21.5 C
Tirana
HomeKISHPapa: skamjet e të afërmit na interpelojnë, të përveshim mëngët
HomeKISHPapa: skamjet e të afërmit na interpelojnë, të përveshim mëngët

Papa: skamjet e të afërmit na interpelojnë, të përveshim mëngët

Papa Françesku priti pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Caritas Internationalis. Si Ipeshkëv i Romës ftesa për të qenë “dishepuj misionarë”, duke shoqëruar kishat vendore në angazhimin e tyre aktiv në bamirësinë baritore, “duke jetuar pluralitetin si një burim”.

Ajo që thoshte Pali apostull “është jashtëzakonisht e vërtetë”, e mira që bëhet në emër të Hyjit është “pjesa e mirë e jona që nuk do të fshihet, që nuk do të humbasë”. Papa citoi disa herë shën Palin në audiencën e të enjtes 11 maj, me Caritas Internationalis. Në Sala Clementina, në Vatikan, janë rreth 400 pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të Konfederatës Ndërkombëtare Katolike, selia qendrore e së cilës është në Vatikan. Në fjalimin e mbajtur nga Françesku për të pranishmit, del në pah ftesa për të reflektuar mbi faktin se në bamirësi “ne jo vetëm kuptojmë rëndësinë e jetës sonë, por edhe se sa e çmuar është ajo e të tjerëve”.

Falënderues dhe mirënjohës

Duke kujtuar himnin e famshëm të dashurisë nga shën Pali, Papa nënvizoi para së gjithash se çdo përpjekje, çdo vepër e mirë nuk është e “plotë” pa dashurinë e vërtetë:

Apostulli specifikon se si mungesa e dashurisë boshatis çdo veprim për nga përmbajtja: forma e jashtme mbetet, por jo realiteti. Edhe veprimet më të jashtëzakonshme, bujaria më heroike, madje edhe shpërndarja e të gjithë pasurisë për t’ia dhënë të uriturve (1 Kor 13,3), pa dashuri, nuk vlen asgjë.

Në këtë kuptim, të qenit bamirës çon gjithashtu në një formë fisnike kthimi, mirënjohjeje ndaj Hyjit:

Mund të hyjmë në misterin e gëzueshëm dhe të jashtëzakonshëm të “kthimit”, të kujtesës falënderuese dhe mirënjohëse, që na bën t’i falemi nderit Hyjit duke zgjedhur që ta drejtojmë vështrimin tonë kah vëllai që vuan, që ka nevojë për kujdes, që ka nevojë për ndihmën tonë për të gjetur sërish dinjitetin e tij si bir. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i treguar Hyjit se e kemi rrokur kuptimin e Eukaristisë sesa duke u dhënë të tjerëve atë që kemi marrë.

Krishti në qendër të bamirësisë

Çfarë e dallon Caritas Internationalis? Në fillim të fjalës së tij, Papa ftoi “për të mos harruar kurrë se Krishti është në origjinën e të gjitha aktiviteteve tona bamirëse dhe shoqërore”, pastaj kujtoi thirrjen e tij specifike:

Ajo që e dallon Caritasin nga agjencitë e tjera që veprojnë në rrafshin shoqëror është thirrja e tij kishtare dhe, brenda Kishës, ajo që specifikon shërbimin e tij në lidhje me shumë institucione dhe shoqata kishtare kushtuar bamirësisë është detyra e ndihmës dhe lehtësimit të ipeshkvijve në ushtrimin e bamirësisë baritore, në bashkim me Selinë Apostolike dhe në harmoni me Magjisterin e Kishës.

Dashuria në bamirësi

Prandaj është Krishti ai që e vë në lëvizje këtë makineri të së mirës që nuk njeh kufij, nëpërmjet dashurisë që ai na ka mësuar. Një ndjenjë që të lejon të shohësh një vëlla në sytë e tjetrit dhe të mos dorëzohesh përballë së keqes:

Dashuria na bën të hapim sytë, ta zgjerojmë shikimin, na lejon të njohim tek i panjohuri që takojmë në rrugën tonë fytyrën e një vëllai, me një emër, një histori, një dramë ndaj së cilës nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Në dritën e dashurisë së Hyjit, fizionomia e tjetrit del nga të qenurit në hije, del nga parëndësia dhe fiton vlerë, rëndësi. Skamjet e të tjerëve na thërrasin, na e heqin rehatinë, na shtyjnë drejt sfidës së përgjegjësisë. Dhe gjithmonë në dritën e dashurisë gjejmë forcën dhe guximin për t’iu përgjigjur të keqes që shtyp tjetrin, për t’iu përgjigjur në vetën e parë, duke u përfshirë me zemrën tonë, duke përveshur mëngët.

Dishepuj misionarë

Më pas Papa Françesku u kërkoi anëtarëve të Caritas Internationalis që të “bashkohen në diversitet”, duke u bërë “dishepuj misionarë” të vërtetë:

Kush punon për Caritasin është i thirrur që ta dëshmojë këtë dashuri përpara botës. Bëhuni dishepuj misionarë, ndiqni Krishtin! Jua porosis unitetin. Konfederata juaj përbëhet nga shumë identitete: jetojeni diversitetin si një pasuri, pluralitetin si burim. Garoni në respektimin e njëri-tjetrit, duke bërë që konfliktet të ju çojnë në përballje, rritje dhe jo në përçarje.

Së fundi, Papa tërhoqi vëmendjen për “sfidën e një laikati të pjekur dhe të vetëdijshëm”, roli i të cilit është veçanërisht i vlefshëm:

Ju jeni të thirrur që t’i shoqëroni kishat vendore në angazhimin e tyre aktiv në bamirësinë baritore. Kujdesuni për të formuar njerëz kompetentë, të aftë për të çuar mesazhin e Kishës në jetën politike dhe shoqërore. Sfida e një laikati të ndërgjegjshëm dhe të pjekur është më aktuale se kurrë, sepse prania e tyre shtrihet në të gjitha ato fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të varfërve. Janë ata që mund të shprehin, me lirinë krijuese, zemrën amnore dhe merakun e Kishës për drejtësinë sociale, duke u përkushtuar në detyrën e mundimshme të ndryshimit të strukturave të padrejta shoqërore dhe promovimit të lumturisë së personit njerëzor.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme