25.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësQARKORE PËR KOHËN E ARDHJES
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësQARKORE PËR KOHËN E ARDHJES

QARKORE PËR KOHËN E ARDHJES

Imzot Arjan Dodaj
Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit

Fort të dashur,

Të zhytur në lumin e gjallë të traditës së krishterë, në këtë periudhe liturgjike të kohës së Ardhjes, pyesim: cila është gjëja më e rëndësishme? Kush është qendra kryesore e jetës sonë si të krishterë? Çfarë është më e rëndësishme të shndërrohet në parimin frymëzues të gjithçkaje për Arqidioqezën tonë të Tiranë-Durrësit sot? Ecja sinodale, si stil jete, që ne të gjithë jemi të thirrur ta jetojmë në çdo bashkësi, frymëzohet nga ky vështrim i rëndësishëm i parimit themelor prej nga fillon gjithçka: të duash Hyjin me gjithë jetën tënde dhe të duash të afërmin tënd si vetveten.

Dëshiroj që gjatë këtyre katër javëve të përgatitjes për Festën e Krishtlindjeve të fokusohemi mbi dy qëndrime themelore në jetën tonë si të krishterë që, nëse e mendojmë mirë, kanë si burim vetë misterin e Mishërimit të Zotit. Në fakt, para mahnitjes për zbritjen e Krishtit në tokë – që na paraqitet në brishtësinë e një foshnjeje – njeriu nuk ka zgjidhje tjetër përpos asaj që të gjunjëzohet dhe ta adhurojë Zotin e bërë Njeri. Nga forca e këtij adhurimi, njeriu vihet në shërbim të të afërmit.

Jo, pra, strategjitë tona, jo llogaritë njerëzore, jo moda e kësaj bote, por dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit! Kjo është zemra e gjithçkaje. Duke e përkthyer këtë si një nxitje dashurie për Arqidioqezën tonë të Tiranë-Durrësit, dëshirojmë të pranojmë propozimin e Papa Françeskut për mbarë Kishën në këtë ecje sinodale. Bëhet fjalë për dy lëvizje të zemrës: të adhurosh dhe
shërbesh!

Në këtë kohë të ardhjes, do të na shoqërojë ikona biblike e Samaritanit të mirë (Lk 10, 25-37), e cila na fton t’u shërbejmë me dashuri e bujari më nevojtarëve. Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë duhet të na nxitë ta ndryshojmë mendësinë tonë, sipas logjikës së Krishtit, që është logjika e dashurisë: Zoti është dashuri e ta nderosh, do të thotë t’u shërbesh vëllezërve dhe çdo njeriu, me dashuri të sinqertë e bujare. Ju propozoj këto reflektime si itinerar të ndarë në katër etapa që frymëzohen nga Liturgjia e Fjalës së të dielave në Kohën e Ardhjes: të vigjilosh, të kthehesh, të shpresosh dhe të pranosh.

VIGJILO!

Të duash do të thotë të adhurosh. Adhurimi është përgjigja e parë që mund t’i ofrojmë dashurisë falas të Zotit, dashurisë surprizë të Zotit. Mahnitja e adhurimit është thelbësore në Kishë, mbi të gjitha, në këtë moment kur e kemi humbur aftësinë dhe zakonin e adhurimit. Të adhurosh do të thotë, në fakt, të pranosh në fe që vetëm Zoti është Zot dhe nga butësia e dashurisë së tij varen jetët tona, ecja e Kishës, fatet e historisë: Ai është domethënia e jetës sonë! Duke adhuruar Atë, zbulojmë që jemi të lirë. Për këtë, dashuria ndaj Zotit, në Shkrimin e Shenjtë është gjithmonë e shoqëruar me luftën kundër çdo idhujtarie. Kush adhuron Zotin, refuzon idhujt, sepse ndërsa Hyji na liron, idhujt na bëjnë skllevër, na mashtrojnë dhe nuk realizojnë kurrë atë çka premtojnë, sepse janë vepër e duarve të njerëzve. Shkrimi i Shenjtë është shumë i rreptë kundër idhujtarisë, sepse idhujt janë vepër e njeriut dhe, si të tillë, mbeten të manipulueshëm prej tij, ndërsa Zoti është gjithmonë i gjalli, që është këtu e përtej; që nuk është bërë siç e mendoj unë, që nuk varet nga çfarë pres unë prej Tij, që mund edhe të surprizojë pritshmëritë e mia, sepse është i gjallë.

Koha e Ardhjes, me ftesën për të qëndruar vigjilent, na fton që të largojmë rrezikun e kontrollimit të Zotit! Të rrimë zgjuar atëherë, duke kuptuar që veprimtaria e Tij është gjithmonë e paparashikueshme dhe shkon përtej. Për këtë, veprimtaria e Zotit, na kërkon një mahnitje në adhurim, mahnitje që është gjithmonë e rëndësishme. Si të rrimë zgjuar? Vigjilenca propozohet si një alternativë e mundshme përballë shqetësimit të kohës, e përjetuar si humbje totale e vetvetes: deri te ikja e dyfishtë e rezistencës dhe e aktivitetit (pasja, bërja, dominimi i kohës) dhe dorëzimi pasiv (arratisja në mendjelehtësi). Vigjilenca përgjigjet duke ruajtur tiparet e një pritjeje aktive, e cila na bën të qëndrojmë të pathyeshëm dhe në lëvizje të vazhdueshme në të njëjtën kohë. Të mbikëqyrësh do të thotë të ruash kujtesën, të ushqesh dëshirën, të dallosh gjërat e fundit nga ato të parafundit, të bashkosh zemrën dhe mendjen nëpërmjet asketizmit, të qëndrosh i vëmendshëm, me veshë e sy të hapur.

Sikur ne, si dioqeze, të kuptonim që në Eukaristi gjejmë zgjidhjen e problemeve tona, nuk do të ngurronim çdo ditë, të kalonim disa çaste adhurimi për t’ia besuar Jezusit gjithë shpirtin, çështjet, vështirësitë dhe shpresat tona. Maria, adhuruesja e vërtetë e Zotit, gruaja Eukaristike na udhëheqtë!

Ftesë për angazhim: Për këtë arsye ju ftoj që në të gjitha kishat tona, të krijohen momente dhe kushte ku ftohen dhe bashkohen besimtarët, motrat dhe meshtarët në Adhurim Eukaristik.

vijon të dielën e dytë të kohës së ardhjes….

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme