SHKRIMTARËT NË “SHËN LUÇI” PËR AT VINÇENSIN

(Shënime nga Durrësi)

Shkrimtarët nuk janë vetëm njerëz të mbyllur brenda studiove të tyre krijuese me tryezat plot dorëshkrime e raftet e librave deri në tavan, siç mund të përfytyrohen. Ata, ashtu në heshtje, gjenden shpesh para shtatoreve të paraardhësve të tyre të penës. Është vigjilje Krishtlindjesh, 23 dhjetor 2022, teksa drejt Durrësit udhëton një autobus me rreth 50 shkrimtarë, publicistë e studiues nga Tirana dhe rrethet, që venë për të nderuar Imzot Vinçens Prennushin, ipeshkvin poet, folklorist, përkthyes etj. Njëri nga 38 martirët e krishtërimit në Shqipëri.


Në kishën katolike të Shën Luçisë ata pritën nga famullitari i Durrësit, Dom Marjan Lumçi, që ka vetëm pak muaj në këtë detyrë, i cili me emocion u uron atyre mirseardhjen, duke e quajtur veten me fat që jep meshë në “prani” të etërve të kishës dhe kombit: Dom Nikollë Kaçorrit, At Vinçens Prennushit, Imzot Jul Bonatit, gjithashtu martir i fesë, Imzot Pjetër Gjurës, të gjithë prelatë të shquar katolikë që pehën në këtë kishë katedrale, ku bash për këtë ajo cilësohet si një panteon.

Dhe të mendosh se regjimi i kaluar e pati zhbërë këtë tempull të Zotit duke e kthyer në teatër kukullash të qytetit!? Kur më kukullat e kohërave kanë qenë ato politike. Është dashur shumë mund dhe përkushtim për t’i rikthyer pamjen kësaj kishe historike, përfshi dhe nxjerrjen nga rrënimi dhe restaurimin e selisë ipeshkvnore, vetëm pak vite më parë, kur këtë famulli e udhëhiqte Dom Gjergj Meta, tash ipeshkëv i Rrëshenit. Duke na prirë nëpër mjediset e saj, Dom Marjani na tregon disa relikte të vjetra, listën e gjatë të 75 ipeshkvijve të Durrësit, që nga Çezari e Asti të shekullit të parë të Krishtit, një portret madhështor të Shën Luçisë, ruajtur me devocion nga besimtarët, si dhe një portret të ri në pikturë të At Prennushit dhuruar kishës kohët e fundit, ku e vjetra me të renë nuk rrinë askund më në harmoni se në këtë simbiozë kishtare, artistike.


Ardhja e shkrimtarëve te Prennushi, për një “kartolinë” të përbashkët Krishtlindjesh, është peligrinazhi i nëntë, në pak vite, në gjurmë të shkrimtarëve martirë, i organizuar nga Klubi i Poezisë Tiranë, që drejtohet nga shkrimtarët Rexhep Shahu dhe Izet Duraku. Ky ritual udhëtimesh jo të zakonta nisi me përkujtimin e Havzi Nelës në fshatin Kollovoz të Kukësit, më 2018, ku u përurua shtëpia muze e tij. Shkrimtarët më pas kanë udhëtuar drejt Përmetit për t’i bërë homazh poetit Trifon Xhaxhika, drejt Librazhdit në kujtim të Vilson Blloshmit e Genc Lekë, drejt Lezhës për t’u takuar me Gjergj Fishtën, kanë ndaluar në Rrëshen ku qe internuar Musine Kokalari, në Elbasan në nderim të Ethem Haxhiademit e Lef Nosit, në Shkodër ku prehen Ndre Zadeja e Anton Harapi dhe së fundi në Durrës për Vinçens Prennushin. Këto veprimtari janë mundësuar falë përkushtimit të organizatorëve dhe mbështetjes financiare të biznesmenit Flamur Hoxha, sot deputet i Kuvendit të Shqipërisë.


Në takimin e Durrësit Rexhep Shahu kujton me mirënjohje dy qytetarë durrësakë, zonjën Binaku dhe zotin Rreli, që e morën trupin e pajetë të Prennushit nga burgu i qytetit dhe e varrosën në kishën e Shën Luçisë. Dëgjohet me interes fjala e shkrimtarëve Besnik Mustafaj, Bashkim Hoxha, Preç Zogaj, publicistit Frano Kulli etj. Ndërsa përshëndësin krijuesit durrësakë Shpendi Topollaj dhe Vaso Papaj, kujtohesh për shkrimtarët në amëshim nga ky qytet: Gjergj Vlashi, Moikom Zeqo e Demir Gjergji, të cilët tashmë përkujtohen për veprën letrare që lanë pas. Me këso përjetimesh shkrimtarët pelegrinë vizituan bibliotekën e Durrësit, ndër më të pasurat e vendit, ku zotërinjtë Shahu dhe Duraku dhuruan koleksionin e revistës letrare “Illz”, botim periodik i Klubit të Poezisë së kryeqytetit, që zhvillon dhe veprimtari të tjera në lëmin e letërsisë, si takime me shkrimtarë të karrierës, promovim të krijuesve të rinj etj.


Në takimet kushtuar martirëve të fjalës dhe penës, më shumë heshtet se flitet, si në një meshë përshpirtje për ata që u shuan për idealin e lirisë. At Vinçensi pati shkruar dikur trajtesën “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, me ëndrrën dhe idealin e një shoqërie demokratike perëndimore dhe te ne, po që fati i mbrapshtë e solli të flijohej nga diktatura komuniste. Nëse shkrimtarëve të gjallë iu duhet njohur vepra, atyre të martirizuar u duhen njohur të dyja, edhe jeta edhe vepra, ndaj shkrimtarët e pranishëm u shprehën se lipset që të rinjtë ta njohin më shumë e më thellë këtë plejadë shkrimtarësh, artistësh e misionarësh të papërsëritshëm të vendit tonë. Nuk duhet të ndodhë një harrim i dytë i korrifejve pas atij të diktaturës, në një tranzicion shpërfillës të elitave, që promovon “njeriun e ri” të tij, që të vetmen (anti)vlerë ka të qëndruarit në paradhomat e pushtetit të korruptuar. Pse jo, shtegtime të tilla përnderuese krijuesish dhe jo vetëm do të ishte e fisme të zhvillohen dhe në Kosovë, ku mjaft intelektualë janë martirizuar, përsekutuar e gjer humbur, si Jusuf Gërvalla, Adem Demaçi, Fehmi Agani, Ukshin Hoti etj.


Këto pak shënime janë thjeshtë fjalët përcjellëse të asaj “kartolinës” përkujtimore të shkrimtarëve para varrit memorial të Imzot Prennushit, ipeshkvit martir, poetit të vëllimit të mirënjohur poetik “Gjeth e lule”, teksa vendosnin mbi mermer një tufë lulesh mos-harrimi. Me kumtin për t’iu kthyer e rikthyer figurave të mëdha kombëtare, që nuk ishin kalimtarë në histori, por kalorës të saj…

NDUE DEDAJ