9.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësTestamenti i Papa Benediktit XVI
HomeJeta e KishësTestamenti i Papa Benediktit XVI

Testamenti i Papa Benediktit XVI

29 gusht 2006

Testamenti im shpirtëror

Në këtë orë të vonë të jetës sime, ndërsa hedh shikimin pas në dekadat që kam kaluar, shoh më së pari se sa shumë arsye kam për të qenë mirënjohës. Para së gjithash, falenderoj vetë Hyjin, dhuruesin e çdo dhurate të mirë, i cili më ka dhënë jetën dhe më ka udhëhequr në momente të ndryshme paqartësish, duke më ngritur sërish sa herë që filloja të rrëshqisja dhe duke më dhuruar kurdoherë e përsëri dritën e fytyrës së tij. Duke u kthyer pas në kohë, shoh e kuptoj se edhe pjesët e errëta dhe të mundimshme të kësaj ecjeje, kanë qenë për shpëtimin tim dhe se pikërisht në to Ai më ka udhëhequr si duhet.

Falenderoj prindërit e mi, që më dhanë jetën në një kohë të vështirë dhe që me çmimin e sakrificave të mëdha, me dashurinë e tyre më kanë përgatitur një banesë të mrekullueshme, e cila i ndriçon të gjitha ditët e mia deri më sot si një dritë e qartë. Feja e kulluar e babait tim na mësoi ne fëmijëve të tij të besojmë dhe ka qenë si një udhërrëfyes, gjithmonë e palëkundur në mes të të gjitha njohurive të mia shkencore; devotshmëria e thellë dhe mirësia e madhe e nënës sime është një trashëgimi për të cilën nuk mund të falenderoj kurrë sa duhet. Për dekada me radhë, motra ime më ka ndihmuar në mënyrë të pakushtëzuar dhe me përkujdesje të dashur; vëllai im ma ka hapur gjithmonë rrugën me kthjelltësinë e gjykimeve të tij, vendosmërinë e tij të paluhatshme dhe qetësinë e zemrës; pa këtë paraprirje dhe shoqërim të tij të vazhdueshëm, s’do ta kisha gjetur rrugën e duhur.

Falenderoj përzemërsisht Hyjin për miqtë e shumtë, burra e gra, të cilët Ai i ka vënë gjithmonë përkrah meje; për bashkëpunëtorët në të gjitha etapat e rrugëtimit tim; për mësuesit dhe nxënësit që Ai më ka dhënë. Ia besoj të gjithë me mirënjohje mirësisë së Tij. Dua ta falenderoj Zotin për atdheun tim të bukur, që gjendet në ultësirat alpine bavareze, ku gjithmonë kam parë të nëpërduket shkëlqimi i vetë Krijuesit. Falenderoj njerëzit e atdheut tim, sepse në to kam mundur të përjetoj gjithnjë bukurinë e fesë. Lutem që toka jonë të mbetet vend i fesë dhe ju lutem, të dashur bashkatdhetarë: mos lejoni që të largoheni nga feja. Së fundi, falenderoj Hyjin për gjërat e bukura që kam mundur të përjetoj në të gjitha fazat e udhës sime, veçanërisht në Romë dhe në Itali, e cila u bë atdheu im i dytë.

Të gjithëve atyre që iu kam bërë keq në ndonjë mënyrë, iu kërkoj falje sinqerisht.

Atë që ua thashë më parë bashkatdhetarëve të mi, tani ua them të gjithëve atyre, të cilët në Kishë i qenë besuar shërbimit tim: qëndroni të paluhatur në fe! Mos u ngatërroni! Shpesh duket se shkenca – shkencat natyrore nga njëra anë dhe hulumtimi historik (në veçanti ekzegjeza e Shkrimit Shenjt) nga ana tjetër – janë në gjendje të ofrojnë rezultate të pakundërshtueshme, në kontrast me fenë katolike. Unë i kam jetuar transformimet e shkencave natyrore qysh herët dhe kam mundur të shoh sesi, përkundrazi, janë zhdukur ato që dukeshin siguri kundër fesë, duke treguar se nuk janë shkencë, por interpretime filozofike, që i përkisnin shkencës vetëm në dukje; ashtu sikurse nga ana tjetër, kam mundur të shoh sesi vetëm në dialog me shkencat natyrore, feja ka mësuar ta njohë më mirë kufirin e shtrirjes së pohimeve të saj dhe rrjedhimisht specifikën e saj. Prej gjashtëdhjetë vitesh tashmë, shoqëroj rrugëtimin e Teologjisë, veçanërisht të shkencave biblike dhe me kalimin e brezave të ndryshëm, kam parë të shemben teza që dukeshin të palëkundshme, duke dëshmuar se ishin thjesht hipoteza: breznia liberale (Harnack, Jülicher, etj.), breznia ekzistencialiste (Bultmann etj.), breznia marksiste. Kam parë dhe vazhdoj të shoh sesi nga lëmshi i hipotezave ka ngallitur sërish karakteri arsyetues i fesë. Jezu Krishti është me të vërtetë rruga, e vërteta dhe jeta – dhe Kisha, me të gjitha pamjaftueshmëritë e saj, është me të vërtetë trupi i Tij.

Në fund, kërkoj me përulësi: lutuni për mua, në mënyrë që Zoti të më pranojë në banesat e amshuara, pavarësisht të gjitha mëkateve dhe të metave të mia. Lutja ime e përzemërt shkon ditë pas dite për të gjithë ata që më janë besuar.

Benediktus PP XVI

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme