9.5 C
Tirana
HomeKryesor“Laudate Deum”, thirrja e Papës për t’i dhënë përgjigje krizës klimatike
Kryesor“Laudate Deum”, thirrja e Papës për t’i dhënë përgjigje krizës klimatike

“Laudate Deum”, thirrja e Papës për t’i dhënë përgjigje krizës klimatike

Publikohet nxitja apostolike e Françeskut, e cila saktëson dhe plotëson enciklikën e vitit 2015: nuk po reagojmë sa duhet, jemi afër pikës së moskthimit mbrapsht. Kritika kundër negacionistëve: origjina njerëzore e ngrohjes globale është e padiskutueshme. Impenjimi i kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët buron nga feja e krishterë

Laudate Deum” (Lëvdojeni Zotin): kështu quhet kjo letër. Sepse një qenie njerëzore, që pretendon të zëvendësojë Zotin, bëhet rreziku më i keq për vetveten”. Më këto fjalë mbyllet Nxitja Apostolike e Papës Françesku, botuar më 4 tetor. Tekst në vazhdimësi me enciklikën “Laudato si” të vitit 2015. Në 6 kapituj dhe 73 paragrafë, duke pasur parasysh konferencën mbi klimën COP28, që do të mbahet në Dubai pas dy muajsh, Pasardhësi i Shën Pjetrit ka si qëllim të bëjë thirrje për bashkëpërgjegjësi para emergjencës së ndryshimit klimatik, sepse bota “po shkërmoqet dhe ndoshta po i afrohet një pike moskthimi mbrapsht”. Është një nga “sfidat kryesore me të cilat duhet të përballet shoqëria dhe bashkësia globale”, “pasojat e ndryshimeve klimatike i vuajnë njerëzit më të brishtë” (3).

Shenjat e ndryshimit të klimës janë gjithnjë e më të dukshme

Në kapitullin e parë Papa shpjegon se, sado që përpiqemi ta mohojmë, “shenjat e ndryshimit të klimës janë aty, gjithnjë e më të dukshme”. Ai përmend “dukuri ekstreme, periudha të shpeshta me vapë jonormale, me thatësirë dhe me ankime të tjera nga toka”. Ati i Shenjtë shkruan: “mund të verifikohet se disa ndryshime klimatike të shkaktuara nga njeriu e rrisin ndjeshëm mundësinë e ngjarjeve ekstreme gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive”. Dhe duke folur për ata që minimizojnë, nënvizon: “çka po shohim tani është përshpejtim i pazakontë i ngrohjes globale”. “Ndoshta pas pak vitesh shumë popullsive do t’u duhet të zhvendosin shtëpitë, për shkak të këtyre ngjarjeve” (6).

Nuk është faji i të varfërve

Atyre, që fajësojnë të varfërit se kanë shumë fëmijë e, madje, përpiqen ta zgjidhin problemin “duke gjymtuar gratë e vendeve më pak të zhvilluara”, Françesku u kujton “se një përqindje e ulët, më e pasura e popullsisë botërore, ndot më shumë se 50% e popullsisë më të varfër”. Afrika, e cila “është shtëpia e më se gjysmës së njerëzve më të varfër në botë, është përgjegjëse vetëm për një pjesë të vogël të emetimeve historike” të gazit, që ndot atmosferën (9). Më pas, Papa kundërshton ata, që thonë se përdorimi më i paktë i lëndëve djegëse fosile do të çojë në “uljen e vendeve të punës”. Në të vërtetë, “miliona njerëz e humbasin punën”, për shkak të ndryshimeve klimatike. Ndërsa tranzicioni drejt energjisë së rinovueshme, “i administruar si duhet”, është në gjendje të krijojë vende të panumërta pune në sektorë të ndryshëm. Kjo është arsyeja pse duhet që politikanët dhe sipërmarrësit të merren menjëherë me të” (10).

Origjina e padiskutueshme njerëzore

Origjina njerëzore – “antropike” – e ndryshimeve klimatike nuk mund të vihet më në dyshim”, pohon Françesku. “Përqendrimi i gazeve serrë në atmosferë… gjatë pesëdhjetë viteve të fundit ka pësuar një përshpejtim të fuqishëm” (11). Në të njëjtën kohë, temperatura “është rritur me një shpejtësi të paparë, pa precedent në dy mijë vitet e fundit” (12). Me pasojë acidifikimin e deteve dhe shkrirjen e akullnajave. Përkimi ndërmjet këtyre ngjarjeve dhe rritjes së emetimeve të gazeve serrë “nuk mund të fshihet. Shumica e shkencëtarëve të klimës e mbështesin këtë lidhje dhe vetëm një përqindje e vogël e tyre përpiqet ta mohojë këtë provë”. Për fat të keq, vëren Papa, kriza klimatike nuk është çështje “me interes për fuqitë e mëdha ekonomike, të cilat shqetësohen vetëm për të nxjerrë fitime maksimale me koston më të ulët dhe në kohën më të shkurtër të mundshme” (13).

Paradigma teknokratike: ideja e një njeriu pa kufi

Në kapitullin e dytë Françesku flet për paradigmën teknokratike, e cila na bën të mendojmë “sikur realiteti, e mira dhe e vërteta lulëzojnë spontanisht nga vetë pushteti i teknologjisë dhe i ekonomisë» (20), bazuar në idenë e një njeriu pa kufi. “Asnjëherë njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë pushtet mbi vetveten dhe asgjë nuk garanton se do ta përdorë atë mirë, veçanërisht nëse keni parasysh mënyrën e përdorimit… Është tmerrësisht e rrezikshme, që ky pushtet është në dorë të një pjese të vogël të njerëzimit” ( 23). Papa rithekson se “bota rreth nesh nuk është objekt shfrytëzimi, përdorimi të shfrenuar, ambicieje të pakufizuar” (25). Kujton edhe se ne bëjmë pjesë në natyrë dhe «kjo e përjashton idenë se njeriu është i huaj, një faktor i jashtëm i aftë vetëm për ta dëmtuar ambientin (26).

Dekadenca etike e pushtetit: marketingu dhe informacioni i rremë

Kemi bërë «përparime teknologjike mbresëlënëse dhe mahnitëse, por nuk e kuptojmë se në të njëjtën kohë jemi bërë shumë të rrezikshëm, të aftë për të vënë në rrezik jetën e shumë qenieve dhe mbijetesën tonë» (28). “Dekadenca etike e pushtetit real maskohet nga marketingu dhe informacioni i rremë, mekanizma të dobishëm në duart e njerëzve me mundësi më të mëdha për të ndikuar në opinionin publik”. “Të magjepsur nga premtimet e kaq shumë profetëve të rremë, vetë të varfërit, nganjëherë, mashtrohen nga një botë, që nuk është ndërtuar për ta” (31). Kemi “mbizotërimin e atyre, që kanë lindur me kushte më të mira për zhvillim” (32).

Politika e dobët ndërkombëtare

Në kapitullin tjetër të Nxitjes apostolike, Papa trajton temën e dobësisë së politikës ndërkombëtare, duke ngulur këmbë në nevojën për të favorizuar «marrëveshjet shumëpalëshe ndërmjet shteteve» (34). Ai bën thirrje për “organizata botërore më të frytshme, të pajisura me autoritet për të siguruar të mirën e përbashkët globale”. Këto organizata «duhet të pajisen me autoritet të vërtetë për të ‘siguruar’ realizimin e disa objektivave, nga të cilët nuk mund të heqim dorë» (35). Françesku shpreh keqardhje për faktin se “krizat globale nuk shfrytëzohen siç duhet”, siç ndodhi me krizën financiare të viteve 2007-2009 dhe me pandeminë, të cilat kanë sjellë “individualizëm më të madh, më pak integrim, më shumë liri për të pushtetshmit e vërtetë, të cilët gjithmonë gjejnë një mënyrë për të dalë të padëmtuar” (36). Sfida e sotme është të rikrijohet një multilateralizëm i ri “në dritën e situatës së re globale” (37), duke pranuar se shumë shoqata dhe organizata të shoqërisë civile ndihmojnë për të kompensuar dobësitë e bashkësisë ndërkombëtare.

Të kota, institucionet që mbrojnë më të fortët

Françesku propozon “një multilateralizëm ‘nga poshtë’ dhe jo thjesht të vendosur nga elitat e pushtetit” (38). Kujton se nevojitet “një kuadër i ndryshëm për një bashkëpunim më të frytshëm”, për të “reaguar me mekanizma globale” me “rregulla universale dhe efikase” (42). Prandaj, na duhet “një lloj ‘demokratizimi’ më i madh në sferën globale… Nuk ka më kuptim të mbështeten institucione, që mbrojnë të drejtat e më të fortëve, pa u marrë me të drejtat e të gjithëve”. (43)

Çfarë pritet nga konferenca për klimën në Dubai?

Në kapitullin vijues, duke pasur parasysh konferencën për klimën COP28, që do të mbahet në Dubai, Papa shkruan: «Nuk mund të heqim dorë nga ëndrra që COP28 të çojë në përshpejtimin vendimtar të tranzicionit energjitik, me impenjime të frytshme, që mund të mbikqyren përherë. Kjo Konferencë mund të jetë pikë kthese” (54). Fatkeqësisht, “tranzicioni i nevojshëm drejt energjive të pastra… nuk po ecën aq shpejt sa duhet” (55).

Mos u tallni me çështjen e ambientit

Ati i Shenjtë bën thirrje për t’i dhënë fund “talljes së papërgjegjshme” të atyre, që nuk e marrin seriozisht çështjen e ambientit, për interesa ekonomike: është fjala për “një problem njerëzor dhe shoqëror, në kuptimin e gjerë dhe në nivele të ndryshme. Kërkon përfshirjen e të gjithëve”. Lidhur me protestat e grupeve të radikalizuara, Papa thekson se “ato zënë vendin e mbetur bosh në shoqëri”, sepse do t’i takonte “çdo familjeje të mendojë se është në rrezik e ardhmja e fëmijëve” (58) dhe të ushtrojë presion për të bërë diçka në këtë drejtim. Françesku shpreson që nga COP28 të dalin “forma dtë detyrueshme për tranzicionin energjitik”, të cilat të jenë të frytshme dhe “lehtësisht të kontrollueshme” (59). “Shpresojmë që pjesëmarrësit të jenë strategë të aftë të mendojnë për të mirën e përbashkët dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, në vend të interesave të veçanta të ndonjë vendi apo kompanie. Në këtë mënyrë, shpresojmë se do të dëshmojnë fisnikërinë e politikës dhe jo turpin e saj” (60).

Impenjim, që buron nga besimi i krishterë

Së fundi, Papa kujton arsyet për këtë impenjim, që lindin nga feja e krishterë, duke i inkurajuar “vëllezërit dhe motrat e feve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë” (61). “Botëkuptimi judeo-kristian mbështet vlerën e veçantë dhe qendrore të qenies njerëzore në mes të koncertit të mrekullueshëm të të gjitha qenieve… formojmë një lloj familje universale, një bashkësi sublime, e cila na shtyn drejt respektit të shenjtë, plot dashuri dhe përvujtëri” (67). “Ky nuk është produkt i vullnetit tonë…sepse Zoti na ka bashkuar vërtet ngushtë me botën përreth nesh” (68). Ajo që ka rëndësi, shkruan Françesku, është të kujtojmë se “nuk ka ndryshime të qëndrueshme pa ndryshime kulturore… dhe nuk ka ndryshime kulturore pa ndryshime tek njerëzit” (70). “Përpjekjet e familjeve për të ndotur më pak, për të reduktuar shpërdorimet dhe për të konsumuar me mençuri po krijojnë një kulturë të re” (71). Papa përfundon duke kujtuar se “emetimet për frymë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë afërsisht dyfishi i atyre të një banori të Kinës dhe afërsisht shtatë herë më të mëdha se mesatarja e vendeve më të varfra”. E thekson se «ndryshimi i stilit të jetës së papërgjegjshme, që lidhet me modelin perëndimor, do të kishte një ndikim të rëndësishëm afatgjatë. Kështu, me vendime të domosdoshme politike, do të ndërmerrnim rrugën e kujdesit të ndërsjellë” (72).

spot_img

Te fundit

spot_img