15.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet - Shpresa
HomeKISHVeset dhe virtytet - Shpresa

Veset dhe virtytet – Shpresa

Katekezë 18.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Në katekezën e fundit kemi filluar të reflektojmë mbi virtytet teologale. Ato janë tre: feja, shpresa dhe dashuria. Herën e fundit kemi reflektuar mbi fenë, sot është radha për shpresën.

«Shpresa është virtyti teologal nëpërmjet të cilit ne dëshirojmë mbretërinë e qiellit dhe jetën e amshuar si lumturi tonën, duke varur besimin tonë te premtimet e Krishtit dhe duke u mbështetur jo mbi forcat tona, por mbi ndihmën dhe hirin e Shpirtit Shenjt». (Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1817). Këto fjalë na konfirmojnë se shpresa është përgjigja që i ofrohet zemrës sonë, kur në ne lind pyetja absolute: “Çfarë do të bëhet me mua? Cili është caku i udhëtimit? Çfarë ndodh me fatin e botës?”.

Të gjithë e kuptojmë se një përgjigje negative ndaj këtyre pyetjeve prodhon trishtim. Nëse rrugëtimi i jetës nuk ka kuptim, nëse në fillim dhe në fund ka një asgjë, atëherë pyesim veten se pse vallë duhet të rrugëtojmë: këtu lind dëshpërimi i njeriut, ndjenja e kotësisë përballë çdo gjëje. Dhe shumëkush mund të rebelohet: u përpoqa të jem i virtytshëm, të isha i matur, i drejtë, i fortë, i vetëpërmbajtur. Kam qenë edhe burrë apo grua besimtare… Për çfarë shërbeu luftimi im nëse gjithçka përfundon këtu? Nëse shpresa mungon, të gjitha virtytet e tjera rrezikojnë të shkërmoqen dhe të përfundojnë në hi. Po të mos ekzistonte një e nesërme të cilës mund t’i zihet besë, një horizont i ndritshëm, s’do të ngelej tjetër përveç përfundimit se virtyti është lodhje e kotë. «Vetëm kur e ardhmja është e sigurt si një realitet pozitiv, bëhet e jetueshme edhe e tashmja», thoshte Benedikti XVI (Letra Enciklike Spe Salvi, 2).

I krishteri ka shpresë, jo falë meritave të tij. Nëse ai beson në të ardhmen është sepse Krishti vdiq dhe u ngjall dhe na dhuroi Shpirtin e tij. «Shëlbimi na është ofruar në kuptimin që na është dhuruar shpresa, një shpresë e besueshme, në sajë të së cilës ne mund të përballemi me të tashmen tonë» (po aty, 1). Në këtë kuptim, edhe një herë themi se shpresa është një virtyt teologal: ajo nuk buron prej nesh, nuk është një ngulmim për t’u vetëbindur, por është një dhuratë që vjen drejtpërdrejt nga Hyji.

Pali apostull ua paraqet logjikën e re të përvojës së krishterë shumë të krishterëve që ishin ndër dyshime, të cilët nuk ishin rilindur plotësisht në shpresë: «Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën. E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët» (1 Kor 15,17-19). Është sikur të thoshte: nëse beson në ngjalljen e Krishtit, atëherë e di me siguri se asnjë humbje dhe asnjë vdekje nuk është e përhershme. Por nëse nuk beson në ngjalljen e Krishtit, atëherë gjithçka bëhet e zbrazët, madje edhe predikimi i Apostujve.

Shpresa është një virtyt kundër të cilit ne mëkatojmë shpeshherë: në mallin për të këqijat tona, në melankolinë tonë, kur mendojmë se lumturitë e së kaluarës janë varrosur përgjithmonë. Mëkatojmë kundër shpresës kur na lëshon zemra përball mëkateve tona, duke harruar se Hyji është i mëshirshëm dhe më i madh se zemra jonë. Të mos e harrojmë këtë gjë, vëllezër e motra: Hyji fal gjithçka, Hyji fal gjithmonë. Jemi ne ata që lodhemi duke kërkuar falje. Por të mos e harrojmë këtë të vërtetë: Hyji fal gjithçka, Hyji fal gjithmonë. Ne mëkatojmë kundër shpresës kur na lëshon zemra përball mëkateve tona; mëkatojmë kundër shpresës kur brenda nesh vjeshta e fshin pranverën; kur dashuria e Hyjit resht së qeni një zjarr i përjetshëm dhe nuk kemi guxim të marrim vendime që na angazhojnë për krejt jetën.

Bota sot ka shumë nevojë për këtë virtyt të krishterë! Bota ka nevojë për shpresë, siç ka shumë nevojë për durim, një virtyt që ecën në kontakt të ngushtë me shpresën. Njerëzit e durueshëm janë endës të së mirës. Ata e dëshirojnë me këmbëngulje paqen, madje edhe nëse disa kanë nxitim dhe do të donin gjithçka e menjëherë, durimi ka aftësinë për të pritur. Edhe kur përreth tyre ka njerëz që i janë nënshtruar zhgënjimit, ata që janë të gjallëruar nga shpresa dhe janë të durueshëm janë në gjendje të kalojnë netët më të errëta. Shpresa dhe durimi shkojnë bashkë.

Shpresa është virtyti i atyre që kanë zemër të re; dhe mosha nuk ka rëndësi këtu. Sepse ka edhe të moshuar me sy plot dritë, që jetojnë një tension të përhershëm drejt së ardhmes. Le të mendojmë për ata dy pleq të mëdhenj të Ungjillit, Simonin dhe Anën: ata nuk u lodhën kurrë së prituri dhe panë se pjesa e fundit e udhëtimit të tyre u bekua nga takimi me Mesinë, të cilin e njohën në Jezusin, që prindërit e kishin sjellë në Tempull. Çfarë bekimi nëse do të ishte kështu për të gjithë ne! Nëse pas një shtegtimi të gjatë, duke ulur çantën dhe shkopin tonë, zemrat tona do të mbusheshin me një gëzim që nuk e kishim ndjerë kurrë më parë, e të mund të thërrisnim edhe ne: «Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit» (Lk 2,29-32).

Vëllezër dhe motra, le të ecim para e ta kërkojmë hirin për të pasur shpresë, shpresë me durim. Të shikojmë gjithmonë kah takimi përfundimtar; të mendojmë përherë se Zoti është pranë nesh, se kurrë, kurrë nuk do të fitojë vdekja! Le të shkojmë para e t’i kërkojmë Zotit që të na e japë këtë virtyt të madh të shpresës, të shoqëruar me durimin. Faleminderit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme