian, ky term i referohet gjakut dhe indeve dhe, për sa i përket sektorit të mjekësisë riprodhuese, jo vetëm qelizave germinale [gameteve] të pafekonduara – farës, ovociteve dhe ovociteve të degjeneruara – por edhe embrioneve dhe fetuseve.

Një tekst i domosdoshëm, por që kërkon sqarim

“Në fillim”, shpjegon At’ Barrios për mediat e Vatikanit, “referimi më i qartë është gjaku, indet njerëzore dhe qelizat që përdoren për praktika mjekësore shumë legjitime, shumë të dobishme dhe jetëshpëtuese, si transfuzioni. Pra ky është legjislacion i mirë dhe është i nevojshëm sepse rregulloret që kishim nuk ishin më aktuale. Pastaj në rregullore ka edhe një parim shumë të mirë etik që thotë qartë se trupi i njeriut nuk mund të përdoret për qëllime komerciale. Mirëpo, dyshimi ynë lind nga mënyra me të cilën përkufizohet se çfarë është SoHO, sepse është një përkufizim kaq i gjerë që përfshin embrionet njerëzore”. “Nëse kjo rregullore bëhet përfundimtare”, shpjegon ai më tej, “do të ishte shqetësuese sepse mbrojtja e embrionit njerëzor është shumë e rëndësishme. Bashkimi Evropian ka këtë thirrje për të mbrojtur dinjitetin e qenies njerëzore dhe kjo do të bëhej një praktikë që mund të shtrihej në vendet ku në fakt embrioni është shumë i mbrojtur edhe për kërkime”.

Droja e ipeshkvijve evropianë

Kjo rregullore, lexojmë më tej në njoftimin për shtyp, mund të ndikojë në heqjen dhe përdorimin e embrioneve të vdekura ose të vrarë dhe të fetuseve, si dhe në përdorimin alternativ të embrioneve të tepërta të prodhuara in vitro [në epruvetë] dhe që nuk janë implantuar qëllimisht në mitër. Për shkak të përkufizimit të gjerë, ekziston frika se edhe fëmijët e ngjizur në mënyrë natyrore, që nuk jetojnë ende në mënyrë të pavarur në fazat prenatale të zhvillimit, mund të përfshihen nën termin SoHO.

Të mënjanohen devijimet eugjenike

“Një aspekt tjetër që na shqetëson”, vazhdon sekretari i Comece-s, “është fakti se meqenëse synohet mbrojtja e dhuruesit dhe marrësit, për t’u siguruar që sëmundjet të mos transmetohen përmes këtyre Sohos-ve, duhet të bëhet një screening dhe ky screening, kur në ndonjë mënyrë është e pranishme jeta njerëzore, mund të çojë në praktika eugjenike ose në një mënyrë seleksionimi, e cila është e papranueshme nga ana etike”. Për më tepër, shtrirja e pushtetit vetëgjykimor të Shteteve Anëtare duhet të sqarohet. “Në rregullore thuhet se kur në vendet [anëtare] ka rregulla më të rrepta, sidomos për disa aspekte etike, këto duhet të respektohen. Por mendoj se kjo duhet të specifikohet pak më qartë”.

Rëndësia e formimit

Në këtë kuptim, përveç kërkesës për ndryshime në tekstin e rregullores, ipeshkvijtë evropianë ritheksojnë rëndësinë themelore të formimit. “Besoj se është detyra jonë, si Comece, të ruajmë dhe mbrojmë jetën njerëzore në të gjitha momentet e saj, veçanërisht kur ajo është më e brishtë dhe e pambrojtur. Ne kërkojmë ta mbrojmë atë gjithmonë dhe besoj se është një detyrë shumë e rëndësishme jona formimi dhe informimi i njerëzve, i politikanëve, funksionarëve evropianë për këto çështje, sepse ndonjëherë besoj se ajo që në të vërtetë mungon nuk është një qëndrim i kundërt me atë që thotë Kisha apo një qëndrim ndryshe. Por ajo që nganjëherë vërehet është se ndonjëherë nuk ka njohuri lidhur me atë që është në çështje dhe kësisoj besoj se detyra jonë për të informuar mbi këto çështje është e rëndësishme”.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme