Kjo është pjesëmarrja ime e parë në një Sinod të ipeshkvijve. Emërimi nga vetë Papa Françesku për të marrë pjesë në të, ma shton edhe më shumë përgjegjësinë. Vendimi i parë që mora, sapo më erdhi lajmi për këtë emërim, ishte se do të dëgjoja shumë. Në fakt, fjala “dëgjim” është një ndër fjalët kyçe të këtij Sinodi. Përnjëmend ke shumë se çfarë dëgjon prej pjesëmarrësve nga e gjithë bota, nga të gjitha realitetet dhe përvojat e Kishës katolike latine, asaj lindore dhe vëllezërve të krishterë të deleguar nga kishat e tyre (ortodoksë, ungjillorë, anglikanë, etj.).
Ky Sinod u hap në një mënyrë jo të zakonshme. Pjesëmarrësit ishin të thirrur që ta nisnin rrugëtimin e tyre me një lutje ekumenike në sheshin e shën Pjetrit, të udhëhequr nga vëllezërit e Taizé-së. Më pas, të gjithë u zhvendosëm drejt një vendi të quajtur Sacrofano, rreth gjysmë ore larg nga Roma, ku jemi lutur për tri ditë, të udhëhequr nga meditimet e atë Timothy Radcliffe-s o.p. dhe motër Maria Ignazia Angelini-t. Përgjatë ditës, kishim një kohë për heshtje dhe lutje, si dhe një kohë bashkëndarjeje në grupe sipas një metode të quajtur “bashkëbisedim në Shpirtin Shenjtë”.
U vu re menjëherë një dëshirë për ta dëgjuar njëri-tjetrin, por mbi të gjitha për të dëgjuar se çfarë donte t’iu fliste zemrave dhe mendjeve tona Shpirti Shenjtë. Të dy predikuesit ishin shumë të sintonizuar me Sinodin dhe na ofruan refleksione të thella e nxitëse për ta jetuar Sinodin në një mënyrë sa më të predispozuar.
Ajo që është e veçantë dhe që doli në pah qysh në ditën e parë të punimeve, është fakti se i lihet hapësira e duhur heshtjes dhe meditimit, në mënyrë që çfarë dëgjojmë nga të tjerët të ketë jetë të gjatë brenda nesh dhe të mos jenë vetëm thjesht fjalë që kalojnë. Metoda e bashkëbisedimit në Shpirtin Shenjt është një metodë shumë efikase dhe relaksuese. Nuk lejon nxitimin, por as vonesat. Të ashtuquajturit “lehtësues”, janë të trajnuar mirë që të mbajnë ritmin e momenteve të këtyre bashkëbisedimeve.
Ndër gjërat e bukura të këtij Sinodi të deritashëm, janë takimet e shumta, njohjet me personat që marrin pjesë në Sinod. Gjatë ditëve të tërheqjes shpirtërore, kisha në grupin tim ipeshkvij nga Gjermania, Bjellorusia, Çekia, Italia, Rumania, Irani, Polonia, një teologe laike nga Amerika Latine dhe një motër nga Siria. Në grupin tonë ishte gjithashtu edhe Sekretari i shtetit, Kardinali Parolin, i cili me thjeshtësi mori pjesë në diskutimet tona si njëri prej nesh, pavarësisht se ai ka një peshë të madhe mbi supe dhe ka një vështrim mbi të gjithë Kishën katolike për vetë detyrën që mban.
Në ditën e parë të punimeve, në Aula Nervi, erdhi edhe Ati i Shenjtë, madje e gjetëm aty kur hymë. Kishte ardhur përpara kohës së nisjes së punimeve dhe po përshëndetej me të gjithë pjesëmarrësit. Pata mundësinë që ta përshëndesja edhe unë. Si gjithmonë, ai është shumë spontan dhe i kujdesshëm ndaj atij që ka përpara duke e pyetur e ndonjëherë duke bërë edhe shaka. Kjo prani e tillë e tij na habiti të gjithëve për mirë dhe na la shije familjare e vëllazërore.
Në rrethet e diskutimeve (circoli minori) u diskutua për përvojën që kishin pasur kishat e veçanta përgjatë konsultimeve sinodale në dioqeza dhe në Konferenca ipeshkvore kombëtare e kontinentale përgjatë dy viteve. Diskutimet në këtë fazë ishin të qeta dhe shumë interesante. Temat ishin nga më të ndryshmet dhe kjo doli në pah edhe gjatë relacioneve të grupeve në Kongregacionin e parë të Përgjithshëm. Me siguri ky është vetëm fillimi. Mund të them se sapo janë ndezur motorët e një eventi që është unik në llojin e vet, i pajetuar më parë.
Të bukura janë dhe pauzat, kur takohesh edhe me njerëz të grupeve të tjera dhe pi një kafe me ta apo thjesht bashkëbisedon me ta për t’u njohur më mirë. Klima është shumë miqësore deri tani.
Këtë Sinod e shikoj si një moment historik për Kishën. Ndiej se nuk duhet pasur frikë dhe se sikurse tha Atë Radcliffe gjatë meditimeve të tij, e vetmja frikë është të pasurit frikë. Shpirti Shenjtë vepron bashkë me Atin e me Birin dhe do të na udhëheqë drejt së vërtetës së plotë. Tani kemi edhe tri javë punime përpara, që do të jenë intensive dhe me siguri do të prekin tema të shumta në mënyrë më specifike. Zoti na qoftë ndihmë në këtë rrugëtim së bashku! Amen!