Miserando atque Eligendo
Në emër të Trinisë së Shenjtë. Amen.
Duke e ndier se fundi i jetës sime tokësore po afrohet dhe me shpresë të gjallë në Jetën e Amshuar, dëshiroj të shpreh vullnetin tim testamentar vetëm në lidhje me vendin e varrimit tim.
Jetën time dhe shërbesën time, meshtarake e ipeshkvore, ia kam besuar gjithmonë Nënës së Zotit tonë, Marisë tejet të Shenjtë. Prandaj, kërkoj që trupi im të prehet në Bazilikën Papnore të Shën Marisë së Madhe, në pritje të ditës së ringjalljes.
Dëshiroj që udhëtimi im i fundit tokësor të përfundojë pikërisht në këtë shenjtërore të lashtë Mariane, ku shkoja për lutje në fillim dhe në përfundim të çdo Udhëtimi Apostolik për t’ia besuar besimplotë qëllimet e mia Nënës së Papërlyer dhe për ta falënderuar për kujdesin e saj të ëmbël dhe amnor.
Kërkoj që varri im të përgatitet në kthinën e anijatës anësore midis Kapelës Pauline (Kapela e Salus Populi Romani) dhe Kapelës Sforza të Bazilikës Papnore të lartpërmendur, siç tregohet në dokumentin bashkëngjitur.
Varri duhet të jetë në tokë; i thjeshtë, pa dekorim të veçantë dhe me të vetmin mbishkrim: Franciscus.
Shpenzimet për përgatitjen e varrimit tim do të mbulohen nga shuma e bamirësit që kam caktuar, për ta zhvendosur në Bazilikën Papnore të Shën Marisë së Madhe dhe për të cilin i kam dhënë udhëzimet e nevojshme Imzot Rolandas Makrickas, Komisioner i Jashtëzakonshëm i Kapitullit Liberian.
Zoti u dhëntë shpërblimin e merituar atyre që më deshën dhe do të vazhdojnë të luten për mua. Vuajtjet që u bënë të pranishme në pjesën e fundit të jetës sime ia ofroj Zotit për paqe në botë dhe vëllazëri mes popujve.
Shën Marta, 29 qershor 2022
FRANÇESKU