Në vitin 1952, pesë priftërinj katolikë, Át Jakë Gardini SJ, Át Ferdinand Pali OFM, Át Viktor Volaj OFM, Dom Zef Gilaj dhe Dom Nikoll Mazreku kremtuan solemnisht Pashkën e Zotit, në kampin e Tepelenës, me habinë e rojeve të kampit të internimit.
Ky vit shënon 70 vjetorin e atij gjesti të guximshëm që u riktheu dinjitetin dhe shpresën të burgosurve padrejtësisht në atë ferr.
Këtë vit, në kuadër të aktiviteteve të Sinodit 2022, dhe me dëshirën për të ndezur dritën e besimit edhe në kujtimin e martirëve tanë, Administratura Apostolike së Shqipërisë së Jugut ka kremtuar në këtë vend të torturave dhe vdekjes Udhën e Kryqit për të nderuar jetë e atyre që e humbën atje dhe për të shpallur edhe një herë Ungjillin e Ngjalljes së Jezusit.
Moti ka qenë një nga protagonistët e mëdhenj të këtij eventi, me momente dielli dhe shiu. Programi nisi me fjalët e Ipeshkvit të Administraturës, Imzot Giovanni Peragine, në praninë e 200 besimtarëve katolikë që morën pjesë në këtë kremtim, të ardhur nga të gjitha anët e Administraturës Apostolike, por edhe nga dioqezat e tjera të Shqipërisë. Besimtarët shoqëroheshin nga Arqipeshkvinjtë e Shkodrës dhe Tiranë-Durrësit, si dhe një numër i madh misionarësh e priftërinjsh. Pas fjalëve të mirëseardhjes së Ipeshkvit, Imzot Peragine, Simon Mirakaj dhe Tefta Mersini dhe kanë dhënë dëshminë e tyre. Në orën 11 ka filluar Udhën e Kryqit, në këtë kohën e Kreshmëve shumë të veçantë, por edhe duke ecur në atë fushë dhimbjeje dhe vuajtjeje, si udha e Krishtit drejt Kalvarit.
Të gjithë të pranishmit mbajtën një gur, të cilin e depozituan në monumentin e të burgosurve në Tepelenë. Të dy dëshmitarët, pas bekimit përfundimtar të imzot Peragine-s, lanë lule në atë vend. Lutja, kujtimi dhe Fjala e Zotit shkuan me pjesëmarrësit, të cilët u larguan edhe një herë nga kampi i internimit të Tepelenës në heshtjen e kujtimeve të tyre të dhimbshme. Por me kujtimin e kremtimit të jetës dhe ringjalljes në këtë ditë.