11.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenT’ia nisim sonte ndryshimit, jo nesër
HomeDioqeza RrëshenT’ia nisim sonte ndryshimit, jo nesër

T’ia nisim sonte ndryshimit, jo nesër

Gjergj Meta

Marrdhënia jonë me kohën është ndër marrdhëniet më problematike që kemi. Dhe duhet të jetë kështu, sepse koha që kalon është treguesi i kohës që ikën, pa kthim. Ne abuzojmë vazhdimisht me kohën duke menduar se e kemi në dispozicion. Koha ka lindur bashkë me ne, kur ne nisëm të ishim në barkun e nënës tonë, si një zigotë e vogël, e papërfillshme, madje e pandjeshme për trupin e nënës. Atëherë akrepat e jetës tonë nisën tik-takun e tyre. Ajo është ora jonë e vetëm e jona, personale e secilit prej nesh, e papërsëritshme edhe sikur të kishim një binjak. Ato akrepa, nga ai moment, nuk kthehen më mprapsht e do të shkojnë deri në fund, derisa të jetojmë apo të na lënë të jetojmë. Prandaj çdo tik-tak është një grimcë jetë që ikën.

Të më falë Edmond Tupja nëse e citoj edhe një herë këtë vit, por gjithmonë më thotë se bën gjithçka që koha e tij të zgjasë në këtë botë për një qëllim të vetëm: t’i qëndrojë pranë djalit të tij autik. Ka vetëm një gjë në fakt që e mbush kohën që kemi në dispozicion: dashuria. Dhe dashuria është gjithmonë një relacion, pasi njeriu jashtë relacionit është de facto njeri i vdekur.

Në vrapin tonë për të kapur kohën kemi një armik të madh që grekët e gjuhës së koine-së i thonin akedia, latinët açidia e në shqip fjala më e përafërt është plogështia. Kjo është një sëmundje e shpirtit që vret kohën e cila kthehet në një barrë, në një armike. Njerëzit e sëmurë nga plogështia jetojnë me një kohë ideale që nuk përkon me kohën reale dhe kur e shohin se nga mëngjesi në darkë nuk kanë bërë asgjë, bien të flenë me vendimin  e paepur se nesër do të fillojnë një ditë të re, një angazhim të ri. Se prej nesër gjithçka do të jetë ndryshe. Por në më të shumtën e rasteve ajo është një e nesërme që nuk arrin kurrë në jetën e një njeriu e kështu koha vazhon të vritet.

Çka secili prej nesh dëshiron më shumë në këtë fund viti është ndonjë ndryshim i mundshëm. Duam të ndryshojmë stil jetese, duam që të ndryshojë shoqëria, politika, humori jonë, marrdhëniet në familje, gjendja jonë financiare apo emocionale. Pranaj urimet tona janë të gjitha për diçka “më shumë”, diçka ndryshe, që si me magji do të sjellë viti i ri. Gati si me magji duam që nga data 31 dhjetori në datën 1 janar të ndryshojë diçka rrënjësisht.

Urimi i Vitit të ri në fakt nuk ka të bëjë me të nesërmen, por me të sontshmen, me të tanishmen, me të këtushmen. Koha nuk mund të jetohet në funksion të së nesërmes e cila nuk arrin kurrë, sepse sapo arrin nuk është më dhe projekton gjithmonë drejt një të nesërme.

Atëherë vendimi i një ndryshimi nuk merret nesër, por merret sot, pikërisht në mbrëmje. Të marrëshe vendime në mbrëmje do të thotë të mos i nënshtrohesh vdekjes dhe të përgatisësh zgjimin. Ndërsa të vrasësh mbrëmjen me idenë se në zgjim do të marrësh vendimin nuk ndodh kurrë. Ndërrimi i viteve është një tik-tak më shumë që shënon një njësi, një ndarje kohe që ne kemi vendosur të jetë kështu, por në fakt çdo tik-tak është një ndërrim vitesh, një ndërrim stinësh. Nëse duam të ndryshojmë diçka në jetën tonë të nisim tani e ta ndryshojmë sonte e jo nesër.

Unë jam kapur me tik-taket shpesh në jetën time. Herë kam dashur të ishin më të shpejtë e herë më të ngadalshëm. Kam ëndërruar shumë ndryshime në jetën time, gati si me magji, por ato ndryshime kanë ndodhur jo kur ja kam lënë të nesërmes, pro kur kam filluar me tik-takun e parë që kam dëgjuar. Çdo tik-tak është një e nesërme në fakt që vjen sot.

Armiqësimi me kohën është armiqësimi me jetën. Ajo nuk ngutet as nuk tërhiqet pambarimisht. Ajo jetohet tani dhe këtu. Aq sa zgjat koha aq zgjat jeta, prandaj të mos e bëjmë armike, por bashkëpunëtore tonën në mënyrë që të rrisim ciësinë e jetës tonë.  Në kohë ne jetojmë, rritemi dhe jemi. Në kohë Hyji mbjell farën e Mbretërisë së tij.

Gëzuar Vitin e Ri 2019!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme