6.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Trishtimi
HomeKISHVeset dhe virtytet. Trishtimi

Veset dhe virtytet. Trishtimi

Katekezë 7.

PAPA FRANÇESKU
AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Në itinerarin tonë të katekezave mbi veset dhe virtytet, sot ndalemi te një ves mjaft i shëmtuar, trishtimi, i kuptuar ky si një ligështim i shpirtit, një mundim i vazhdueshëm që e pengon njeriun të ndiejë gëzim në ekzistencën e tij.

Para së gjithash, duhet theksuar se, në lidhje me trishtimin, Etërit kishin zhvilluar një dallim të rëndësishëm. Njëmend, ka një trishtim të dobishëm për jetën e krishterë e që me hirin e Hyjit shndërrohet në gëzim: ky, padyshim, nuk duhet refuzuar dhe është pjesë e ecjes së kthimit. Por ka edhe një lloj të dytë trishtimi që futet ngadalë në shpirt dhe e përul atë në një gjendje ligështie: ky është lloji i dytë i trishtimit që duhet luftuar me vendosmëri e me gjithë forcën, sepse vjen nga i Ligu. Këtë dallim e gjejmë edhe te shën Pali, i cili, duke u shkruar Korintianëve, thotë kështu: «Trishtimi sipas Hyjit prodhon kthimin që sjell shëlbimin e nuk tërhiqet më prapa; kurse trishtimi sipas shekullit, sjell vdekjen» (2 Kor 7,10).

Kësisoj, ekziston një trishtim miqësor, i cili na çon drejt shpëtimit. Le të mendojmë për birin plangprishës të shëmbëlltyrës: kur ai prek fundin e zvetënimit të tij, ndjen hidhërim të madh dhe kjo e shtyn atë të kthehet në vetvete e të vendosë për t’u kthyer në shtëpinë e të atit (krh. Lk 15,11-20). Është një hir kur rënkojmë mbi mëkatet tona, kur kujtojmë gjendjen e hirit nga ku kemi rënë, kur qajmë sepse kemi humbur pastërtinë për të cilën na ka ëndërruar Hyji.

Porse ka një trishtim të dytë, i cili, përkundrazi, është një sëmundje e shpirtit. Ai ngallit në zemrën e njeriut kur një dëshirë apo shpresë shuhet. Këtu mund t’i referohemi tregimit të dishepujve të Emausit. Ata dy dishepuj largohen nga Jerusalemi me zemër të zhgënjyer dhe, në një moment, hapen ndaj të panjohurit që bashkohet me ta: «Ne shpresonim se do të ishte ai – domethënë Jezusi – që do ta lironte Izraelin» (Lk 24,21). Dinamika e trishtimit është e lidhur me përvojën e humbjes. Në zemrën e njeriut lindin shpresa të cilat ndonjëherë zhgënjejnë. Mund të jetë dëshira për të zotëruar diçka që nuk mund të arrihet; por edhe diçka e rëndësishme, siç është një humbje afektive. Kur ndodh kjo gjë, është sikur zemra e njeriut të bjerë në një greminë dhe ndjenjat që ai përjeton janë shkurajim, dobësi e shpirtit, depresion, ankth. Të gjithë kalojmë sprova që përftojnë trishtim në ne, sepse jeta na bën të ngjizim ëndrra që më pas thërrmohen. Në këtë situatë, dikush, pas një kohe travajesh, i mbështetet shpresës; por të tjerë dergjen në melankoli, duke lejuar që ajo t’ia brejë zemrën. A ndjehet kënaqësi në këtë gjë? Shikoni: trishtimi është si kënaqësia e pakënaqësisë; është si të marrësh një karamele të hidhur, pa sheqer, të keqe dhe të thithësh në atë karamele. Trishtimi është një kënaqësi e pakënaqësisë.

Murgu Evagrio tregon se të gjitha veset synojnë një kënaqësi, sado kalimtare që mund të jetë, ndërsa trishtimi gëzon të kundërtën: të përkundet pafund në një dhimbje. Disa vaje të zgjatura, ku një person vazhdon të zgjerojë boshllëkun për dikë që nuk është më, nuk i përkasin jetës në Shpirt. Disa hidhërime me hatërmbetje, ku një person ka gjithmonë në mendje një rivendikim që e bën të marrë rolin e viktimës, nuk prodhojnë në ne një jetë të shëndetshme, aq më pak të krishterë. Ka diçka në të kaluarën e secilit që duhet të shërohet. Trishtimi, nga një emocion natyror, mund të shndërrohet në një gjendje të keqe shpirtërore.

Është një demon tinëzar, ai i trishtimit. Etërit e shkretëtirës e përshkruanin si një krimb të zemrës, që bren dhe boshatis atë që e mirëpret. Kjo shëmbëlltyrë është e bukur, na bën të marrim vesh. Atëherë, çfarë duhet të bëj kur jam i trishtuar? Ndalo e shiko: a është ky një trishtim i mirë? A është një trishtim i keq? Dhe reago sipas natyrës së trishtimit. Mos harroni se trishtimi mund të jetë një gjë shumë e shëmtuar që na çon në pesimizëm, na çon në një egoizëm që është vështirë të shërohet.

Vëllezër e motra, duhet të bëjmë kujdes ndaj këtij trishtimi e të mendojmë se Jezusi na sjell gëzimin e ngjalljes. Sado që jeta mund të jetë plot me kundërshti, me dëshira të mposhtura, me ëndrra të parealizuara, me miqësi të humbura, falë ngjalljes së Jezusit mund të besojmë se gjithçka do të shpëtohet. Jezusi nuk u ngjall vetëm për vetveten, por edhe për ne, për të shpenguar të gjitha lumturitë që kanë ngelur të parealizuara në jetën tonë. Feja e dëbon frikën dhe ngjallja e Krishtit heq trishtimin si gurin nga varri. Çdo ditë e të krishterit është një ushtrim ngjalljeje. Georges Bernanos, në romanin e tij të famshëm Ditari i një famullitari katundi, vë në gojë të famullitarit të Torcy-s fjalët: «Kisha ka gëzim, gjithë atë gëzim që është i caktuar për këtë bote të trishtuar. Atë që e keni bërë kundër saj, e keni bërë kundër gëzimit». E një tjetër shkrimtar francez, León Bloy, na ka lënë një frazë të mrekullueshme: «Ka vetëm një trishtim, […] ai i të mos qenurit shenjt». Shpirti i Jezusit të ngjallur na ndihmoftë që ta mposhtim trishtimin me anë të shenjtërisë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme