9.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësViti Injacian 2021 – 2022
HomeJeta e KishësViti Injacian 2021 – 2022

Viti Injacian 2021 – 2022

Atë Zef Bisha

Po të mos kishte qenë për një gjyle që qëlloi Injigon Lopez de Azpeitia më 20 may 1521, a do ta kishim pasur shën Injacin e Loyolës?

Këtë nuk mund ta dimë. Gjithsesi në datën që kemi shkruar sipër, ky kavalier i oborrit të Dukës së Navarrës ra në tokë në Pamplonë, në Spanjë, jo larg nga kufiri me Francën, i goditur nga armiqtë dhe rrezikoi seriozisht ta humbte jetën. Por nuk vdiq. Përkundrazi gjatë një periudhe në shtrat, ndërsa rikuperohej nga plaga e fortë që kishte pësuar, ai që do të jetë Shën Injaci i Loyolës filloi të lexonte jetën e Krishtit dhe të shenjtërve, ku ai gjente një alternativë të besueshme më të mirë se ëndrra mondane që kishte kultivuar deri në atë moment.

Zbuloi më mirë Jezusin dhe brendësinë e shpirtit të vet, duke i bërë hapat e para në botën e shqyrtimit shpirtëror që një ditë do t’ua tregonte njerëzve që do të takonte. Mori edhe vendimin të shkonte në Jeruzalem duke u ushqyer vetëm me bar e të praktikonte të gjitha zakonet e thjeshta për t’i imituar shenjtërit.

Ishte viti 1521, viti i kthimit të Shën Injacit.

Dhe sot, meqë kanë kaluar 500 vite, Shoqëria e Jezusit nuk mund të mos kujtojë këtë përvjetor: kështu Jezuitët kremtojnë vitin Injacian.
Ky vit do të zgjasë 14 muaj, që nga 20 maj 2021, data e plagës së kavalierit të përmendur gjatë betejës së Pamplonës, deri në 31 korrik 2022, festa e shën Injacit sipas kalendarit liturgjik. Sipas atë Arturo Sosës, atë i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, dëshira e tij është “që në zemrën e këtij Viti Injacian të mund të ndjejmë Zotin që na thërret dhe t’i lejojmë të punojë për kthimin tonë, të frymëzuar nga eksperienca personale e Injacit”.

Dhe slogani i këtij viti sipas atë Sosës është “të shohësh gjithçka të re në Krishtin”.

Cilat janë propozimet e Shoqërisë së Jezusit në botë gjatë këtij viti?

Një lutje e drejtpërdrejtë “drita Shprese” e parashikuar të martën me 29 qershor në orën 20:00 në këtë adresë: https://www.youtube.com/watch?v=mmlfGRsugVA

Konferenca akademike dhe dokumentare rreth përshpirtërisë injaciane dhe kuptimit të kthimit, lojëra për të kuptuar në mënyrë argëtuese historinë e Jezuitëve, udhëzime për lutjen, takime të familjes injaciane, konkurs fotografik për të vlerësuar misionin e Jezuitëve në botë dhe shumë nisma të tjera…

Në Shqipëri po përgatitet hapja e procesit të lumturimit të atë Anton Lulit, një edicion i ri i “Autobiografisë” së Shën Injacit, një botim i jetës së Shën Françesk Saverit, publikimi i historisë së Jezuitëve në Shqipëri që nga fillimi e deri në ditët e sotme dhe një shtegtim për të rinjtë nga Tamara deri në Shkodër në fund të korrikut për të njohur eksperiencën e jetës së Shën Injacit. 

Dhe Selia e Shenjtë fal ndjesën e plotë për të gjithë ata që gjatë këtij viti do të shkojnë në një kishë të Shoqërisë së Jezusit, do të kremtojnë Eukaristinë dhe sakramentin e Pajtimit dhe do të luten sipas qëllimeve të Papës.  

Në faqen https://ignatius500.global mund të shihen të gjitha nismat të përditësuar.

AMDG

Atë Zef Bisha

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme