PAPA FRANÇESKU
AUDIENCË E PËRGJITHSHME
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!
Sot do të flas për virtytin e katërt e të fundit kardinal: vetëpërmbajtja. Bashkë me tre të tjerët, ky virtyt ndan një histori që shkon shumë prapa në kohë dhe nuk u përket vetëm të krishterëve. Për grekët, praktika e virtyteve kishte si objektiv lumturinë. Filozofi Aristoteli e ka shkruar traktatin e tij më të rëndësishëm mbi etikën, duke ia drejtuar djalit të vet Nikomakut, për ta mësuar atë në artin e të jetuarit. Pse të gjithë e kërkojmë lumturinë, e megjithatë janë kaq pak ata që e arrijnë atë? Kjo është pyetja. Për t’iu përgjigjur kësaj, Aristoteli trajton temën e virtyteve, ndër të cilat një vend të rëndësishëm zë enkráteia, domethënë vetëpërmbajtja. Termi grek, fjalë për fjalë, do të thotë “pushtet mbi vetveten”. Vetëpërmbajtja është një pushtet mbi vetveten. Prandaj, ky virtyt është aftësia për vetëzotërim, arti i për të mos u sunduar nga pasionet rebele, arti për të vendosur rregull në atë që Manzoni e quan “pështjellimi i zemrës njerëzore”.
Katekizmi i Kishës Katolike na thotë se «vetëpërmbajtja është virtyti moral që frenon forcën tërheqëse të qejfeve dhe e bën njeriun të aftë për të mbajtur ekuilibër në përdorimin e të mirave të krijuara». «Ajo – vijon Katekizmi – siguron sundimin e vullnetit mbi instinktet dhe mban dëshirat brenda caqeve të ndershmërisë. Njeriu i vetëpërmbajtur drejton kah e mira epshet e veta ndijore, ruan një pleqërim të shëndoshë dhe nuk ndjek instinktin e vet dhe forcën e vet për të ecur në dëshirime të zemrës së vet» (nr. 1809).
Kësisoj, vetëpërmbajtja, siç e thotë fjala italiane, është virtyti i masës së duhur. Në çdo situatë, sillet me urti, sepse njerëzit që veprojnë të shtyrë kurdoherë nga vrulli ose zdërhallja, në fund të fundit nuk janë të besueshëm. Njerëzit pa vetëpërmbajtje janë gjithmonë jo të besueshëm. Në një botë ku kaq shumë njerëz krenohen duke thënë atë që mendojnë, personi i vetëpërmbajtur parapëlqen ta mendojë atë që thotë. E kuptoni ndryshimin? Të mos them atë që më kalon nëpër mendje, ashtu… Jo, por të mendoj për atë që duhet të them. Nuk bën premtime kuturu, por merr angazhime në masën që mund t’i përmbushë ato.
Edhe me kënaqësitë, personi i vetëpërmbajtur vepron me maturi. Rrjedha e lirë e impulseve dhe lejimi total që u jepet qejfeve përfundon duke u kthyer kundër vetvetes, duke na zhytur në një gjendje mërzie. Sa njerëz që kanë dashur të provojnë gjithçka me pangopësi e kanë gjetur veten duke humbur shijen për çdo gjë! Më mirë atëherë të kërkohet masa e duhur: për shembull, për të vlerësuar një verë të mirë, është më mirë ta shijoni me gllënjka të vogla sesa ta kapërdini të gjithën përnjëherë. Të gjithë e dimë këtë gjë.
Personi i vetëpërmbajtur di të peshojë dhe t’i masë mirë fjalët. Mendon për atë që thotë. Ai nuk lejon që një moment zemërimi t’ia prishë marrëdhëniet dhe miqësitë të cilat kërkojnë mundim për t’u rindërtuar. Sidomos në jetën familjare, ku frenimet ulen, të gjithë rrezikojmë të mos mbajmë nën kontroll tensionet, irritimet dhe zemërimet. Ka një kohë për të folur dhe një kohë për të heshtur, por të dyja kërkojnë masën e duhur. Dhe kjo vlen për shumë gjëra, për shembull të jesh me të tjerët dhe të jesh vetëm.
Nëse personi i vetëpërmbajtur di ta kontrollojë gjaknxehtësinë e vet, kjo nuk do të thotë që ne do ta shohim atë gjithmonë me një fytyrë të qetë e të qeshur. Në fakt, ndonjëherë është e nevojshme të indinjohemi, por gjithmonë në mënyrën e duhur. Këto janë fjalët: masa e duhur, mënyra e duhur. Një fjalë qortimi ndonjëherë është më e shëndetshme se një heshtje e vrazhdë e me inat. Personi i vetëpërmbajtur e di se s’ka asgjë më të parehatshme se të korrigjosh një tjetër, por ai e di gjithashtu se është e nevojshme: përndryshe do t’i lihej të keqes fushë e lirë. Në raste të caktuara, personi i vetëpërmbajtur arrin t’i mbajë ekstremet së bashku: pohon parimet absolute, ngulmon në vlerat e panegociueshme, por gjithashtu di t’i kuptojë njerëzit dhe tregon ndjeshmëri për ta. Vihet në vendin e tyre.
Prandaj, dhurata e personit të vetëpërmbajtur është ekuilibri, një cilësi sa e çmuar aq edhe e rrallë. Njëmend, gjithçka në botën tonë na shtyn drejt teprisë. Ndërsa vetëpërmbajtja shkon mirë përkrah qëndrimeve ungjillore si vogëlsia, përkora, fshehja, butësia. Kush është i vetëpërmbajtur çmon vlerësimin e të tjerëve, por nuk e bën këtë gjë kriterin e vetëm të çdo veprimi dhe çdo fjale. Është i ndjeshëm, di të qajë dhe nuk i vjen turp, por nuk qan mbi vetveten. Si i mundur, ai ngrihet përsëri; si fitimtar, ai është në gjendje të kthehet në jetën e tij të zakonshme të fshehur. Nuk kërkon duartrokitje, por e di se ka nevojë për të tjerët.
Vëllezër e motra, nuk është e vërtetë që vetëpërmbajtja ju bën njerëz gri dhe pa gëzim. Përkundrazi, na bën t’i shijojmë më mirë të mirat e jetës: të qenit së bashku në tryezë, ngrohtësinë e miqësive të caktuara, mirëbesimin te njerëzit e urtë, mahnitjen para bukurisë së krijimit. Lumturia me vetëpërmbajtje është hare që lulëzon në zemrat e atyre që njohin dhe vlerësojnë atë që vlen më shumë në jetë. Le t’i lutemi Zotit që të na e japë këtë dhuratë: dhuratën e maturisë, të maturisë së moshës, të maturisë afektive, të maturisë shoqërore. Dhuratën e vetëpërmbajtjes.