9.5 C
Tirana
HomeKISHAsambleja kontinentale e Sinodit
KISHAsambleja kontinentale e Sinodit

Asambleja kontinentale e Sinodit

Falënderojmë Zotin për përvojën e sinodalitetit që, për herë të parë në nivel kontinental, na ka gjetur pranë njëri-tjetrit – ipeshkvij, priftërinj, persona të kushtuar, laikë dhe laike. Gëzohemi sepse, në këto ditë në Pragë, kemi konstatuar se momentet e lutjes që kemi jetuar së bashku dhe, ende më shumë, punimet e asamblesë, kanë qenë një përvojë thellësisht shpirtërore dhe përnjëmend sinodale. Dëgjimi i ndërsjellët, dialogu i frytshëm, rrëfimi se si bashkësitë tona kishtare e kanë jetuar fazën e parë të procesit sinodal dhe janë përgatitur për këtë takim kontinental, janë shenja e qartë e së njëjtës përkatësi ndaj Krishtit.

Raportet kombëtare, puna në grupe dhe ndërhyrjet e shumta që kemi dëgjuar, janë përmbledhur në dokumentin përfundimtar të paraqitur para Asamblesë dhe që do të jetë kontributi i Kishave që janë në Evropë për përpilimin e Instrumentum laboris të Sinodit. Falënderojmë ata që kanë bashkëndarë përvojat e tyre me çiltërsi dhe me respekt ndaj ndjeshmërive të ndryshme; falënderojmë gjithashtu Komitetin Redaktues për punën e madhe që kanë bërë në përpilimin e dokumentit.

Si fryt i kësaj përvoje sinodale, ne ipeshkvijtë angazhohemi që të vazhdojmë duke jetuar dhe promovuar procesin sinodal në strukturat dhe në jetën e dioqezave tona. Kjo përvojë përkujdesjeje për mbarë Kishën në Evropë na ka dhënë zemër në angazhimin tonë për ta jetuar me besnikëri misionin tonë universal. Ne angazhohemi në mbështetje të udhëzimeve të Atit të Shenjtë, pasardhës i Pjetrit, për një Kishë sinodale që ushqehet nga përvoja e bashkimit, pjesëmarrjes dhe misionit në Krishtin.

Ne duam të ecim së bashku, si popull i shenjtë i Hyjit, laikë dhe barinj, shtegtarë nëpër rrugët e Evropës, për ta kumtuar gëzimin e Ungjillit që buron nga takimi me Krishtin dhe duam ta bëjmë këtë gjë së bashku me shumë vëllezër e motra të konfesioneve të tjera të krishtera.

Ne duam të angazhohemi për ta zgjeruar hapësirën e tendave tona, në mënyrë që bashkësitë tona kishtare të jenë vendi ku të gjithë ndihen të mirëpritur.

Pragë, më 11 shkurt 2023
Përkujtimi i Shën Marisë Virgjër të Lurdit

spot_img

Te fundit

spot_img