PAPA FRANÇESKU
AUDIENCË E PËRGJITHSHME
Vëllezër e motra, mirëdita!
Katekezën e sotme ia kushtojmë virtytit të maturisë. Ajo, së bashku me drejtësinë, forcën dhe vetëpërmbajtjen, formon të ashtuquajturat «virtyte kardinale» [lat. cardo = menteshë] të cilat nuk janë prerogativë ekskluzive e të krishterëve, por i përkasin trashëgimisë së urtisë së moçme, në veçanti të filozofëve grekë. Prandaj, njëra prej temave më interesante në veprën e takimit e të inkulturimit, qe pikërisht ajo e virtyteve.
Në shkrimet mesjetare paraqitja e virtyteve nuk është një listë e thjeshtë e cilësive të mira të shpirtit. Duke rimarrë autorët klasikë, në dritën e zbulesës së krishterë, teologët e kanë përfytyruar shtatëshen e virtyteve – tre teologalet dhe katër kardinalet –, si një lloj organizmi të gjallë ku secili virtyt ka një hapësirë harmonike për të zënë. Ka virtyte thelbësore, virtyte plotësuese/ndihmëse, sikurse edhe shtylla mbështetëse, kolona e kapitele. Ja, mbase asgjë më shumë se arkitektura e një katedraleje mesjetare mund të na japë idenë e harmonisë që është në njeriun e në tendosjen e tij të vazhdueshme drejt së mirës.
Pra, nisemi nga maturia. Nuk është virtyti i personit të druajtur, gjithmonë në mëdyshje për veprimin që duhet të ndërmarrë. Jo, ky është një interpretim i gabuar. Nuk është gjithashtu vetëm kujdesia. T’i japësh përparësi maturisë do të thotë që veprimi i njeriut është në duart e dijes dhe lirisë së tij. Njeriu i matur është krijues: arsyeton, vlerëson, përpiqet të kuptojë kompleksitetin e realitetit dhe nuk e lejon veten të mbizotërohet nga emocionet, dembelia, presioni apo iluzionet.
Në një botë të mbizotëruar nga dukja, nga mendimet sipërfaqësore, nga banaliteti qoftë i së mirës qoftë i së keqes, mësimi i moçëm i maturisë meriton të rikuperohet.
Shën Toma, në vazhdën e Aristotelit, e quante atë “recta ratio agibilium”. Është aftësia për t’i sunduar veprimet duke i drejtuar ato drejt së mirës; për këtë arsye quhet edhe “prijësja e virtyteve”. I matur është ai ose ajo që është në gjendje të zgjedhë: jeta, për sa kohë që qëndron në libra, është gjithmonë e lehtë, por në mes të erërave dhe dallgëve të jetës së përditshme është krejtësisht tjetër gjë; shpesh jemi të pasigurt dhe nuk dimë se cilën rrugë të marrim. Kush është i matur nuk zgjedh rastësisht: para së gjithash di se çfarë do, më pas vlerëson me kujdes situatat, kërkon këshillë dhe, me një vizion të gjerë dhe liri të brendshme, zgjedh se cilën rrugë të ndjekë. Kjo nuk do të thotë se njeriu i matur nuk mund të gabojë, në fund të fundit ne mbetemi gjithmonë njerëz; por të paktën do të shmangë rrëshqitjet e mëdha. Fatkeqësisht, në çdo mjedis ka nga ata që priren t’i heqin qafe problemet me përgjigje sipërfaqësore ose të ngrenë gjithmonë polemika. Nga ana tjetër, maturia është cilësia e atyre që thirren për të drejtuar: ata e dinë se administrimi është i vështirë, se këndvështrimet janë të shumta dhe se duhet të përpiqen t’i harmonizojmë ato, se duhet të arrihet jo vetëm e mira e dikujt, por e të gjithëve.
Maturia gjithashtu mëson se, siç thuhet, “e përkryera është armikja e së mirës”. Njëmend, zelli i tepërt në ndonjë situatë mund të shkaktojë katastrofa: mund të rrënojë një ndërtim që kërkon gradualitet; mund të krijojë konflikte dhe mosmarrëveshje; madje bën që dhuna të marrë flakë.
Njeriu i matur di ta ruajë kujtesën e së kaluarës, jo sepse ka frikë nga e ardhmja, por sepse e di se tradita është një trashëgimi urtie. Jeta përbëhet nga një mbivendosje e vazhdueshme e gjërave të vjetra dhe gjërave të reja, dhe nuk është mirë të mendojmë gjithmonë se bota fillon me ne, se duhet të përballemi me probleme duke filluar nga e para. Dhe personi i matur është gjithashtu largpamës. Si ta ketë vendosur pikësynimit, duhet të sigurojë të gjitha mjetet për ta arritur atë.
Shumë pjesë të Ungjillit na ndihmojnë të edukohemi në maturi. Për shembull: ai që e ndërton shtëpinë e tij mbi shkëmb është i matur dhe ai që e ndërton atë mbi rërë është i pamatur (khs Mt 7,24-27). Të mençura janë shoqërueset/virgjëra që marrin me vete vaj për llambat e tyre dhe marroqe janë ato që nuk e bëjnë diçka të tillë (khs Mt 25,1-13). Jeta e krishterë është një ndërthurje e thjeshtësisë dhe zgjuarsisë. Jezusi, duke i përgatitur dishepujt e tij për misionin, i porositë: «Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur [matur] porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!” (Mt 10,16). Si për të thënë se Hyji nuk na do vetëm të shenjtë, si na do të shenjtë e të mençur, sepse pa maturi është e lehtë të marrësh rrugën e gabuar!