PAPA FRANÇESKU
AUDIENCË E PËRGJITHSHME
Vëllezër e motra, mirëdita!
Sot dëshiroj të filloj një cikël katekezash – një cikël të ri – mbi temën e veseve dhe virtyteve. Dhe mund të nisemi që nga fillimi i Biblës, ku libri i Zanafillës, përmes tregimit të paraardhësve, paraqet dinamikën e së keqes dhe tundimit. Mendojmë për parajsën tokësore. Në kornizën idilike të përfaqësuar nga Kopshti i Edenit, shfaqet një personazh që bëhet simboli i tundimit: gjarpri, ky personazh që josh. Gjarpri është një kafshë tinëzare: lëviz ngadalë duke u zvarritur në tokë dhe ndonjëherë as nuk e vëren praninë e tij, sepse është i heshtur dhe arrin të kamuflohet mirë me mjedisin; mbi të gjitha për këtë arsye është i rrezikshëm.
Kur fillon të bisedojë me Adamin dhe Evën, dëshmon se është edhe një dialektik i rafinuar. Fillon si me thashethemet e këqija, me një pyetje djallëzore: «Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?» (Zan 3,1). Fjalia është e rreme: Hyji, në të vërtetë, i ofroi burrit dhe gruas të gjitha frutat e kopshtit, përveç atyre të një peme të mirëpërcaktuar: pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Ky ndalim nuk ka për qëllim t’ia ndalojë njeriut përdorimin e arsyes, siç keqinterpretohet ndonjëherë, por është një masë urtie. Si të thuash: njihe kufirin, mos u ndje zot i çdo gjëje, sepse krenaria është fillimi i të gjitha të këqijave. Tregimi thotë se Hyji i vendos paraardhësit si zotër dhe kujdestarë/rojtarë të krijimit, porse dëshiron t‘i ruajë ata nga pandehja e gjithëpushtetshmërisë, për t’u bërë zotër të së mirës dhe të së keqes. Ky është një tundim i keq, edhe sot, është gracka më e rrezikshme për zemrën e njeriut, nga e cila duhet të ruhemi çdo ditë.
Siç e dimë, Adami dhe Eva nuk arritën t’i kundërvihen tundimit të gjarprit. Ideja e një Hyji jo tamam të mirë, që donte t’i mbante të nënshtruar, zuri vend në mendjet e tyre: nga këtu erdhi rrënimi i gjithçkaje. Fare shpejt paraardhësit do ta kuptojnë se, ashtu si dashuria është shpërblimi që njeriu ia bën vetes, edhe e keqja është ndëshkimi i vetvetes. Nuk do të nevojiten ndëshkimet e Hyjit për të kuptuar se ata kanë gabuar: do të jenë vetë veprimet e tyre që do të shkatërrojnë botën e harmonisë në të cilën ata kishin jetuar deri atëherë. Ata menduan se do të bëheshin si zota, por përkundrazi e vënë re se janë lakuriq dhe se kanë gjithashtu shumë frikë: sepse, kur zemra është e përshkuar nga krenaria, atëherë askush nuk mund të mbrohet nga e vetmja krijesë tokësore e aftë për të ngjizur të keqen, domethënë njeriu.
Me këto tregime, Bibla na shpjegon se e keqja nuk fillon në njeriun në mënyrë të bujshme, kur një veprim tanimë shfaqet qartazi, por shumë më herët, kur njeriu fillon të bisedojë me të, ta përkundë në imagjinatë dhe në mendime, duke përfunduar kështu në rrjetën e joshjeve të saj. Vrasja e Abelit nuk filloi me gurin e hedhur mbi të, por me zemërimin që Kaini, në mënyrë të kobshme, ka ruajtur, duke e bërë atë një përbindësh brenda vetes. Edhe në këtë rast, porositë e Hyjit nuk patën asnjë dobi: «Në pritë te dera e ke mëkatin; ai të lakmon ty; porse ti duhet ta mbizotërosh» (Zan 4,7).
Me djallin, të dashur vëllezër e motra, nuk duhet të bisedohet. Kurrë! Nuk duhet diskutuar kurrë. Jezusi nuk ka biseduar kurrë me djallin, por e ka përzënë atë. Kur u tundua në shkretëtirë, ai nuk iu përgjigj me bisedë; ai thjesht u përgjigj me fjalët e Shkrimit të Shenjtë, me Fjalën e Hyjit. Kini kujdes, djalli është joshës. Asnjëherë mos flisni me të, sepse ai është më i zgjuar se ne dhe do ta paguajmë. Kur të vijë një tundim, mos u ndal kurrë me të! Mbylle derën, mbyll dritaren, mbyll zemrën. Dhe kështu, ne mbrohemi nga kjo joshje, sepse djalli është dinak, ai është inteligjent. Ai u përpoq ta tundonte Jezusin me citime biblike! Ai tregohej si një teolog i madh. Me djallin nuk bisedohet. A e keni kuptuar mirë këtë gjë? Bëni kujdes! Me djallin nuk bisedohet dhe ne nuk duhet të ndalemi me të. Nuk ka bisedë. Vjen tundimi: ia mbyllim derën. Ta ruajmë zemrën. Ai është i aftë që ta maskojë të keqen nën një maskë të padukshme të së mirës. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë, duke mbyllur menjëherë hapësirën më të vogël kur ai përpiqet të futet në ne. Ka njerëz që kanë rënë në varësi të cilat nuk kanë arritur më t’i mposhtin (varësi nga droga, alkoolizmi, ludopatia [bixhozi]) vetëm sepse kanë nënvlerësuar rrezikun. Ata mendonin se ishin të fortë në një betejë koti, porse përfunduan si pre lufte e një armiku shumë të fuqishëm. Kur e keqja lëshon rrënjë në ne, atëherë merr emrin ves dhe është një barë i keq që është e vështirë ta çrrënjosësh. Kjo mund të arrihet vetëm me koston e përpjekjeve me shumë djersë.
Duhet të jemi rojtarë të zemrës sonë. Është porosia që gjejmë te disa etër të shkretëtirës: burra që lanë botën për të jetuar në lutje dhe bamirësi vëllazërore. Shkretëtira – thoshin ata – është një vend që na kursen disa beteja: atë të syve, të gjuhës dhe të veshëve, ajo që na mbetet është një luftë e fundit, më e vështira nga të gjitha, ajo e zemrës. Përballë çdo mendimi dhe çdo dëshire që i paraqitet mendjes dhe zemrës, i krishteri sillet si një rojtar i urtë dhe e pyet atë për të ditur se nga cila anë ka ardhur: nga Hyji apo nga Armiku i tij. Nëse vjen nga Hyji, atëherë duhet mirëpritur, sepse është fillimi i lumturisë. Por nëse vjen nga Armiku, është vetëm egjër, është thjesht ndotje, dhe nëse fara e saj na duket e vogël, pasi të ketë zënë rrënjë do të zbulojmë brenda nesh degëzimet e gjata të vesit dhe pakënaqësisë. Suksesi i çdo beteje shpirtërore varet shumë nga fillimi i saj: nga vigjilimi i vazhdueshëm mbi zemrën tonë.
Duhet të kërkojmë hirin që të mësojmë ta ruajmë zemrën. Kjo është urti, d.m.th. të dish se si ta ruash zemrën. Zoti na ndihmoftë në këtë punë. Kush ruan zemrën e tij ruan një thesar. Vëllezër dhe motra, të mësojmë që ta ruajmë zemrën. Faleminderit!