17.5 C
Tirana
HomeDioqeza LezhëAt. Ottavio Vitale; Koha e Ardhjes "Hyji është prezent në jetën e...
HomeDioqeza LezhëAt. Ottavio Vitale; Koha e Ardhjes "Hyji është prezent në jetën e...

At. Ottavio Vitale; Koha e Ardhjes “Hyji është prezent në jetën e përditshme”.

Fort të dashur besimtarë,

Me të dielën e datës 27 nëntor, do të nisim vitin e ri liturgjik që hapet me Kohën e Ardhjes. Kjo është koha që Kisha na e ofron si një rast të favorshëm për t’u përgatitur që ta presim ardhjen e Zotit Jezus në jetën tonë. Koha e shenjtë Ardhjes na mëson si të ecim drejt takimit me Zotin që vjen dhe lind mes nesh. Gjithashtu, kjo kohë na kujton se besimtari jeton dhe banon në një botë që shenjtërohet nga prania e Hyjit të jetës. Kjo është diçka mahnitëse dhe e mrekullueshme: HYJI I JETËS BANON BOTËN E NJERIUT DHE BËHET JETA E NJERIUT.

Përditshmëria është koha kur Hyji dëftohet edhe sot dhe familja është vendi ku mund ta kuptojmë se Ai vazhdon të kujdeset për ne, pavarësisht mangësive dhe papërsosmërive tona. Nëse Biri i Hyjit e zgjodhi familjen për t’ia mësuar njeriut vlerën e qenies njerëzore, kjo do të thotë se familja vlen mbi çdo grupim tjetër shoqëror. Njësoj si Familja e Shenjtë ishte për Jezusin, edhe për ne familja është ai vendi i posaçëm ku vijmë në jetë, rritemi, maturohemi dhe edukohemi si me vlerat njerëzore ashtu edhe me ato fetare.

Kemi nevojë për familje të tëra që dinë të mrekullohen dhe të hapen përpara misterit të Mishërimit të Zotit, të Hyjit që u bë Njeri. Duke lejuar që të ndodhë kjo, familjet mësojnë të hapen përpara vetë jetës, ta pranojnë atë në plotësinë e saj dhe në të gjitha rrethanat që ajo vjen dhe të bëhen edukuese për mbrojtjen e saj.

Viti i ri liturgjik që po nisim do të na shoqërojë në zbulimin e fytyrës së një Hyji që është dashuruesi i njeriut dhe dhuruesi i jetës, asaj tokësore dhe asaj qiellore.

Në këtë frymë, Konferenca Ipeshkvore në Shqipëri, ka vendosur që për çdo vit, duke nisur nga viti 2023, në të dielën e parë të muajit shkurt, të kremtohet Dita për Jetën. Vendimi për kremtimin e një dite të tillë në jetën liturgjike të Kishës kërkon që ta kthejë tërësisht vëmendjen e besimtarit tek Autori i Jetës, i cili e bekon njeriun me dhuratën e jetës edhe në rrethanat më të pamendueshme. E në fakt, të gjithë ne e kemi marrë jetën e re në Zotin nga një Foshnje që ka ardhur në jetë ashtu si askush nuk e priste.

Kremtimi i parë i Ditës për Jetën do të jetë më datë 5 shkurt 2023 dhe tema do të jetë: Unë erdha që delet ta kenë jetën, e ta kenë në plotësi (Gjn 10,10).

Çdo Dioqezë dhe çdo bashkësi famullitare është e thirrur që, në përgatitje të kësaj dite, të reflektojë dhe meditojë më shumë mbi vlerën e jetës njerëzore që është dhuratë e Zotit. Këshillohet organizimi i veprimtarive të ndryshme si: adhurimi Eukaristik, konferenca ose takime tematike me të rinjtë dhe familjet, panaire, marshime, shfaqje filmash kushtuar mbrojtjes së jetës, etj. Në javët në vazhdim, do të mund të keni edhe Mesazhin e Ditës për Jetën, lutjet e besimtarëve për Meshën që do të kremtohet atë ditë, lutjet dhe meditimet për Adhurimin si dhe materiale të tjera të dobishme.

Jezusi, Bariu i mirë, që është vetë Jeta, na fton që të bëhemi mbrojtës të jetës që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore. Ai na fton që të bashkëpunojmë gjithmonë me Të në vlerësimin dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.

Si Komision Kombëtar për Laikët, Familjen dhe Jetën, urojmë nga zemra që kremtimi i kësaj dite për jetën të jetë frymëzues dhe të sjellë fryte jo vetëm për ata që do të marrin pjesë në të, por edhe për të gjithë ata njerëz për të cilët drejtohet lutja jonë.

Kjo Kohë e shenjtë e Ardhjes na bëftë të vetëdijshëm edhe më shumë të përgjegjshëm në mbrojtjen e çdo jete. Gëzimi i Foshnjes Hyjnore, që vjen ta shëlbojë njerëzimin mbarë, duhet të na përshkojë të gjithëve dhe të na mbushë me një gëzim të përtërirë për t’ia shpallur Lajmin e Mirë, Ungjillin e Jetës, të gjithë vëllezërve dhe motrave që po e presin.

Shenjtja Virgjëra Mari dhe Shën Jozefi na mësojnë se si ta pranojmë dhe ta ruajmë jetën në çdo rrethanë. Familja e Shenjtë e Nazaretit ndërmjetësoftë për familjet tona që të dimë ta zbulojmë gëzimin që sjell e panjohura që rritet brenda e përreth nesh. Zoti i drejtoftë hapat tanë e zemrat tona me hare drejt Krishtlindjes, ditës në të cilën lind vetë Dashuria!

ⴕ At. Ottavio Vitale, rcj

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme