«Çfarë duhet të ndodhë akoma? Sa gjak duhet të rrjedhë akoma që ta kuptojmë se lufta nuk është kurrë zgjidhje, por vetëm shkatërrim? Në emër të Hyjit dhe në emër të ndjenjës njerëzore që banon në çdo zemër, rinovoj thirrjen time për një armëpushim të menjëhershëm. Le të heshtin armët dhe të kërkohen kushtet për fillimin e negociatave të afta për të çuar drejt zgjidhjeve jo të imponuara me forcë, por të dakordësuara, të drejta dhe të qëndrueshme. Dhe do të jenë të tilla nëse bazohen mbi respektimin e vlerës tejet të shenjtë të jetës njerëzore, të sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo vendi, si dhe të drejtave të pakicave dhe shqetësimeve legjitime»

(Papa Françesku, Angelus 2 tetor 2022).

Takimi me një njeri është gjithmonë një mundësi për rritje shpirtërore; takimi me një njeri të urtë, si Papa Françesku, trondit pozitivisht sferat më intime të ndjenjave tona, arrin të vërë në diskutim pikëpamjet e konsoliduara, na dhuron fragmente të mrekullueshme të së vërtetës.

Në shoqërinë tonë, njohja e fjalës së njeriut të urtë po bëhet një problem i vërtetë: shumë sharlatanë bëjnë garë për të tërhequr vëmendjen tonë, shumë sirena arrijnë të ngatërrojnë pikësynimet tona, shumë profetë të rremë kërcënojnë besimin tonë. Arroganca, shpërdorimi i pozitës, gënjeshtra janë aspekte të një stili që priret të karakterizojë shumicën e marrëdhënieve tona ndërpersonale.

Makiaveli me thënien e tij “qëllimi përligj mjetet” gjen kudo bashkëpunëtorë të gatshëm për të vënë në veprim këtë teoremë të përbuzshme. Njeriu i urtë, nga ana tjetër, është parimi i qetësisë, ai është vala e qetë që përkëdhel butësisht ekzistencën tonë, është vesa që mund të rigjallërojë dhe forcojë shpresën për një qytetërim më të mirë.

Njeriu i urtë parapëlqen tonet e qeta që tregojnë ofertën falas, nuk dëshiron ta shqyejë pëlqimin tonë, zgjedh të mos ushtrojë forcë mbi bindjet tona, propozon me delikatesë dhe përulësi, pret me besim që fara e vogël e mbjellë të arrijë përmbushjen e kushteve të nevojshme për mbirjen dhe rritjen e saj.

Fjala është e sëmurë: është shprehja që i vë një vulë shumë të saktë konstatimit se marrëdhëniet njerëzore tregojnë tashmë shenja shqetësuese regresive, se ajri i ngarkuar me vese qarkullon në shumë dialogë ku oksigjeni i sinqeritetit, i besnikërisë e ka të vështirë të kryejë funksionin e vet jetik.

Fjala është e sëmurë: e vërtetojnë edhe më shumë kronikat e ngjarjeve politike. Ftesat për të ulur tonin fshehin në mënyrë hipokrite dëshirën për të heshtur kundërshtarin; gënjeshtra qarkullon e patrazuar duke përdorur ekrane që janë mjaft transparente për ata që arrijnë të përdorin filtrin e kapacitetit kritik.

Fjala është e sëmurë: në shoqërinë tonë prodhimi i antitrupave, kur nevojitet, është në rënie shqetësuese. Tregtoret që shesin transparencë, pastërti morale, rregull, gjakftohtësi, besnikëri dhe të gjitha kundërhelmet e tjera kundër hipokrizisë, i shohin klientët e tyre duke u pakësuar ndjeshëm. Duket se asnjë agjenci edukative nuk është në gjendje të identifikojë dhe të përshkruajë terapinë e duhur.

Fjala e sëmurë nënshtrohet lehtë dhe bie në vorbullën e pashëndetshme të vulgaritetit. Fjala fyese bëhet erëz, garniturë e gjuhës dhe endet ​​e pakontrolluar, e shtyrë nga era e një koncepti të rremë të lirisë së shprehjes. Shumë kontekste, për fat të keq, përthithin këto ujëra të zeza dhe arrijnë të na përcjellin bindjen se po udhëtojmë drejt përparimit të vërtetë ku, rënia përfundimtare e krejt asaj që ve fre, do të shënonte realizimin tonë të plotë.

Televizioni është protagonisti, mësuesi i dëgjuar që nuk lodhet duke diktuar rregullat që gradualisht heqin krejt shulat e dyerve, duke hequr pengesat për të lehtësuar këtë rënie katastrofike. Pas parullës që thotë “ndalohet të ndalosh”, kortezhi bëhet gjithnjë e më i madh në numër, gjithnjë e më i bindur për të ngritur flamurin e lirisë së vërtetë.

Ta përkujdesësh fjalën do të thotë të krijosh kushte të favorshme për t’i përballuar me besim dhe guxim ato rrugë të përpjeta, të cilat, falë kthesave të sakrificës, altruizmit, forcës për të ecur kundër rrymës, mund të na bëjnë të arrijmë në rrafshinën e hijezuar ku njeriu është në gjendje të interpretojë më mirë rolin e tij si ndërtues i qytetërimit të dashurisë: ëndrra e ndritshme e papa Françeskut.

Le të përpiqemi, pra, për t’i identifikuar njerëzit e urtë që ecin pranë nesh, le të përpiqemi për të zbuluar në fjalët e tyre sekretin, rrugën, treguesin e duhur për ta bërë gjithnjë e më shumë humane ekzistencën tonë.