2.5 C
Tirana
HomeKulturëAngazhimi i Komisionit Kombëtar për Edukimin Katolik në Paktin Edukativ Global
HomeKulturëAngazhimi i Komisionit Kombëtar për Edukimin Katolik në Paktin Edukativ Global

Angazhimi i Komisionit Kombëtar për Edukimin Katolik në Paktin Edukativ Global

Motër Teuta Buka

Angazhimi i Komisionit Kombëtar për Edukimin Katolik në Paktin Edukativ Global

“Ne e konsiderojmë edukimin si një nga mënyrat më efektive për ta bërë historinë dhe botën tonë më njerëzore. Edukimi është mbi të gjitha një çështje dashurie dhe përgjegjësie që kalon nga një brez tek tjetri.”
Papa Francesco, 15 Tetor 2020


Që në vitin 2019 Papa ka bërë ftesën planetare për një Pakt Edukativ Global dhe në tetorin 2020 në eventin e celebrimit zyrtar ai përvijon sërish shtatë pikat në të cilat mund të punojmë për të ndërtuar Fshatin Edukativ, një shprehje kjo që vë në fokus bashkësinë, morinë e njerëzve që kontribuojnë në edukim të cilët jo domosdoshmërisht janë mësues të certifikuar, por janë kontribues në edukimin e brezave, madje me shumë influencë.

KKEKSH (Komisioni Kombëtar për Edukimin Katolik) është anëtar i rrjetit Evropian të edukimit katolik CEEC dhe atij Boteror OIEC. Pjesë pra  e një popullate shkollore prej 68.2 milion nxënësish në rang botëror. Sipas të dhenave të bankës botërore, pesë shtetet e para në listë për kah numri i nxënësve në sistemin parashkollor, fillor dhe të mesëm të ulët të shkollave katolike, janë vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare të ulëta. Kongo, Kenia, Malaëi, India, Uganda [i][ii].

Në Shqipëri shkollat e rrjetit të edukimit katolik kanë rreth 8000 nxënës nga veriu në jug, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Secila nga realitetet edukative të rrjetit KKEKSH, ka më shumë se një vit që ka  filluar  reflektimin për të gjetur rrugët konkrete që të përfshihemi në këtë lëvizje të madhe botërore që nuk mund të lërë indiferent askënd, aq më pak ne që edukimin e përsonit njerëzor e kemi përqafuar si mision. Në fakt nuk është fillimi i një ecje totalisht të re, përherë shkollat katolike janë angazhuar në përçimin e vlerave të dialogut, mikpritjes, përkudesjes për më nevojtarët. Risia qëndron tek vetëdija që së bashku me një kor të madh kontributesh,  bashkëpunimesh, veprimesh të vogla, por plot me vlera,  kemi mundësinë të ndikojmë botën.

Pjesëmarrja në rrjetin Botëror te Edukimit Katolik dhe firmosja e paktit edukativ Global nga ana jonë si KKEKSH përfshin katër angazhimet themelore që burojnë prej angazhimit të OIEC për të cilat do të përfshihemi të gjithë:

  1. Ripërtëritja e Paktit Edukativ brenda shkollës ;
  2. Bashkëpunimi dhe forcimi i rrjetit mes shkollave tona;
  3. Përfshirja e komunitetit dhe institucioneve publike qendrore dhe lokale, duke ndarë me ta praktikat tona më të mira dhe duke frymëzuar modele të reja edukimi;
  4. Përfshirja dhe këmbimi i përvojave me komunitetet e tjera fetare që të jemi një shenjë konkrete vëllazërie që kontribuon për në humanizimin e botës.

Në ditën e parë Kombëtare të Edukimit katolik që kremtuam me 24 maj, ditën që enti ynë është themeluar juridikisht, shkollat në praninë e komuniteteve edukative kanë firmosur këtë angazhim, madje në disa realitete, nuk e ka firmosur vetëm drejtuesi, por bashkë me të edhe nxënësit e mësuesit. Kështu hapet një rrugë e re të cilën do ta përshkojmë së bashku. Dëshiroj të sjell një fragment nga  fjala përshëndetëse e Imzot Massafrës në eventin pershëndetës së Ditës së parë kombëtare me 24 maj 2021:

Jam plot me besim se do të bëhen përherë e më konkrete këto angazhime dhe se vitin e ardhshëm, kur të festojmë ditën botërore dhe ditën kombëtare të edukimit katolik, angazhimi jonë do të jetë më i dukshëm dhe më përfshirës. Ndër të tjera Ungjilli na fton të jemi drita e botës, ndaj kontributi ynë për të ndërtuar fshatin edukativ rreth fëmijëve tanë, janë mundësia për ta bërë aktuale këtë thirrje të Ungjillit. Ndaj ju nxis fort të krijoni rrjet mes jush, të bashkëpunoni me shkolla të tjera në këtë frymë, të përfshini në edukim cdo person vullnetmirë duke filluar së pari nga prindërit, duke qënë propozitivë me institucionet që e ardhmja të buzëqeshë për fëmijët tanë, dhe si thotë Papa Francesku Bota të jetë më njerëzore.

Në atë ditë ishte me ne edhe Nunzi apostolik, Imzot Lugi Bonazzi, Ipeshkvi ndihmës i Arqidioqezës Tiranë Durrës,  Imzot Arjan Dodaj, Drejtori i Caritasit Kombëtar, Atë Antonio Leuci, Drejtues të institucioneve arsimore, miq të edukimit katolik, përfaqësues nga Universiteti Katolik, mësues dhe  trajnerët e mësuesve tanë, por mbi të gjitha edhe disa nxënës të shkollës Vincens Prendushi dhe Don Bosko, që paraqitën inicativat që kanë realizuar për Paktin Edukativ Global.

Le të përveshim pra së bashku mëngët për të qenë ndërtues të një qasje të re të edukimit me personin njerëzor në qendër që bota të jetë më vëllazërore.

Motër Teuta Buka
Koordinatore Kombëtare e Edukimit Katolik


[i] https://e09c9478-419d-4177-930b-8abd3c6e96ac.filesusr.com/ugd/b9597a_bc417cb070b644e8812338c8bab39b2b.pdf

[ii] https://www.globalcatholiceducation.org/other-publications

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme