Me datë 14 qershor, Dioqeza jonë e Rrëshenit mirëpriti me gëzim përfaqësues nga të gjitha dioqezat e tjera të Shqipërisë për Jubileun kombëtar të të sëmurëve dhe të bamirësisë që u organizua në Pallatin e Sportit “Arjana Arapi” nga dioqeza jonë.
Aktiviteti nisi me procesionin me të Shenjtërueshmin Sakrament nga Katedralja e Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës” drejt Pallatit të Sportit. Atje, Meshën e Shenjtë e udhëhoqi imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës dhe President i Komisionit të shëndetësisë së Konferencës Ipeshkvore. Pastaj shijuam programin artistik dhe bashkëndamë drekën.


Ishte një ditë shumë e veçantë për të gjithë. Patëm mundësi të luteshim së bashku, që Zoti t’i shërojë të sëmurët, t’i lehtësojë mundimet e tyre dhe t’i ngushëllojë me dashurinë e Tij e tonën; me praninë e Tij e tonën; me afërsinë e Tij e tonën. E falënderuam Hyjin që na bën të jemi “engjëj të shpresës” e “lajmëtarë të Zotit” duke përdorur dy sintagma të Papa Françeskut. Na bën shenjë të dashurisë së pamasë të Tij, njëri për tjetrin, njëri me tjetrin, kudo që jemi: nëpër familje, klinika, shtëpi pleqsh, ambulanca, spitale, shoqata, organizata, shtëpi motrash, ente të ndryshme të Kishës, etj.
Ata që u japin ndihmë të vuajturve kanë “një rol të veçantë”. “Udha juaj e përbashkët”, ka shkruar Papa Françesku në mesazhin e tij të publikuar më 27 janar 2025, “është shenjë për të gjithë, himn për dinjitetin njerëzor, këngë shprese, zëri i së cilës shkon shumë përtej dhomave dhe shtretërve të vendeve mjekësore ku ndodheni”. Është nxitje për bamirësi, edhe pse jo e lehtë, ku të përfshihet e gjithë shoqëria.


Gjetëm rastin të lavdëronim punën e të gjithëve atyre që kujdesen për të sëmurët dhe inkurajuam sektorin e shëndetësisë, që të kenë gjithnjë parasysh rëndësinë e përmasës njerëzore në çdo trajtim mjekësor që ofrojnë.
Falënderojmë shumë të gjithë personat me aftësi ndryshe që e zbukuruan Jubileun tonë, në qendër të të cilit ishin pikërisht ata! Falënderojmë shumë shoqëruesit e tyre: familjarë, vullnetarë, motra e prifta! Falënderojmë ipeshkvijtë tanë që iu prinë dioqezave të tyre në këtë shtegtim shprese!



Falënderojmë shumë vajzat e motrave të Nënë Terezës dhe projektin “Shpresa” për pjesëmarrjen në programin artistik në fund! Falënderojmë shumë Orjeta Tethorjen nga fshati Vinotek, Shkodër dhe Kolë Shabenin, përgjegjës i qendrës sociale për personat me aftësi të kufizuara të Shtëpisë Rregulltare të Bashkësisë “Misionarët e dashurisë”, Bushat, që na emocionuan e frymëzuan me dëshmitë e tyre! Falënderojmë grupin e valleve të qendrës kulturore “Abat Doçi” në Rubik dhe këngëtaren Laureta Pjetri për atmosferën festive! Falënderojmë Bashkinë Rrëshen, Spitalin dhe Pallatin e Sportit për bashkëpunimin e frytshëm!
Falënderojmë fotografin e papërtueshëm dhe gjithmonë të gjendshëm nëpër aktivitetet tona baritore e jo vetëm: Fatjon Doda!
Dhe së fundmi, falënderojmë shumë grupin organizues të këtij Jubileu së bashku me vullnetarët, për gjithçka! Gjithë puna dhe mundi juaj disamujor ia ka vlejtur! Ju jemi mirënjohës për angazhimin tuaj serioz gjatë fazës përgatitore dhe ditën e Jubileut. Falë funksionimit të mirë të secilit sektor tuaj, çdo fazë e programit shkoi më së miri, nga mirëpritja e miqve të ardhur me autobusa e furfonë në mëngjes, deri te largimi i tyre. Faleminderit për shërbimin dhe përkushtimin tuaj! Qoftë gjithmonë për nder e lavd të Hyjit!



T’i mbushim plot me raporte të thella shpirtërore marrëdhëniet tona me të sëmurët, qoftë ky edhe një kontakt sporadik me ta, një përshëndetje me ta. Nuk duhet të lodhemi kurrë duke dhënë në emër të Zotit; duke shërbyer në emër të Zotit; duke qenë të afërt, të pranishëm, në emër të Zotit; duke dashur siç na ka mësuar Zoti. “Është detyra jonë ta zgjerojmë bashkësinë e krishterë dhe t’ju bëjmë të ditur të gjithëve se janë të mirëpritur në Kishë” (Papa Leoni XIV)