9.5 C
Tirana
HomeMësimi i PapësAudienca e përgjithshme, Papa Françesku: Nuk duhet ta harrojmë kurrë kohën dhe...
HomeMësimi i PapësAudienca e përgjithshme, Papa Françesku: Nuk duhet ta harrojmë kurrë kohën dhe...

Audienca e përgjithshme, Papa Françesku: Nuk duhet ta harrojmë kurrë kohën dhe mënyrën në të cilën Hyji ka hyrë në jetën tonë

Mond MARKU

Në audiencën e sotme të përgjithshme, duke ia kushtuar katekizmin Letrës drejtuar Galatasve, Papa Françesku rikujtoi historinë e Shën Palit, për të kujtuar se Zoti e end historinë tonë” e se, po ta pranojmë “planin e Tij të shëlbimit” hiri i Tij “na i shndërron zemrat, na i shndërron jetët e na hap para udhë të reja”.

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 2. Pali apostull i vërtetë:

Vëllezër e motra, mirëdita!

Pak nga pak po hyjmë në brendësi të Letrës drejtuar Galatasve. Kemi parë që këta të krishterë e gjejnë veten në konflikt për mënyrën se si duhet ta jetojnë fenë e tyre. Pali apostull fillon të shkruajë Letrën e tij duke u kujtuar atyre marrëdhëniet e kaluara, shqetësimin për largësinë dhe dashurinë e pandryshuar që ai ka për secilin prej tyre. Sidoqoftë, ai nuk e lë pa e shfaqur shqetësimin e tij në mënyrë që Galatasit të ndjekin rrugën e duhur: është shqetësimi i një babai, i cili i ka lindur bashkësitë në fe. Qëllimi i tij është shumë i qartë: është e nevojshme të ripohohet risia e Ungjillit, që Galatasit e morën nga predikimi i tij, për të ndërtuar identitetin e vërtetë mbi të cilin të bazohet ekzistenca vetjake. Dhe ky është parimi: të ripohohet risia e Ungjillit, atë që Galatasit kanë marrë nga Apostulli.

Ne zbulojmë menjëherë se Pali është një njohës i thellë i misterit të Krishtit. Që nga fillimi i Letrës së tij ai nuk ndjek argumentet e ulëta të përdorura nga denigruesit e tij. Apostulli “fluturon lart” dhe na tregon edhe ne se si të sillemi kur lindin konflikte brenda bashkësisë. Vetëm nga fundi i Letrës, në fakt, bëhet e qartë se thelbi i diatribës së ngritur është ai i rrethprerjes, pra i traditës kryesore judaike. Pali zgjedh rrugën për të shkuar më në thellësi, sepse ajo që vihet në diskutim është e vërteta e Ungjillit dhe liria e të krishterëve, e cila është pjesë e pandarë e saj. Nuk ndalet në sipërfaqen e problemeve, të konflikteve, siç jemi shpesh të tunduar të bëjmë për të gjetur menjëherë një zgjidhje ku të gënjen mendja se të gjithë bien dakord me një kompromis. Pali e do Jezusin dhe e di që Jezusi nuk është një njeri-Hyj i kompromiseve. Kjo nuk është mënyra se si funksionon me Ungjillin dhe Apostulli ka zgjedhur të ndjekë rrugën më kërkuese. Ai shkruan kështu: «Pse, a mos ndoshta unë kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit?» Ai nuk përpiqet të bëjë paqe me të gjithë. Dhe ai vazhdon: «A mos kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Po të mundohesha ende t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit» (Gal 1,10).

Në radhë të parë, Pali e ndien për detyrë t’u kujtojë Galatasve se ai është një apostull i vërtetë, jo për meritat e tij, por për shkak të thirrjes së Hyjit. Vetë ai tregon historinë e thirrjes dhe kthimit të tij, e cila përkon me dukjen e Krishtit të Ngjallur gjatë udhëtimit për në Damask (krh. Vap 9,1-9). Është interesante të vëresh se çfarë pohon ai për jetën e tij para asaj ngjarjeje: «E salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë e, […] isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi» (Gal 1,13-14). Pali guxon të pohojë se në judaizëm ai i tejkalonte të gjithë, ishte mirëfilli një farise i zellshëm, «për sa i përket drejtësisë – asaj të Ligjit – i patëmetë» (Fil 3,6). Dy herë ai e thekson se kishte qenë një mbrojtës i «traditave të etërve» dhe një «përkrahës i vendosur i ligjit». Kjo është historia e Palit.

Nga njëra anë, ai këmbëngul të theksojë se kishte përndjekur egërsisht Kishën dhe se kishte qenë një «blasfemues, salvues, mujshar» (1 Tim 1,13) nuk i kursen mbiemrat: ai vetë e cilëson vetën kështu -, nga ana tjetër, nxjerrë në pah mëshirën e Hyjit ndaj tij, gjë që e çon atë të përjetojë një transformim rrënjësor, të njohur mjaft mirë nga të gjithë. Ai shkruan: «Personalisht isha i panjohur për Kishat e Krishtit në Jude. Ato vetëm kishin dëgjuar: “Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte”» (Gal 1,22-23). Ai u kthye, ndryshoi, zemra e tij ndryshoi. Kështu, Pali vë në dukje të vërtetën e thirrjes së tij përmes një kontrasti mbresëlënës që zuri vend në jetën e tij: nga të qenit përndjekës i të krishterëve, ngaqë ata nuk respektonin traditat dhe ligjin, ai u thirr të bëhej apostull për të shpallur Ungjillin e Jezu Krishtit. Porse ne shohim që Pali është i lirë: ai është i lirë të shpallë Ungjillin dhe është gjithashtu i lirë të rrëfejë mëkatet e tij. «Unë isha kështu»: është e vërteta që jep lirinë e zemrës, është liria e Hyjit.

Duke menduar përsëri për këtë histori të tij, Pali është krejt i mrekulluar dhe plot me mirënjohje. Është sikur të donte t’u thoshte Galatasve se ai mund të kishte qenë gjithçka përveçse një apostull. Qe edukuar që në moshë të vogël për të qenë një zbatues i përpiktë i Ligjit të Moisiut dhe rrethanat e kishin shtyrë atë të luftonte dishepujt e Krishtit. Megjithatë, diçka e papritur kishte ndodhur: Hyji, me hirin e vet, i kishte zbuluar Birin e tij të vdekur dhe të ngjallur, në mënyrë që ai të bëhej lajmëtari i tij midis paganëve (krh. Gal 1,15-6).

Sa të pashqyrtueshme janë rrugët e Zotit! E prekim atë me duart tona çdo ditë, por mbi të gjitha, nëse sjellim sërish në mendje ato momente në të cilat Zoti na ka thirrur. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë kohën dhe mënyrën në të cilën Hyji ka hyrë në jetën tonë: të qëndrojë i ngulitur në zemër dhe në mendje ai takim me hirin, kur Hyji ka ndryshuar ekzistencën tonë. Sa herë, përpara veprave të mëdha të Zotit, na lind vetvetiu pyetja: po si është e mundur që Hyji shërbehet me një mëkatar, me një njeri të brishtë e të dobët, për të realizuar vullnetin e tij? E megjithatë, asgjë nuk është rastësore, sepse gjithçka ishte përgatitur në planin e Hyjit. Ai thur historinë tonë, historinë e secilit prej nesh: Ai thur historinë tonë dhe, nëse i përgjigjemi me besim planit të tij të shpëtimit, ne e marrim vesh. Thirrja bashkëmbart gjithmonë një mision për të cilin jemi të caktuar; për këtë arsye na kërkohet të përgatitemi seriozisht, duke ditur se është vetë Hyji që na dërgon, vetë Hyji që na mbështet me hirin e tij. Vëllezër dhe motra, të lejojmë që të drejtohemi nga kjo vetëdije: hiri në përparësinë e vet transformon ekzistencën dhe e bën atë të denjë për t’u vendosur në shërbim të Ungjillit. Përparësia e hirit mbulon të gjitha mëkatet, ndryshon zemrat, ndryshon jetën, na bën të shohim shtigje të reja. Të mos e harrojmë këtë!

Marrë nga Vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme