17.5 C
Tirana
HomeJeta e Kishës"Bariu i mirë" - Don Leonardo Falco
HomeJeta e Kishës"Bariu i mirë" - Don Leonardo Falco

“Bariu i mirë” – Don Leonardo Falco

Don Leonardo Falco
Don Leonardo Falco, Rektor i Seminarit ndërdioqezan “Nëna e këshillit të mirë”

E diela e katërt e Pashkëve njihet si e diela e “Bariut të Mirë” dhe që prej 58 vjetësh, në këtë ditë, kremtohet Dita Botërore e Lutjes për Thirrje.

Nga liturgjia del në pah figura e “Bariut” të “mirë” dhe “të bukur” që njeh dhe mbron delet e tij. Tashmë Besëlidhja e Vjetër zakonisht flet për Zotin si Bari i Izraelit. Psalmi 22 është një himn i mrekullueshëm për Zotin, Bari i shpirtrave tanë: “Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon. Më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin… ” (Ps 23,1-3).

Profetët Isaia, Jeremia dhe Ezekieli shpesh kthehen në temën e njerëzve “grigja e Zotit”: “Ja Zoti juaj! … Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat” (Is 40,11) dhe mbi të gjitha ata shpallin Mesinë si një Bari, i cili me të vërtetë do të kullosë delet e tij dhe nuk do t’i lejojë kurrë të largohen: “Do të ngris për to një bari që t’i kullotë, shërbëtorin tim Davidin: ai do t’i kullotë, ai do të jetë bariu i tyre” (Ez 34,23).

Gjithashtu në Ungjill është e njohur kjo figurë “e ëmbël” e bariut, e cila edhe nëse kohët kanë ndryshuar, gjithmonë ruan hijeshinë dhe ndikimin e saj. Pastaj të gjithë kujtojmë shëmbëlltyrën shumë prekëse dhe nxitëse të bariut të mirë që shkon në kërkim të deleve të humbura (krh. Lk 15,3-7) dhe në kapitullin 10 të Ungjillit të Shën Gjonit, Jezusi vetë paraqitet si Bariu i Mirë (krh. Gjn 10,11).

Në shekujt e hershëm të Kishës, ikonografia e krishterë e përdori dhe e zhvilloi shumë këtë temë të Bariut të Mirë, imazhi i të cilit shpesh shfaqet, i pikturuar ose i skalitur, në katakombet, sarkofagët dhe pagëzimoret. Kjo ikonografi na dëshmon se Jezusi “Bariu i Mirë” gjithmonë ka goditur dhe lëvizur shpirtrat e besimtarëve dhe të jo-besimtarëve, për më tepër ishte një arsye për kthim, angazhim shpirtëror dhe ngushëllim. Si atëherë, ashtu edhe sot, Ai është i gjallë dhe i vërtetë në mes të popullit të tij, në mes të gjithë njerëzimit dhe dëshiron që secili ta dëgjojë zërin dhe dashurinë e tij.

Në këtë kohë në të cilën marrëdhëniet tona janë bërë gjithnjë e më virtuale dhe anafektive, figura e Bariut të Mirë na shpie në marrëdhënie më personale dhe më të ngrohta. Jezusi na mbron dhe si delet e veta është gjithnjë gati të kujdeset për ne e të na i shërojë plagët e gabimeve me hirin e tij sepse Ai na do, na do të gjithëve! Ndërsa “rrogëtari” nuk interesohet fare për delet, ngaqë nuk janë të tijat. E bën këtë zanat vetëm për lek e nuk shqetësohet aspak për t’i mbrojtur, në orën e rrezikut, kështu që, kur ia behë ujku, ikë në pika të vrapit e i lë vetëm. Ndërsa Jezusi, si Bari i Mirë, i mbron dhe i shpëton delet e veta në të gjitha rrethanat e vështira, të rrezikshme, përmes dritës së Fjalës së Tij e me forcën e pranisë së Tij, që ne e provojmë posaçërisht në Sakramentet.

Jezusi, Bari i Mirë, i njeh delet e veta dhe delet e njohin atë. Kështu Papa Françesku tha në Angelus të Dielën e kaluar: “Sa e bukur e ngushëlluese është të dish se Jezusi na njeh një për një, se nuk jemi të paemër për të, se e di mirë emrin tonë! Për të nuk jemi masë – turmë, jo! Jemi persona unikë, secili me historinë e vet, me vlerën e vet, si krijesa, e edhe si të rilindur prej Tij. Secili nga ne mund të thotë: Jezusi më njeh dhe e di kush jam unë! Ai na njeh, ashtu si nuk na njeh askush tjetër. Vetëm ai mund ta dijë çfarë kemi në zemër, njetet, ndjenjat më të fshehta. Njeh vlerat e veset tona, dhe është gjithnjë gati të kujdeset për ne, për t’i shëruar plagët e hapura nga gabimet tona, me begatinë e hirit të Tij”.

Jezusi, Bariu i Mirë, i njeh, i mbron e, posaçërisht, i do delet e veta. I do aq, sa të japë edhe jetën për to. Dashuria për delet, domethënë për secilin nga ne, e shtyn deri atje, sa të vdesë në kryq, sepse ky është vullneti i Atit, që asnjë të mos humbasë.

Dashuria e Krishtit nuk është përzgjedhëse. I përqafon të gjithë: “Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm” (Gjn 10,16). Këto fjalë vërtetojnë ankthin universal të Jezusit. Ai dëshiron që të gjithë ta marrin dashurinë e Atit e të kenë jetë. Ne të gjithë, si Kishë, jemi thirrur ta çojmë përpara këtë mision universal të Krishtit.

Çdo i krishterë, me anë të pagëzimit, është i thirrur të jetë vetë një “bari i mirë” në mjedisin në të cilin jeton. Por mbi të gjitha, njerëzit e kushtuar Zotit duhet të jenë “barinj të mirë” në shoqëri: priftërinj, besimtarë e murgesha dhe të gjithë ata që në mënyra të ndryshme i thonë “po-në” e tyre Krishtit në Kishë. Sot dhe gjithmonë duhet të lutemi për të gjitha thirrjet, në mënyrë që gjithnjë e më shumë në Kishë të ketë burra dhe gra dëshmitarë të bindur dhe bindës, të aftë t’i kujtojnë çdo njeriu se Jezusi ka ardhur “që delet ta kenë jetën dhe ta kenë me plotësi” (Gjn 10,10).

Don Leonardo Falco
Rektor i Seminarit ndërdioqezan “Nëna e këshillit të mirë”

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme