Në fillim të vitit të ri, kohë hiri që Zoti ia jep secilit prej nesh, dëshiroj t’i drejtohem Popullit të Hyjit, kombeve, Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, Përfaqësuesve të feve të ndryshme dhe shoqërisë civile, të gjithë burrave dhe grave të kohës sonë për t’u dhënë urimet e mia për paqe.
1. Progresi i shkencës dhe i teknologjisë si rrugë drejt paqes
Shkrimi i Shenjtë dëshmon se Hyji u ka dhënë njerëzve Shpirtin e tij, në mënyrë që ata të kenë «urti, dituri [inteligjencë], njohuri për çdo veprimtari» (Dal 35,31). Inteligjenca është shprehje e dinjitetit që na është dhënë nga Krijuesi, i cili na bëri sipas shëmbëllimit dhe përngjasimit të vet (krh. Zan 1,26) dhe na bëri të aftë për t’iu përgjigjur dashurisë së tij nëpërmjet lirisë dhe njohjes. Shkenca dhe teknologjia i shpërfaqin veçanërisht këto cilësi thelbësisht marrëdhënore të inteligjencës njerëzore: janë produkte të jashtëzakonshme të potencialit të saj krijues.
Në Kushtetutën Baritore Gaudium et spes, Koncili II i Vatikanit e ka pohuar këtë të vërtetë, duke deklaruar se «me punën e vet dhe me krijimtarinë e vet njeriu është munduar gjithmonë ta zhvillojë jetën e vet» [1]. Kur qeniet njerëzore, «me ndihmën e teknikës», përpiqen që toka «të bëhet një banesë e denjë për mbarë familjen njerëzore» [2], ata veprojnë sipas planit të Hyjit dhe bashkëpunojnë me vullnetin e tij për ta çuar në përmbushje krijimin dhe për të përhapur paqen mes popujve. Edhe përparimi i shkencës dhe teknologjisë, në masën me të cilën kontribuon për një rend më të mirë të shoqërisë njerëzore, për të rritur lirinë dhe bashkimin vëllazëror, çon, pra, në përmirësimin e njeriut dhe në shndërrimin e botës.
Me të drejtë gëzohemi dhe jemi mirënjohës për arritjet e jashtëzakonshme të shkencës dhe teknologjisë, falë të cilave kanë gjetur zgjidhje të këqijat e panumërta që mundonin jetën njerëzore dhe shkaktonin vuajtje të mëdha. Në të njëjtën kohë, përparimet tekniko-shkencore, duke bërë të mundur ushtrimin e një kontrolli mbi realitetin, të padëgjuar më parë, po vendosin në duart e njeriut një gamë të gjerë mundësish, disa prej të cilave mund të përfaqësojnë një rrezik për mbijetesën dhe një rrezik për shtëpinë e përbashkët [3].
Përparimet e jashtëzakonshme të teknologjive të reja të informacionit, veçanërisht në sferën dixhitale, paraqesin, pra, mundësi entuziazmuese dhe rreziqe të mëdha, me implikime serioze për arritjen e drejtësisë dhe harmonisë midis popujve. Kësisoj, është e nevojshme t’i shtrojmë disa pyetje urgjente. Cilat do të jenë pasojat afatmesme dhe afatgjata të teknologjive të reja dixhitale? Dhe çfarë ndikimi do të kenë ato mbi jetën e individëve dhe shoqërisë, mbi stabilitetin ndërkombëtar dhe mbi paqen?
2. E ardhmja e inteligjencës artificiale mes premtimesh dhe rreziqesh
Përparimet e informatikës dhe zhvillimi i teknologjive dixhitale në dekadat e fundit, tashmë kanë filluar të prodhojnë shndërrime të thella në shoqërinë globale dhe dinamikat e saj. Mjetet e reja dixhitale po ndryshojnë fytyrën e komunikimit, të administratës publike, të arsimit, të konsumit, të ndërveprimeve personale dhe aspekteve të tjera të panumërta të jetës së përditshme.
Përveç kësaj, teknologjitë që përdorin një shumësi algoritmesh mund të nxjerrin, nga gjurmët dixhitale të lëna në internet, të dhëna që lejojnë kontrollimin e zakoneve mendore dhe marrëdhënore të njerëzve për qëllime komerciale ose politike, shpesh pa dijeninë e tyre, duke kufizuar ushtrimin e ndërgjegjshëm të lirisë së zgjedhjes. Njëmend, në një hapësirë si web-i, e karakterizuar nga një mbingarkesë informacioni, ato mund të strukturojnë fluksin e të dhënave sipas kritereve të përzgjedhjes, jo gjithmonë të perceptuara nga përdoruesi.
Duhet të kujtojmë se kërkimi shkencor dhe inovacionet teknologjike nuk janë të shkëputura nga realiteti dhe «neutrale» [4], por i nënshtrohen ndikimeve kulturore. Si veprimtari plotësisht njerëzore, drejtimet që ata marrin pasqyrojnë zgjedhje të kushtëzuara nga vlerat personale, sociale dhe kulturore të çdo epoke. E njëjta gjë mund të thuhet për rezultatet që arrijnë: ato, pikërisht se janë rezultat i qasjeve specifikisht njerëzore ndaj botës përreth, kanë gjithmonë një dimension etik, që lidhet ngushtë me vendimet e atyre që planifikojnë eksperimentimin dhe drejtojnë prodhimin drejt objektivave të posaçme.
Kjo vlen edhe për format e inteligjencës artificiale. Deri më sot, nuk ka një përkufizim të njëkuptimshëm të saj në botën e shkencës dhe teknologjisë. Vetë termi, i cili tashmë ka hyrë në gjuhën e përbashkët, përfshin një larmi shkencash, teorish dhe teknikash që synojnë të bëjnë ashtu që makinat të riprodhojnë ose imitojnë, në funksionimin e tyre, aftësitë njohëse të qenieve njerëzore. Të folurit në shumës për “format e inteligjencës” mund të ndihmojë për të nënvizuar mbi të gjitha hendekun e pamasë që ekziston midis këtyre sistemeve, sado befasuese dhe të fuqishme, dhe personit njerëzor: ato janë, në analizë të fundit, “fragmentare”, në kuptimin që ato vetëm mund të imitojnë ose riprodhojnë disa funksione të inteligjencës njerëzore. Përdorimi i shumësit nxjerr në pah gjithashtu se këto pajisje, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, duhet të çmohen gjithmonë si “sisteme socio-teknike”. Në të vërtetë, ndikimi i tyre, përtej teknologjisë bazë, varet jo vetëm nga projektimi, por edhe nga objektivat dhe interesat e atyre që i zotërojnë dhe të atyre që i zhvillojnë, si dhe nga situatat në të cilat ato përdoren.
Prandaj, inteligjenca artificiale duhet kuptuar si një galaktikë realitetesh të ndryshme dhe nuk mund të pandehim apriori se zhvillimi i saj do të japë një kontribut të dobishëm për të ardhmen e njerëzimit dhe për paqen midis popujve. Një rezultat pozitiv do të jetë i mundur vetëm nëse tregohemi të aftë për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme dhe për të respektuar vlerat njerëzore themelore si «gjithëpërfshirja, transparenca, siguria, drejtësia, konfidencialiteti dhe besueshmëria» [5].
Nuk mjafton as të besohet në angazhimin, prej anës së atyre që projektojnë algoritme dhe teknologji dixhitale, për të vepruar në një mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Është e nevojshme të forcohen ose, nëse është e nevojshme, të ngrihen organizma përgjegjëse për shqyrtimin e çështjeve etike që ngallisin dhe për mbrojtjen e të drejtave të atyre që përdorin forma të inteligjencës artificiale ose ndikohen prej saj [6].
Prandaj, shtrirja e jashtëzakonshme e teknologjisë duhet të shoqërohet nga një formim i përshtatshëm për në përgjegjësi për zhvillimin e saj. Liria dhe bashkëjetesa paqësore kërcënohen kur qeniet njerëzore i dorëzohen tundimit të egoizmit, interesit vetjak, lakmisë së përfitimit dhe etjes për pushtet. Kësisoj, ne kemi për detyrë të zgjerojmë pamjen tonë dhe të orientojmë kërkimin tekniko-shkencor drejt kërkimit të paqes dhe së mirës së përbashkët, në shërbim të zhvillimit të plotë të njeriut dhe të komunitetit [7].
Dinjiteti i brendshëm i çdo personi dhe vëllazëria që na lidh si gjymtyrë të së njëjtës familje njerëzore, duhet të qëndrojnë në bazë të zhvillimit të teknologjive të reja dhe të shërbejnë si kritere të padiskutueshme për t’i vlerësuar ato përpara përdorimit të tyre, në mënyrë që përparimi dixhital të mund të ndodhë në respekt të drejtësisë dhe të kontribuojë për kauzën e paqes. Zhvillimet teknologjike që nuk çojnë në një përmirësim të cilësisë së jetës së të gjithë njerëzimit, por përkundrazi përkeqësojnë pabarazitë dhe konfliktet, nuk mund të konsiderohen kurrë përparim i vërtetë [8].
Inteligjenca artificiale do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Sfidat që paraqet ajo janë teknike, por edhe antropologjike, edukative, sociale dhe politike. Ajo premton, për shembull, kursimin e mundit, një prodhim më efikas, transport më të lehtë dhe tregje më dinamike, si dhe një revolucion në proceset e mbledhjes, organizimit dhe verifikimit të të dhënave. Duhet të jemi të vetëdijshëm për shndërrimet e shpejta që po ndodhin dhe t’i menaxhojmë ato në mënyrë të atillë që t’i mbrojmë të drejtat njerëzore themelore, duke respektuar institucionet dhe ligjet që promovojnë zhvillimin e plotë njerëzor. Inteligjenca artificiale do të duhej t’i shërbente potencialit më të mirë njerëzor dhe aspiratave tona më të larta, jo në konkurrim me to.
3. Teknologjia e së ardhmes: makina që mësojnë vetë
Në format e saj të shumëllojshme, inteligjenca artificiale, e bazuar mbi teknikat e të nxënit automatik (machine learning), edhe pse ende në një fazë pioniere, tashmë po sjell ndryshime të dukshme në strukturën e shoqërive, duke ushtruar një ndikim të thellë te kulturat, sjelljet sociale dhe ndërtimi i paqes.
Zhvillime të tilla si machine learning ose të nxënit e thellë (deep learning) ngrenë çështje që tejkalojnë rrafshet e teknologjisë dhe inxhinierisë dhe kanë të bëjnë me një kuptim që lidhet ngushtë me domethënien e jetës njerëzore, me proceset bazë të njohjes dhe aftësinë e mendjes për të arritur të vërtetën.
Aftësia e disa pajisjeve për të prodhuar, për shembull, tekste koherente nga ana sintaksore dhe semantike, nuk është garanci besueshmërie. Thuhet se mund të të “marrin mendtë”, pra të përftojnë pohime që në pamje të parë duken të miratueshme, por që në realitet janë të pabaza ose fshehin paragjykime. Kjo përbën një problem serioz kur inteligjenca artificiale përdoret për fushata keqinformuese që përhapin lajme të rreme dhe çojnë në një mosbesim në rritje ndaj mediave. Konfidencialiteti, zotërimi i të dhënave dhe pronësia intelektuale janë fusha të tjera në të cilat teknologjitë në fjalë paraqesin rreziqe të mëdha, të cilave u shtohen pasoja të mëtejshme negative që lidhen me përdorimin e tyre jo të duhur, si diskriminimi, ndërhyrja në proceset zgjedhore, rrënjosja e përhapja e një shoqërie që monitoron dhe kontrollon njerëzit, përjashtimi dixhital dhe përkeqësimi i një individualizmi gjithnjë e më të shkëputur nga komuniteti. Të gjithë këta faktorë rrezikojnë të ushqejnë konflikte dhe të pengojnë paqen.
4. Kuptimi i kufirit në paradigmën teknokratike
Bota jonë është shumë e gjerë, e larmishme dhe komplekse për të qenë plotësisht e njohur dhe e klasifikuar. Mendja njerëzore nuk do të jetë askurrë në gjendje ta shterojë pasurinë e saj, as me ndihmën e algoritmeve më të avancuara. Njëmend, këto nuk ofrojnë parashikime të garantuara për të ardhmen, por vetëm përafrime statistikore. Jo çdo gjë mund të parashikohet, jo gjithçka mund të llogaritet; në fund «realiteti është superior ndaj idesë» [9] dhe, sado i jashtëzakonshëm të jetë kapaciteti ynë llogaritës, gjithmonë do të ketë një mbetje të pakapshme që i shpëton çdo përpjekjeje për matje.
Për më tepër, sasia e madhe e të dhënave të analizuara nga inteligjenca artificiale nuk është në vetvete një garanci e paanshmërisë. Kur algoritmet përftojnë informacione, gjithmonë rrezikojnë t’i shtrembërojnë ato, duke përsëritur padrejtësitë dhe paragjykimet e mjediseve nga ku e kanë origjinën. Sa më të shpejta dhe më komplekse të bëhen, aq më e vështirë është të kuptosh pse ato kanë prodhuar një rezultat të caktuar.
Makinat “inteligjente” mund të kryejnë detyrat e tyre të caktuara me efikasitet gjithnjë e në rritje, por qëllimi dhe domethënia e veprimeve të tyre do të vazhdojë të përcaktohet ose aftësohet nga qeniet njerëzore që zotërojnë një univers përkatës vlerash. Rreziku është që kriteret që qëndrojnë në bazë të disa zgjedhjeve të bëhen më pak të qarta, që përgjegjësia vendimmarrëse të fshihet dhe që prodhuesit të mund t’i shpëtojnë detyrimit për të vepruar në të mirën e komunitetit. Në një farë kuptimi, kjo favorizohet nga sistemi teknokratik, i cili bashkon ekonominë me teknologjinë dhe privilegjon kriterin e efikasitetit, duke u prirë të shpërfillë gjithçka që nuk lidhet me interesat e veta imediate [10].
Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë mbi një aspekt që aq shpesh anashkalohet në mentalitetin aktual, teknokratik dhe të orientuar drejt efikasitetit, sa dhe vendimtar për zhvillimin personal dhe social: “kuptimi i kufirit”. Qenia njerëzore, në të vërtetë, e vdekshme për definicion, duke menduar të shkojë përtej çdo kufiri në sajë të teknologjisë, rrezikon, nga obsesioni i dëshirës për të kontrolluar gjithçka, të humbasë kontrollin mbi vetveten; në kërkim të një lirie absolute, të rrëshqasë në spiralen e një diktature teknologjike. Njohja dhe pranimi i kufirit vetjak si krijesë është një kusht i domosdoshëm për njeriun që ai ta arrijë, ose më mirë, ta pranojë dhuratën e plotësisë. Ndërsa, në kontekstin ideologjik të një paradigme teknokratike, të gjallëruar nga një krekosje prometeane vetë-mjaftueshmërie, pabarazitë mund të rriten tej mase dhe njohuria e pasuria të grumbullohen në duart e disave, me rreziqe të mëdha për shoqëritë demokratike dhe bashkëjetesën paqësore [11].
5. Çështje të nxehta për etikën
Në të ardhmen, besueshmëria e dikujt që kërkon një kredi, përshtatshmëria e një individi për një punë, mundësia e përsëritjes së një krimi nga një i dënuar ose e drejta për të marrë azil politik ose asistencë sociale mund të përcaktohen nga sistemet e inteligjencës artificiale. Mungesa e niveleve të ndryshme të ndërmjetësimit, që këto sisteme paraqesin, është veçanërisht e ekspozuar ndaj formave të paragjykimit dhe diskriminimit: gabimet sistematike mund të shumohen lehtësisht, duke prodhuar jo vetëm padrejtësi në raste individuale, por, për shkak të efektit zinxhir, edhe forma të mirëfillta të pabarazisë sociale.
Përveç kësaj, ndonjëherë format e inteligjencës artificiale duken se janë në gjendje të ndikojnë në vendimet e individëve përmes zgjedhjeve të paracaktuara të shoqëruara me stimuj dhe shkëshillime, ose përmes sistemeve të rregullimit të zgjedhjeve personale të bazuara në organizimin e informacioneve. Këto forma manipulimi ose kontrolli social kërkojnë vëmendje dhe mbikëqyrje të kujdesshme dhe nënkuptojnë një përgjegjësi të qartë ligjore nga ana e prodhuesve, e atyre që i vënë në përdorim dhe e autoriteteve qeveritare.
Mirëbesimi ndaj proceseve automatike që kategorizojnë individët, për shembull, nëpërmjet përdorimit të përhapur të mbikëqyrjes ose adoptimit të sistemeve të kredisë sociale, mund të ketë gjithashtu pasoja të thella në strukturën civile, duke krijuar renditje të padrejta midis qytetarëve. Dhe këto procese artificiale të klasifikimit mund të çojnë edhe në konflikte pushteti, që nuk kanë të bëjnë vetëm me marrës virtualë, por njerëz realë. Respekti themelor për dinjitetin njerëzor kërkon të refuzohet ngultas që veçantia e personit të identifikohet me një tërësi të dhënash. Nuk duhet të lejojmë që algoritmet të përcaktojnë mënyrën se si i kuptojmë të drejtat e njeriut, të lënë mënjanë vlerat thelbësore të dhembshurisë, mëshirës dhe faljes, ose të eliminojnë mundësinë që një individ të ndryshojë e të lërë pas shpine të shkuarën.
Në këtë kontekst, nuk mund të mos marrim parasysh ndikimin e teknologjive të reja në fushën e punësimit: funksione që dikur ishin prerogativë ekskluzive e fuqisë punëtore njerëzore absorbohen me shpejtësi nga aplikacionet industriale të inteligjencës artificiale. Edhe në këtë rast, ekziston rreziku themelor i një avantazhi jo proporcional për disa në kurriz të varfërimit të shumë njerëzve. Respekti për dinjitetin e punëtorëve dhe rëndësia e punësimit për mirëqenien ekonomike të njerëzve, familjeve dhe shoqërive, siguria e punës dhe pagat e drejta, duhet të përbëjnë një prioritet të lartë për Bashkësinë ndërkombëtare, sakaq që këto forma të teknologjisë depërtojnë gjithnjë e më thellë në vendet e punës.
6. A t’i shndërrojmë shpatat në plore?
Në këto ditë, duke parë botën përreth nesh, nuk mund t’u shpëtojmë çështjeve etike madhore që lidhen me sektorin e armatimeve. Mundësia e kryerjes së operacioneve ushtarake nëpërmjet sistemeve të kontrollimit nga larg, ka çuar në një perceptim më të vogël të shkatërrimit të shkaktuar prej tyre dhe të përgjegjësisë së përdorimit të tyre, duke kontribuar në një qasje edhe më të ftohtë dhe më të shkëputur ndaj tragjedisë së pamasë së luftës. Hulumtimi mbi teknologjitë në zhvillim në fushën e të ashtuquajturave “sisteme të armëve autonome vdekjeprurëse”, duke përfshirë përdorimin luftarak të inteligjencës artificiale, është një arsye serioze për shqetësim etik. Sistemet e armëve autonome nuk mund të jenë kurrë subjekte moralisht përgjegjëse: aftësia ekskluzive njerëzore për gjykim moral dhe vendimmarrje etike është më shumë se një tërësi komplekse algoritmesh dhe kjo aftësi nuk mund të reduktohet në programimin e një makine, e cila, sado “inteligjente” të jetë, mbetet gjithnjë një makinë. Për këtë arsye, është detyrore të sigurohet një mbikëqyrje njerëzore e përshtatshme, domethënëse dhe koherente e sistemeve të armëve.
Nuk mund të shpërfillim as mundësinë që armët e sofistikuara të bien në duar të gabuara, duke lehtësuar, për shembull, sulme terroriste apo ndërhyrje që synojnë destabilizimin e institucioneve qeverisëse legjitime. Me pak fjalë, bota nuk ka fare nevojë që teknologjitë e reja të kontribuojnë në zhvillimin e padrejtë të tregut dhe tregtisë së armëve, duke nxitur çmendurinë e luftës. Duke vepruar kështu, jo vetëm inteligjenca, por edhe vetë zemra e njeriut, do të rrezikojë të bëhet gjithnjë e më “artificiale”. Aplikacionet teknike më të avancuara nuk duhet të përdoren për të lehtësuar zgjidhjen e dhunshme të konflikteve, por për të shtruar rrugët drejt paqes.
Nga një këndvështrim më pozitiv, nëse inteligjenca artificiale do të përdorej për të promovuar zhvillimin e plotë njerëzor, ajo do të mund të sillte risi të rëndësishme në bujqësi, në arsim dhe kulturë, një përmirësim të nivelit të jetesës së kombeve dhe popujve të tërë, rritje të vëllazërisë njerëzore dhe miqësisë shoqërore. Si përfundim, mënyra me të cilën ne e përdorim atë për të përfshirë të fundmit, domethënë vëllezërit dhe motrat më të dobët dhe më nevojtarë, është masa treguese e njerëzishmërisë sonë.
Një vështrim njerëzor dhe dëshira për një të ardhme më të mirë për botën tonë, çojnë në nevojën për një dialog ndërdisiplinor që synon zhvillimin etik të algoritmeve – algor-etika –, ku vlerat orientojnë rrugëtimet e teknologjive të reja [12]. Çështjet etike duhet të merren parasysh që në fillim të hulumtimit, si dhe në fazat e eksperimentimit, projektimit, prodhimit, shpërndarjes dhe komercializimit. Kjo është qasja e etikës së projektimit, në të cilën institucionet edukative dhe përgjegjësit e procesit vendimmarrës kanë një rol thelbësor për të luajtur.
7. Sfidat për edukimin
Zhvillimi i teknologjisë që respekton dhe i shërben dinjitetit njerëzor ka implikime të qarta për institucionet edukative dhe për botën e kulturës. Duke shumëfishuar mundësitë e komunikimit, teknologjitë dixhitale kanë bërë të mundur takimin në mënyra të reja. Megjithatë, mbetet nevoja për reflektim të vazhdueshëm mbi llojin e marrëdhënieve drejt të cilave ata po na drejtojnë. Të rinjtë po rriten në mjedise kulturore të përshkuara nga teknologjia dhe kjo gjë nuk mund të mos vërë në pikëpyetje metodat e mësimdhënies dhe formimit.
Edukimi për përdorimin e formave të inteligjencës artificiale duhet, mbi të gjitha, të synojë promovimin e të menduarit kritik. Është e nevojshme që përdoruesit e çdo moshe, por veçanërisht të rinjtë, të zhvillojnë aftësinë e dallimit në përdorimin e të dhënave dhe përmbajtjeve të mbledhura në web ose të prodhuara nga sisteme të inteligjencës artificiale. Shkollat, universitetet dhe shoqëritë shkencore janë të thirrura që të ndihmojnë studentët dhe profesionistët për të përvetësuar aspektet sociale dhe etike të zhvillimit dhe përdorimit të teknologjisë.
Formimi për përdorimin e mjeteve të reja të komunikimit duhet të ketë parasysh jo vetëm keqinformimin, fake news, por edhe rëndimin shqetësues të «frikës atavike […] që ka ditur të fshihet dhe të forcohet pas teknologjive të reja» [13]. Fatkeqësisht, edhe një herë, na duhet të luftojmë “tundimin për të krijuar një kulturë muresh, për të ngritur mure për të penguar takimin me kulturat e tjera, me njerëzit e tjerë” [14] dhe zhvillimin e një bashkëjetese paqësore dhe vëllazërore.
8. Sfidat për zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare
Shtrirja globale e inteligjencës artificiale e bën të qartë se, krahas përgjegjësisë së Shteteve sovrane për të rregulluar përdorimin e tyre brenda vendit, Organizatat ndërkombëtare mund të luajnë një rol vendimtar në arritjen e marrëveshjeve shumëpalëshe dhe në koordinimin e aplikimit dhe zbatimit të tyre [15]. Në këtë drejtim, nxis Bashkësinë e kombeve që të punojë e bashkuar për të miratuar një traktat ndërkombëtar detyrues, që rregullon zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në format e saj të shumta. Objektivi i rregullimit, natyrisht, nuk duhet të jetë vetëm parandalimi i praktikave të këqija, por edhe nxitja e praktikave të mira, duke stimuluar qasje të reja dhe kreative dhe duke lehtësuar nisma personale dhe kolektive [16].
Si përfundim, në kërkimin e modeleve normative që mund të ofrojnë një udhëzues etik për zhvilluesit e teknologjive dixhitale, është e domosdoshme të përshquhen vlerat njerëzore që duhet të jenë në themel të angazhimit të shoqërive për të formuluar, miratuar dhe zbatuar kornizat e nevojshme legjislative. Puna e hartimit të udhëzimeve etike për prodhimin e formave të inteligjencës artificiale nuk mund të anashkalojë shqyrtimin e çështjeve më të thella që kanë të bëjnë me domethënien e ekzistencës njerëzore, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, kërkimin e drejtësisë dhe paqes. Ky proces i shoshitjes etike dhe juridike mund të jetë një mundësi e vyer për reflektim të përbashkët mbi rolin që duhet të ketë teknologjia në jetën tonë individuale dhe bashkësiore dhe se si përdorimi i saj mund të kontribuojë në krijimin e një bote më të barabartë dhe më njerëzore. Për këtë arsye, në debatet mbi rregullimin e inteligjencës artificiale, duhet të merren parasysh zërat e të gjitha palëve të interesuara, përfshirë të varfrit, të mënjanuarit dhe të tjerë që shpeshherë mbeten të padëgjuar në proceset vendimmarrëse globale.
Shpresoj që ky reflektim të na inkurajojë në mënyrë që përparimet në zhvillimin e formave të inteligjencës artificiale t’i shërbejnë, në analizë të fundit, kauzës së vëllazërisë njerëzore dhe paqes. Nuk është përgjegjësi e disave, por e mbarë familjes njerëzore. Paqja, në të vërtetë, është fryt i marrëdhënieve që njohin dhe pranojnë tjetrin në dinjitetin e tij të patjetërsueshëm, si dhe i bashkëpunimit dhe i angazhimit në kërkimin e zhvillimit të plotë të të gjithë njerëzve dhe të gjithë popujve.
Lutja ime, në fillim të vitit të ri, është që zhvillimi i shpejtë i formave të inteligjencës artificiale të mos rrisë pabarazitë dhe padrejtësitë e shumta, tashmë të pranishme në botë, por të kontribuojë në ndalimin e luftërave dhe konflikteve dhe në zbutjen e shumë formave të vuajtjeve që mundojnë familjen njerëzore. Besimtarët e krishterë, besimtarët e feve të ndryshme dhe burrat e gratë vullnetmirë bashkëpunofshin në harmoni për të kapur mundësitë dhe për të përballuar sfidat e paraqitura nga revolucioni dixhital dhe për t’u dorëzuar brezave të ardhshëm një botë më solidare, më të drejtë dhe paqësore.
Nga Vatikani, 8 dhjetor 2023
FRANÇESKU