Mesazhi i Ipeshkvit të Lezhës, Imzot Ottavio Vitale me rastin e Krishtlindjes!
“Zoti është drita dhe shpëtimi im”, ose “Ti je drita ime”, është një prej thirrjeve të Psalmit 27, ajo drita që e mbush skenën e adhurimit të barinjve.
Kur barinjtë, ndërsa e kalonin natën jashtë për të ruajtur grigjën e tyre, u habitën nga lajmi i shëlbimit dhe shpejt u mbështollën me dritë, që vinte nga një fëmijë i mbështjellë me pelena dhe i vendosur në një grazhd.
Përpara këtij spektakli, barinjtë u gjunjëzuan, duke lejuar që të ktheheshin në lajmëtarë të parë të asaj drite që e mund çdo errësirë të vdekjes.
Edhe Ungjilli sipas Gjonit thotë: “drita e shndriti terrin dhe terri nuk e mundi”. Është një fjalë e jashtëzakonshme shprese!
“Drita shndrit në errësirë“. Kur jemi në errësirë, me të drejtë që kemi frikë: sepse nuk shohim, nuk dimë gjë… Errësira paralizon, gati e fik jetën. I fsheh vështirësitë dhe rreziqet, por nuk i zhduk e kështu që këto bëjnë edhe më shumë dëme.
Errësira i fsheh gjërat e bukura, ngjyrat, fytyrat. Madje ne bëhemi të paaftë për t’i parë dhe për t’i shijuar dhuratat e jetës!
Mirëpo, ne nuk duam që të shtypemi nga errësira. Mjafton një flakë e vogël, që e mbart secili në zemër, për ta rindezur besimin dhe shpresën.
E gjithë kjo ‘mbaron’ dhe rilind kur në errësirë ndizet një dritë. Mjafton një dritëz, sado e vogël, për ta mundur errësirën. Ungjilltari në fakt thotë: “dhe errësira nuk e mundi”!
Ja, kjo është Krishtlindja: një dritë u ndez në historinë e njerëzimit. Është një dritë e vogël, një foshnje, pasi Hyji vepron gjithmonë kështu… në përvujtëri, në heshtje, në vogëlsi.
“Erdhi në botë drita e vërtetë, ajo që e ndriçon çdo njeri”. Është e bukur edhe kjo fjalë. Kur drita ndizet, ajo e ndriçon fytyrën tonë, ndërsa ne e shohim. Kështu siç e ndriçon fytyrën e kujtdo që i rri afër. Drita shtohet mbi fytyrën e njeriut.
E madje, me realizëm të madh, Ungjilli shton: “erdhi në mesin e të vetëve, dhe të vetët nuk e pranuan”. Drita na ndriçon, është më e fortë se errësira jonë, edhe pse në të nuk ka asnjë fuqi ‘magjike’.
Fytyra jonë ndriçohet, por ne nuk mund ta mbulojmë. Nuk mund ta fikim këtë dritë, por kemi fuqinë që t’i afrohemi dritës ose t’i largohemi asaj, të biem sërish në errësirë. Dhurata e dritës, që është dhurata e hirit të Jezusit, e kërkon gjithmonë “po”-në e lirisë sonë.
Përpara misterit të Krishtlindjes, Gjoni Ungjilltar thotë me fjalë të mrekullueshme, ndoshta më të bukurat e krejt Ungjillit, se kush është kjo dritë: “e Fjala u bë njeri dhe erdhi të banojë në mesin tonë”.
Fjala e përjetshme e Hyjit u bë njeri (mish), hyri në histori, e ndezi me veten e vet dhe na e hapi një shpresë, përtej konflikteve tona, përtej mjerimit tonë.
E atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Si duhet t’i përgjigjemi kësaj drite hiri?
Ungjilli sugjeron vetëm një hap të vogël: ta pranojmë dritën e Jezusit, të bëjmë që të shkëlqejë mbi fytyrën tonë, që nuk është të bëjmë gjëra të pamundura. Jezusi, që na e sjell shpresën e vet, na kërkon që të jemi burra dhe gra të shpresës.
Le të jetë kjo Krishtlindje e Zotërisë Jezusi një arsye shprese për ne. Nga zemra jonë, daltë lutja e fesë “Ti je drita ime”! Dhe nata që e mbart me vete frikën, vetminë, humbjen e drejtimit, të mposhtet nga ajo foshnje që lindi për ne, gjithmonë në kërkim të plotësisë së jetës, të lumturisë dhe të dashurisë.
Dhe ashtu si barinjtë, të mos ngurrojmë t’ia tregojmë të tjerëve bukurinë e një jete të mbështjellë nga kjo dritë. Të mos turpërohemi nga feja jonë. Ta bëjmë këtë gjë, ditë pas dite, përmes zgjedhjeve guximtare dhe konkrete.
E atëherë, çdo ditë do të jetë Krishtlindje dhe do të mund t’i dhurojmë dritë kujtdo që është në terrin e natës.
Shumë burra e gra e kanë jetuar përpara nesh këtë gjë dhe na ftojnë sërish që ta jetojmë siç ka bërë e Shenjtja Nënë Tereza e Kalkutës përmes fjalëve të lutjes, që ju ftoj të gjithëve ta dëgjoni:
Është Krishtlindje sa herë që i buzëqesh një vëllai dhe ia shtrin dorën.
Është Krishtlindje sa herë që qëndron në heshtje për ta dëgjuar tjetrin.
Është Krishtlindje sa herë që nuk i pranon ato parime që i mbajnë të lidhur të shtypurit në qoshet e shoqërisë.
Është Krishtlindje sa herë që shpreson me ata që dëshpërohen në varfërinë trupore e shpirtërore.
Është Krishtlindje sa herë që i njeh me përvujtëri kufizimet e tua dhe dobësinë tënde.
Është Krishtlindje sa herë që e lejon Zotin që të lindë sërish për t’ia dhuruar Atë të tjerëve.
Me anë të kësaj lutjeje, ju drejtoj të gjithëve ju dhe të gjitha familjeve urimet e mia më të mira për një Krishtlindje sa më të gëzuar.
ⴕ At. Ottavio Vitale, rcj