6.5 C
Tirana
HomeKISHVeset dhe virtytet. Jeta e hirit sipas Shpirtit Shenjt
HomeKISHVeset dhe virtytet. Jeta e hirit sipas Shpirtit Shenjt

Veset dhe virtytet. Jeta e hirit sipas Shpirtit Shenjt

Katekezë 16.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Javët e kaluara kemi reflektuar mbi virtytet kardinale: maturinë, drejtësinë, forcën dhe vetëpërmbajtjen. Ato janë katër virtytet kardinale. Sikurse e kemi nënvizuar disa herë, këto katër virtyte i përkasin një urtie shumë të lashtë, e cila i paraprin edhe vetë krishterimit. Ndershmëria predikohej si detyrë civile që para Krishtit, urtia si rregull veprimi, guximi si përbërës themelor për një jetë që priret drejt së mirës, ​përkora si masë e nevojshme për të mos u zënë përposh nga teprimet. Kjo trashëgimi kaq e lashtë, trashëgimi e njerëzimit, nuk është zëvendësuar nga krishterimi, por është sjellë në fokus të qartë, është vlerësuar, pastruar dhe integruar në fe.

Prandaj, në zemrën e çdo burri dhe gruaje ekziston aftësia për të kërkuar të mirën. Shpirti Shenjt është dhuruar në mënyrë që ata që e pranojnë të mund ta dallojnë qartë të mirën nga e keqja, të kenë forcën për të aderuar në të mirën duke shmangur të keqen dhe, duke e bërë këtë gjë, të arrijnë realizimin e plotë të vetvetes.

Por në ecjen që të gjithë ne po bëjmë drejt plotësisë së jetës, që i përket fatit të çdo njeriu – fati i çdo njeriu është plotësia, të jetë plot jetë – i krishteri gëzon një ndihmë të veçantë nga Shpirti Shenjt, Shpirti i Jezusit. Ajo njëmendësohet me dhuratën e tre virtyteve të tjera, tipikisht të krishtera, të cilat shpesh përmenden së bashku në shkrimet e Besëlidhjes së Re. Këto qëndrime themelore, që karakterizojnë jetën e të krishterit, janë tre virtyte për të cilat do të flasim tani duke i marrë së bashku: feja, shpresa dhe dashuria. Le ta themi së bashku: [së bashku] feja, shpresa… Nuk po dëgjoj asgjë, më fort! [së bashku] feja, shpresa dhe dashuria. Jeni shumë të mirë! Shkrimtarët e krishterë shumë shpejt i quajtën virtyte “teologale”, meqenëse merren dhe jetohen në marrëdhënien me Hyjin, për t’i dalluar nga katër të tjerat të quajtura “kardinale”, pasi përbëjnë “shtyllën [latinisht, cardo = menteshë]” e një jete të mirë. Këto virtyte merren në Pagëzim dhe vijnë nga Shpirti Shenjt. Si ato teologale ashtu edhe ato kardinale, të vëna krahas në shumë reflektime sistematike, kanë krijuar kështu një shtatëshe të mrekullueshme, e cila shpesh i kundërvihet listës së shtatë veseve kryesore. Katekizmi i Kishës Katolike e përcakton në këtë mënyrë veprimin e virtyteve teologale: «Virtytet teologale krijojnë, gjallërojnë dhe karakterizojnë veprimet morale të të krishterit. Ato u japin formë dhe gjallëri të gjitha virtyteve morale. Hyji i ka zbrazur në shpirtin e besimtarëve, për t’i bërë të aftë që të veprojnë si bij të tij dhe të meritojnë jetën e pasosur. Ato janë pengu i pranisë dhe i veprimit të Shpirtit Shenjt në aftësitë e qenies njerëzore» (nr. 1813).

Ndërsa rreziku i virtyteve kardinale është ai i krijimit të burrave dhe grave si njerëz heroikë në të kryerit e së mirës, porse në përgjithësi të vetëm, të izoluar, dhurata e madhe e virtyteve teologale është ekzistenca e jetuar në Shpirtin Shenjt. I krishteri nuk është kurrë vetëm. Ai e kryen të mirën jo nëpërmjet një përpjekjeje titanike angazhimi personal, por sepse, si një dishepull i përvujtë, ecën pas Mësuesit Jezus. Ai ecën përpara në rrugën e tij. I krishteri ka virtytet teologale të cilat janë antidoti i madh për vetë-mjaftueshmërinë. Sa shpesh, disa burra e gra moralisht të patëmetë rrezikojnë të bëhen, në sytë e atyre që i njohin, mendjemëdhenj dhe arrogantë! Është një rrezik ndaj të cilit na paralajmëron mirë Ungjilli, kur Jezusi i porosit dishepujt: «Edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: “Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë”» (Lk 17,10). Krenaria është një helm, është një helm i fuqishëm: mjafton vetëm një pikë për të shkatërruar një jetë të tërë të karakterizuar nga e mira. A mund të çmohet ende një person i virtytshëm ai njeri që mund të ketë kryer një mal me vepra bamirësie, që mund të ketë korrur njohje dhe lëvdata, por i ka bërë të gjitha këto vetëm për vete, për të lartësuar veten? Jo!

E mira nuk është vetëm një qëllim, por edhe një mënyrë. E mira ka nevojë për shumë peshim, për shumë mirësjellje. Mbi të gjitha, e mira duhet të zhvishet nga ajo prani ndonjëherë tepër mbytëse që është vetja jonë. Kur “un”-i ynë është në qendër të gjithçkaje, gjithçka shkatërrohet. A është vërtet kaq i rëndësishëm ky motivim nëse çdo veprim që bëjmë në jetë e bëjmë vetëm për veten tonë? “Un”-i i varfër zotëron gjithçka dhe kështu lind krenaria.

Për të ndrequr të gjitha këto situata që ndonjëherë bëhen të dhimbshme, virtytet teologale janë një ndihmë e madhe. Ato janë veçanërisht të tilla në momentet e rënies, sepse edhe ata që kanë qëllime të mira morale ndonjëherë bien. Të gjithë ne biem, në jetë, sepse të gjithë jemi mëkatarë. Ashtu si edhe ata që e praktikojnë virtytin çdo ditë ndonjëherë bëjnë gabime – të gjithë gabojmë në jetë –: dija nuk është gjithmonë e kthjellët, vullneti nuk është gjithmonë i qëndrueshëm, pasionet nuk mbizotërohen gjithmonë, guximi nuk e tejkalon gjithmonë frikën. Por nëse ia hapim zemrat tona Shpirtit Shenjt – Mësuesit të brendshëm –, Ai ringjall në ne virtytet teologale: atëherë, nëse kemi humbur besimin, Hyji na çel përsëri ndaj fesë – për virtyt të Shpirtit, nëse e kemi humbur besimin, Hyji na çel përsëri në fe –; nëse jemi të shkurajuar, Hyji rizgjon në ne shpresën; dhe nëse zemra jonë është ngurtësuar, Hyji e zbut atë me dashurinë e tij. Faleminderit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme