Nga Atë Flavio Cavallini
Çfarë është lectio divina? Çfarë frytesh sjellë për jetën shpirtërore? A mund të praktikohet në jetën e përditshme nga të gjithë dhe në cilën mënyrë?
Me shumë kënaqësi do të paraqesim disa artikuj me anë të të cilëve do të kemi mundësinë të kuptojmë më mirë se çfarë është leximi shpirtëror i Shkrimit Shenjt duke uruar që, me hirin që vjen nga Shpirti Shenjt, ta vëmë në jetë. Lexim të këndshëm…
LECTIO DIVINA E DITËS SË PASHKËVE
Pjesa e dytë
Pasi i pamë kushtet paraprake, tani të lejojmë që të na drejtojë Luka ungjilltar në një lexim hyjnor autentik, të udhëhequr nga vetë Krishti. Bëhet fjalë për ngjarjen e dy dishepujve të Emausit, në mbrëmje të ditës së Pashkëve (Lk 24,13-35):
«Ata (dishepujt) bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje»
Dy dishepujt po merren me ngjarjet e mundimit dhe vdekjes së Jezusit… dhe duket se nuk kishin kuptuar asgjë. Kjo për faktin se ishin kufizuar vetëm në përshtypjet, mendimet dhe fjalët e tyre. Për këtë arsye, leximi që ata i bëjnë historisë, nuk ia arrin kuptimit, pasi është i kushtëzuar brenda horizonteve thjesht njerëzore, ende të pandriçuara nga drita “hyjnore”.
«Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin».
Situata e dy udhëtarëve fillon të ndryshojë kur, në ecjen e tyre, shfaqet një prani e re. Është Jezusi i ngjallur e i pranishëm, por ata dy nuk janë ende gati për ta marrë dritën. Ajo që atyre u mungon është feja e nevojshme për ta njohur, e njëjta që do t’i shërbente atyre për të kuptuar domethënien e vërtetë të ngjarjeve të Pashkëve.
«Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”».
I porsaardhuri vendos të ndërhyjë në bisedë, duke shfaqur habi ndaj asaj që dëgjon. Në pyetjen e tij, ndoshta, fshihet më shumë një qortim i hollë, sesa një dëshirë për të qenë i informuar.
«Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”».
Trishtimi i bllokon hapat e dy dishepujve dhe i pengon ata që të vazhdojnë këtë rrugëtim drejt së vërtetës. Si është e mundur ky i huaj të mos e ketë dëgjuar gjithë atë zhurmë që është bërë mbi këtë ngjarje? Mes njerëzve në qytet ka shumë zhurmë, ndërsa Hyji po vepronte në heshtje.
«Ai i pyeti: “Po çka?”. Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan».
Tregimi i tyre është i saktë, nuk i mungon asgjë, përveç moskuptimit se kush është më të vërtetë Jezusi. Ai që është kryqëzuar, nuk është thjesht profeti trazues që hiqet prej mesit të njerëzve nga “pushtetet e forta”, siç kishte ndodhur shpeshherë. Për këta dishepuj, heshtja e varrit kishte mbytur përfundimisht zërin e atij profeti që kishte sjellë mësime të reja e vepra të jashtëzakonshme.
«Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje».
Një lirim i shumëdëshiruar, por i dështuar. Në ata dy, zhgënjimi është i madh dhe çorientimi është tërësor. Kryengritja, çlirimi, liria … e gjitha u shua brenda tre ditëve. Duket se ka tradhti, por kush është me të vërtetë tradhtari? Pushteti fetar apo ai romak? Juda i korruptuar apo ai Jezusi mposhtur prej ngjarjeve që do ishte dashur t’i shfrytëzonte? Ndoshta pyetja tinëzare kthehet sërish: përse Hyji nuk është treguar në lartësinë e duhur të vetë premtimeve të tij? Në të vërtetë, këtu mund të vërehet një qortim i heshtur dhe blasfemues: “Ne do të kishim vepruar më mirë!”.
«Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë».
As lajmi i parë i grave nuk arriti t’i shkundë prej zhgënjimit të tyre … ndoshta pikërisht pse ishin fjalë grash. Tepër të ndryrë në soditjen e hidhur të planeve të dështuara, ata nuk arrihen nga risia tronditëse e Hyjit që ndryhet në mesazhin: “ai është gjallë”. Megjithëse Jezusi kishte folur për këtë, nuk ata janë të gatshëm të preken nga risia e planit shpëtimtar të Hyjit. Të dy kishin pasur tashmë një plan të tyrin për t’ia arritur çlirimit, dhe në mendjen e tyre nuk ka vend për “planin B”. Zemra e tyre është shumë e ndryshme prej zemrës së Marisë. Ata i kujtojnë faktet, por ende nuk dinë t’i ballafaqojnë me Fjalën.
«Ai u tha».
Më në fund, në të panjohurin, Fjala fillon të zbulohet. Është kjo Fjalë plot me Shpirt, që fillon të hyjë në ato dy zemra të trishtuara nga zhgënjimi dhe të plagosura nga ngjarjet tragjike të ndodhura para syve të tyre.
«O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”. E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjtë për të».
I Ngjalluri tregohet edhe njëherë Mësues dhe fillon ta rigjallërojë kujtesën e dy udhëtarëve, duke hedhur një dritë të re mbi veprën e Hyjit në krejt historinë e shpëtimit. Hap pas hapi, i drejton dy dishepujt që t’i rimarrin profecitë, duke i vënë përballë fakteve të sapondodhura, në mënyrë që edhe ata të dy të mund ta shohin veten pjesë të asaj historie.
«Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”. Dhe hyri që të rrijë me ta».
Tani, pasi Fjala ka ekzorcizuar trishtimin dhe zhgënjimin, dhe stuhia e ndjenjave ka rënë fashë, ata dy fillojnë ta shijojnë Fjalën. Tani ajo që ata dëshirojnë është që të zgjasë më shumë kënaqësia e asaj shoqërie. Pas ditësh errësire, sapo kanë parë pak dritë, e ndoshta kanë frikë se mos e humbasin tepër shpejt. Shqetësohen për të bindur mikun që të qëndrojë me ta. Ai priti që t’i luteshin pak, por jo shumë.
«Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. Atyre iu hapën sytë dhe e njohën…».
Pasi kanë arritur në këtë pikë, fjalët nuk shërbejnë më. Ashtu si në orët e mundimit, miku i mistershëm nuk ka më ç’të thotë. Me një familjaritet të ngrohtë, të tre ata janë ulur përreth një tryeze mbi të cilën është e vendosur një bukë rrumbullake. Në shtëpinë e Emausit, gjestet thonë më shumë sesa fjalët. Gjeste të para edhe herë tjera, gjeste të përsëritura, gjeste të bëra në një mënyre të caktuar, me një stil personal. Pikërisht kështu! Sepse jo të gjithë e marrin në dorë një bukë, duke e ndarë nga lart poshtë me të njëjtën përpikëri. Vetëm ai bënte kështu! Vetëm ai pëshpëriste me atë ritëm të veçantë bekimin e falënderimit duke shikuar lart me gjithë shpirt. Vetëm ai të shikonte në atë mënyrë, ndërsa vendoste mbi pëllëmbën e dorës pjesën e asaj buke. Mënyra e të vepruarit e zbulon atë shumë më tepër sesa mësimet e tij. Ndërsa rrugës fliste me ta, ishte Mësues, ashtu siç kishte qenë kur predikonte në sinagogat e Galilesë. Tani, ndërsa thyen bukën, është Shpëtimtari hyjnor që ofron trupin e tij për shpëtimin e botës. Fjala e dëgjuar përgjatë rrugës, e bashkuar tani me gjestin e tryezës, hapë sytë e dishepujve ndaj besimit, e më në fund e shohin. Është i gjallë! Është ngjallur!
«Por ai u zhduk para syve të tyre».
Pak çaste dhe ai zhduket. A thua, sapo e gjetën, e humbën përsëri? Jo vërtetë! Pamja e shqisave nuk shkon më tej, për t’i lënë përfundimisht vendin pamjes së fesë. Është pikërisht falë Fjalës, e cila bëhet realitet në misterin e Eukaristisë, që ai do të jetë gjithmonë i pranishëm në këtë botë e gjithmonë do të lejojë të gjendet prej njerëzve.
«Atëherë i thanë njëri tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjtë?”».
Mrekullia që çon në njohje të Jezusit është bërë e mundur pasi që Fjala e tij i kishte përgatitur zemrat e dishepujve, duke i ndezur me atë flakë që vetëm për Rrëshajë do të mësojnë ta quajnë Shpirti Shenjt.
«U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën».
Në këtë pikë, dy dishepujt e Emausit nuk mund të ngelin të mbyllur në ngushëllimin e veçantë të asaj shtëpie. Tashmë trishtimi është venitur, e bashkë me të edhe pamundësia për të kuptuar planin e Hyjit të zbuluar në Jezu Krishtin. Nuk u duhet shumë që të vendosin për t’u kthyer përsëri udhës. Kthehen me të shpejtë asaj rruge për të përsëritur bashkë me Pjetrin dhe të tjerët, të ngelur në Jerusalem: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria!”, lajmi i gëzueshëm që tani do të bëhet kuptimi i ekzistencë së tyre.