9.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultProvinca françeskane shqiptare zhvillon takim me mërgimtarë
HomeArqidioqeza Shkodër-PultProvinca françeskane shqiptare zhvillon takim me mërgimtarë

Provinca françeskane shqiptare zhvillon takim me mërgimtarë

Një ndër temat më aktuale të kohës në të cilën po jetojmë është ajo e emigrimit. Kjo çështje, prej kohësh e përfolur, së fundi ka marrë një vëmendje shumë të madhe sepse ky fenomen është gjithmonë e në rritje. Pikërisht prej rëndësisë së saj shumë ndërmarrje, organizata dhe shoqëri kanë ndërmarrë nisma të ndryshme kushtuar këtij fenomeni. Një nismë e tillë është organizuar edhe nga Provinca françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë”. Manifestimi është emërtuar “Takimi me mërgimtarë”, pasi u kushtohet pikërisht të gjithë mërgimtarëve tanë që ndodhen anë e mbanë botës. Në vende të ndryshme kjo formë e të mbledhurit është kthyer në një traditë, ndërsa në Provincën françeskane në Shqipëri është diçka novatore. Po përse pikërisht në këtë kohë të mbahet një takim i tillë? Ideja e parë që mund të na vijë në mend është sepse është periudhë pushimesh dhe shumë mërgimtarë kthehen për të kaluar pak kohë me familjet e tyre. Por ky vit gjithashtu ka përkuar edhe me 150-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës dhe 75-vjetorin e martirizimit të padër Anton Harapit dhe padër Gjon Shllakut, ku ky i fundit është edhe njëri nga martirët e lumë shqiptarë.

Sigurisht ka shumë ç’të thuhet për këto figura kaq të rëndësishme për Provincën fraçeskane, Shqipërinë dhe jo vetëm, por në këtë tekst dëshirojmë të cekim kryesisht disa pika që lidhen me këtë takim, pika të cilat janë të integruara thelbësisht në idealin e këtyre personaliteteve. Është e pamundur të mos keni dëgjuar për binomin e famshëm “Për Fe e Atdhe”, shprehje e cila më shumë se sa nga goja, ka dalë nga zemra e atyre që e kanë thënë. Siç vërehet pra këto dy dimensione kanë qenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe kanë ecur gjithmonë paralelisht. Nëse hyjmë pak më në thellësi të mendësisë së këtyre personazheve kuptojmë se kur ata flisnin për “Atdheun” nënkuptonin mbi të gjitha një Shqipëri të bashkuar, jo të përçarë dhe të varur nga forca të ndryshme sunduese. E për të arritur këtë ideal secili ka dhënë diçka nga vetvetja, madje disa edhe krejt jetën e tyre. Kjo ndenjë atdhetarie dallohet më së miri te krijimtaria e poetit tonë kombëtar Atë Gjergj Fishta.  Nga ana tjetër edhe në veprimtarinë e dy fretërve të martirizuar nga sundimi komunist ky ideal është gjithmonë i pranishëm, madje theksohet shumë nga ata. Këta kanë dhënë kontributin e tyre me anë të përkthimeve, shqipërimeve, shkrimeve, mbledhjes së traditave shqiptare etj., e njësoj si ata e njëjta ftesë na bëhet edhe ne sot.

Takimi është mbajtur më 19 gusht 2021 në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol. Kanë qenë dy momente kryesore që e kanë përbërë atë: mesha e shenjtë, e cila është kremtuar në orën 18:00, dhe programi kulturor i përgatitur enkas për këtë takim. Meshën e shenjtë e ka udhëhequr provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj, i cili gjatë predikimit ndër të tjera foli rreth kategorive të ndryshme të mërgimtarëve, të cilët për shkaqe të ndryshme si: pune, studimi, përzënieje etj. jetojnë përkohësisht ose përgjithmonë në dhe të huaj, larg vendlindjes së tyre. Bashkëkremtues kanë qenë zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj dhe fra Vitor Demaj.  

Pjesa e dytë e takimit filloi në orën 18:50. Moderatorja e këtij programi kulturor në këtë pjesë të dytë ishte Viola Shqau. Pjesët e interpretuara dhe të paraqitura, për të cilat do të flasim në vijim, janë përzgjedhur nga veprat e padër Gjergj Fishtës, padër Anton Harapit dhe padër Gjon Shllakut, duke pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes temën e emigrimit dhe të emigrantëve. Hapjen e programit e ka bërë Paulin Ujka. Ai ka interpretuar poezinë “I dëbuemi” të Fishtës, në të cilën ai ilustron nostalgjinë e mërgimtarit ndaj vendlindjes. Më pas ka vijuar Zef Ndoja me një fragment  nga vepra e Harapit “Valë mbi valë”. Fragmenti paraqiste momentin kur padër Antoni qe nisur nga Shkodra, konkretisht prej Shirokës, për të shkuar në famullinë e Grudës, famulli kjo ku ai gjatë shërbimit të tij ka gjetur frymëzimin për të shkruar veprën kolosale “Andrra e Pretashit”. Ndër të tjera Harapi në këtë pjesë rrëfen se si ndarja e tij nga vendlindja dhe lundrimi i tij nëpër liqenin e Shkodrës për të marrë detyrën e re është një moment shumë i përmallshëm për të.

Pastaj ka vijuar Megi Toma me këngën “Ave Maria” të Schubert-it. Këtë këngë si dhe performancat e tjera i ka shoqëruar me piano Rafael Marinaj. Nga vepra e padër Gjon Shllakut është përzgjedhur fragmenti “Shqyptari-Frati-Shqypnia”, sipas të cilit e ka marrë emrin edhe vetë vepra. Këtë pjesë e ka paraqitur Tomas Delija. Më pas janë bashkuar të gjithë për të kënduar këngën “Zoja e Shkodrës” në nder e lavd të Zojës së Bekuar. Në fund të këtij programi në oborrin e fretërve është organizuar një koktej, gjatë së cilit të pranishmit kanë pasur mundësinë të marrin libra të Botimeve Françeskane me 30% zbritje.

Siç u tha edhe më sipër organizime të tilla janë mjaft të përhapura, ndoshta për shkak të vetë rëndësisë së temës. Raste të tilla janë shumë të vlefshme për emigrantët pasi është një shenjë që tregon se ata nuk janë të harruar nga vendi i tyre, përkundrazi të afërmit dhe miqtë e tyre në vendlindje mendojnë për ta. Mbi të gjitha me anë të këtyre rasteve jepet mundësia që të falendërohen emigranët, ndër të tjera, për kontributin që ata japin për vendlindjen e tyre. Edhe pse kjo temë sot në frymën e globalizmit nuk preferohet, megjithatë ne nuk mund ti ikim realitetit që secili prej nesh ka vendlindjen, gjuhën, kulturën e vet brenda globit në të cilin jetojmë.

Marrë nga Provinca Françeskane Shqiptare

Fra Lorenc PEPNIKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme