13.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-Durrës15 vite Ipeshkëv në shërbim të më të varfërve
HomeArqidioqeza Tiranë-Durrës15 vite Ipeshkëv në shërbim të më të varfërve

15 vite Ipeshkëv në shërbim të më të varfërve

Nga Elidon DODAJ

Nëse fama e tij do të kishte qenë e dukshme, ose mediat ta kishin ndjekur nga pas do të ishim habitur që të gjithë për zemërgjërësinë (bujarinë) e madhe që del nga zemra e një personi që shumica e njerëzve e kanë njohur nga media për kritikat kontruktive, mesazhet e forta e ndonjëherë qëmtuese drejtuar politikës dhe mbarë popullit. Po ju shkruaj për një prift katolik, ipeshkëv, sot Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë–Durrësit, një at’ që do ta donin të gjithë ta njihnin nga afër. Këto fjalë dëgjon gjithmonë pasi miqtë, të njohur e të panjohur takohen me të. Imzot George Frendo, apo padër Gjergji siç shumë besimtarë, por jo vetëm e thërrasin kudo – besoj se e ka dëgjuar zërin e Zotit dhe bindjen ndaj Kishës kur ka zgjedhur që një pjesë të jetës së tij t’ia kushtoj Kishës Katolike në Shqipëri, e pikërisht Arqidioqezës Tiranë – Durrës. Në kujtimet e shkrimet e tija, na tregon se si erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe as e kishte menduar se do gjente një Shqipëri që kishte dëgjuar. Por, pas asaj vizite të parë, dominikani i veshur me zhgunin e tij të bardhë, që shpesh qytetarët teksa ecte rrugës kanë ndalur e kanë mënduar se mos është vetë Papa, do të prekte çdo skaj të Durrësit nëpër këneta e deri në bregdet, duke vizituar familje për familje, duke u bërë një anëtar i tyre, për nga thjeshtësia që e karakterizon edhe sot e kësaj dite si një nga prelatët më të lartë të katolicizmit në vend.

Ju ka hasur ndonjëherë të jeni duke lexuar libra, duke dëgjuar muzikë apo parë ndonjë film, ku batutat dhe thëniet epope zënë vend për tu përqendruar, të tilla janë predikimet, homelitë, fjalimet, bashkëbisedimet e Imzot Frendos, në kremtime fetare, takime zyrtare, mbledhje e konferenca. Ai përtej bagazhit prej një intelektuali, dëshiron që edhe më i fundit ta kuptoj. Ndonjëherë thëniet e mënçura që përdor duken tepër të vështira sidomos për një pjesë të madhe, por ai i laton mirë fjalët e mesazhet që pak, shumë pak njerëz kanë guxuar e guxojnë të flasin në shoqërinë tonë.

Gjatë një intervistë teksa përgatitej për t’u shprehur rreth pyetjeve, dëshiron nga gazetarja që pyetjet të jenë sa më të qarta, sepse ai dëshiron që edhe përgjigjet të jenë të tilla. Unë jam bari i grigjës së Zotit, shpall Lajmin e Mirë, nuk jam politikan – ne lutemi që politikanët të dëgjojnë zërin e popullit, i cili u ka besuar votën e ato të jenë zëri i tyre dhe vetëm kështu populli ynë shqiptar do të përparoj. E akoma pa nisur mirë intervista, mes rutinës së tij, skrivania përplotë libra, laptopi ndezur duke shkruar e duke iu përgjigjur çdo e-mail, celulari që nuk pushon; nuk dëshiron të lërë asnjë pa përgjigje. I hapur, po po një ipeshkëv, që pret çdo ditë në zyrën e tij dhjetra njerëz të të gjitha shtresave e besimeve dhe asnjëherë refuzues për askënd, i degjueshëm dhe këshillues. Pyetjes së kur do pushosh, përgjigja e tij është e gatshme: kur të vdes!

Që prej tre vitesh Imzot George Frendo tashmë është shtetas shqiptar, por edhe pa qenë i tillë, ai që prej ditës së parë që shkeli tokën tonë e ka konsideruar veten si në familje, sepse shpesh kujton se edhe ai vjen nga një familje e madhe, po si jo e varfër sidomos gjatë fëmijërisë së tij, ku shumë shpejt ngelet jetim dhe peripecitë nuk kishin fund derisa arriti të arsimohej. Në kohën kur ai lindi e disa vite me radhë jetoj po të njëjtat vështirësi që pjesa më e madhe e familjeve shqiptare ka kaluar – e për Imzot Frendon, varfëria më e madhe sot është zbrazja e Shqipërisë. Ishte viti 1997, ku të gjithë dëshironin të iknin, të largoheshin njëherë e mirë nga Shqipëria, ai së bashku me bashkëvëllezërit e tij dominikan, zgjedhin të zbresin në Durrës, pikërisht për tu shërbyer besimtarëve që kishin zbritur asokohe kryesisht nga malet e thella të Mirditës, e krejt veriut. Për banorët e kësaj zone padre Gjergji, u bë babai jo vetëm shpirtëror, por edhe ai që u ndryshoj jetën të gjithëve. I vetëm me vëllëzërit e tij dominikan punuan aq shumë që familjet e periferisë së Durrësit të fitonin dinjitetin që po zvenitej në atë kënetë. I dashuruar pas studimeve që në fëmijëri, kurrë nuk pushoj duke kërkuar tek miqtë e tij që tu mundësohej të rinjve nga familjet në nevojë studimet, që ato një ditë të jenë të zotët e vetës, komunitetit dhe vendit. Gjë të cilën Imzot Frendo e bën edhe sot e kësaj dite si Arqipeshkëv në ndihmë të studentëve të arqidioqezes së tij. Për të dioqeza është familja e tij, pa ta ai ndjehet i humbur e larg tyre.  

Në përvjetorin e tij të 50-të si prift, pas një kohë të gjatë iu rikthye lexuesve me nje libër me përmbledhje duke e titulluar “Bisedoj me miqtë e mi”. Imzot Frendo në fjalën e tij të parë si ipeshkëv u drejtohet popullit: “Të jëm ipeshkëv nuk do të thotë të kem një karrierë, një punë, një profesion, por është një mundësi e re për t’i shërbyer Zotit dhe popullit sipas gjurmëve të Krishtit”. Pas 15 vitesh ai vijon ta ketë si lajmotiv këtë fjalë së bashku me moton e tij “Bariu dëgjoftë zërin e deleve”, ashtu i urtë duke kërkuar për çdo dele të humbur, e cila dëshiron të kthehet sërish atje ku ka nisur udhëtimin.

I dashur nga të gjithë, por aq i dashur edhe nga bashkëvëllezërit e tij të krishterë, ortodoksët, ungjillorët, po aq i dashur edhe nga myslimanët e bektashinjtë, shumë i dëgjueshëm edhe nga ata që besojnë apo jo, ateist apo teist, të gjithë të vëmendshëm për të dëgjuar nga urtësitë e tija. I zgjedhur përgjatë këtyre viteve si kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, ai nuk i ka ndalur asnjeherë kritikat, por edhe vlerësimet në të mirë të popullit e të vendit tonë Shqipërisë. “Kishat tona janë të mbushura plotë me të rinjë” – shprehet shpesh Imzot Frendo. Nuk e ka thjesht tek Kisha Katolike, e ka tek populli ynë shqiptar, i cili është një popull i ri, e ai ka njëfarë frike kur e thotë këtë sepse gjithmonë sheh se si kjo rini çdo ditë e më shumë po zgjedh largimin, emigracionin si zgjidhje të vetme. Ai shtron pyetje të fuqishme drejtuar shoqërisë sonë: “Kush kujdeset për të varfrit… punëtorët?” Na kujtoj se: kur do të bëhet një protesta kundër korrupsionit…, apo në mbrotje të të varfërve… kush e vret mendjen për të varfrit? Kujt i bëhët vonë? Imzot Frendo, e njeh shumë mirë realitetin tonë ai di të të tregoj se si varfëria ka kapluar shumë familje. Madje duke na kujtuar se si familja shqiptare rropatet për të paguar çmime astronomike për qirat, afrofet e ujit, e dritave… Janë të panumërta çështjet që ai dëshiron e ngre zërin çdo ditë duke iu drejtuar atyre që janë zgjedhur, “nga të cilët varet e ardhmja e shumë njerëzve të mjerë”. “E nëse je i varfër? Kujt i bëhet vonë?! “Nuk është puna ime” të përgjigjen. “Xhepi im nuk ka miq!” ashtu i ka thënë një kirurg një pacienti të varfër – shkruan Imzot Frendo në librin e tij.

Faleminderit Imzot Frendo, që në këto 15 vite ipeshkëv i ke shërbyer jo vetëm Kishës Katolike në Shqipëri, por gjithë vendit tonë duke ngritur zërin tuaj, zërin e atyrë që janë pa zë, që një ditë më ndihmën e Zotit, të kthehet dinjiteti që i takon secilin në shoqërinë tonë shqiptare. Si thotë urimi i moçëm shqiptar: Zoti të rrit pushtetit, e paç bekimet e Tij!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme