8.5 C
Tirana
HomeKISHSelia e Shenjtë i bën jehonë kërkesës së Papës për t’i dhënë...
HomeKISHSelia e Shenjtë i bën jehonë kërkesës së Papës për t’i dhënë...

Selia e Shenjtë i bën jehonë kërkesës së Papës për t’i dhënë fund çmendurisë së luftës dhe për të ndaluar armët bërthamore

«Një person nuk mund të tregojë dashuri duke mbajtur armë sulmuese në duart e tij».

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, lëshon një kërkesë urgjente për një armëpushim në Ukrainë dhe bën thirrje për çarmatimin dhe ndalimin e armëve bërthamore.

Arqipeshkvi Gabriele Caccia iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me një kërkesë të prerë dhe të përzemërt për Ukrainën e rrënuar:

«T’i jepet fund çmendurisë së këtij konflikti që, në çdo orë që vazhdon, merr jetë të pafajshme dhe thellon plagët mes popujve, duke shkatërruar besimin reciprok nga i cili varet rendi ndërkombëtar».

Përfaqësuesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë po fliste gjatë një Seance Urgjente të Veçantë të martën, kur i bëri jehonë apelit të Papa Françeskut për një armëpushim të menjëhershëm dhe për fillimin e negociatave.

Duke cituar nga kërkesa e Papës që armët të heshtin dhe të kërkohen kushte “për fillimin e negociatave që do të çojnë në zgjidhje që nuk imponohen me forcë, por konsensuale, të drejta dhe të qëndrueshme”, arqipeshkvi Caccia vuri në dukje se ato zgjidhje duhet të “bazohen në respektin për vlerën tejet të shenjtë të jetës njerëzore, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo vendi”.

Ai përsëriti se të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, duhet të shmangim përfshirjen në përshkallëzime të rrezikshme dhe duhet të promovojmë dhe mbështesim nismat për dialog.

Kërcënimi i përshkallëzimit bërthamor

Arqipeshkvi vazhdoi duke theksuar urgjencën e kësaj thirrjeje.

Këto fjalë marrin peshë më të madhe përballë kërcënimit të shtuar të përshkallëzimit bërthamor dhe e bëjnë edhe më urgjente shndërrimin e “zemrave të atyre që kanë në dorë fatin e luftës, në mënyrë që uragani i dhunës të pushojë dhe bashkëjetesa paqësore, në drejtësi, të mund të rindërtohet”.

Në përfundim, arqipeshkvi Caccia kujtoi thirrjen e qartë të Papa Shën Palit VI:

«Jo më luftë!»

Çarmatimi integral dhe ndalimi i armëve bërthamore

Në një fjalim të veçantë në Komitetin që trajton çështjet që lidhen me çarmatimin dhe sigurinë ndërkombëtare, arqipeshkvi Caccia kujtoi krizën e raketave kubane në vitin 1962, duke vënë në dukje se ajo u shmang vetëm me ndalimin e armëve bërthamore, çarmatimin, dialogun dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë.

Ai mbështeti Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore dhe Traktatin (CBTB) mbi Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW), të cilat, tha ai, plotësojnë Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore (NPT) dhe janë shenja të shpresës konkrete.

Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë shprehu gjithashtu shqetësimin për dështimin e NPT-së së dhjetë për të arritur konsensusin.

Ai vuri në dukje se këtë vit shpenzimet ushtarake botërore kaluan, për herë të parë, 2 trilion dollarë.

«Ky shpenzim i dëmshëm shpërdoron burimet që mund të nxisin zhvillimin integral njerëzor dhe të shpëtojnë jetë të panumërta».

Arqipeshkvi Caccia përsëriti kërkesën e Papës Shën Pali VI për çarmatim që e bëri përpara Asamblesë së Përgjithshme në vitin 1965, duke kujtuar fjalët e tij prekëse:

«Një person nuk mund të tregojë dashuri duke mbajtur armë sulmuese në duart e tij».

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme