11.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Pleqëria është një kufizim dhe një dhuratë, ta skartosh atë është...
HomeKryesorPapa: Pleqëria është një kufizim dhe një dhuratë, ta skartosh atë është...

Papa: Pleqëria është një kufizim dhe një dhuratë, ta skartosh atë është të tradhtosh jetën

Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku vazhdon serinë e tij të katekezave për të moshuarit, duke reflektuar mbi rrëfimin e shërimit të vjehrrës së Simonit në Ungjillin e Markut.

“Nuk e dimë nëse ishte një sëmundje e lehtë, por në pleqëri, edhe një temperaturë e thjeshtë mund të jetë e rrezikshme”, tha Papa, duke shtuar “kur je i moshuar, nuk e komandon më trupin tënd. Njeriu duhet të mësojë të zgjedhë çfarë të bëjë dhe çfarë jo.”

Ai vuri në dukje se në pleqëri, energjia e trupit dështon dhe na braktis edhe pse zemra jonë nuk pushon së dëshiruari dhe ne duhet të mësojmë “të pastrojmë dëshirën: të kemi durim, të zgjedhim se çfarë të kërkojmë nga trupi ose nga jeta.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 14. Shërbimi me gëzim i fesë, që mësohet në mirënjohje

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Kemi dëgjuar tregimin e thjeshtë dhe prekës të shërimit të vjehrrës së Simonit, i cili nuk është quajtur ende Pjetër, në versionin e ungjillit të Markut. Episodi i shkurtër sillet me ndryshime të lehta, por sugjestive, edhe në dy ungjijtë sinoptikë. «Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe», shkruan Marku. Nuk e dimë nëse bëhej fjalë për një sëmundje të lehtë, por në pleqëri edhe një temperaturë e lehtë mund të jetë e rrezikshme. Kur je i vjetër nuk e komandon më trupin. Duhet të mësosh të zgjedhësh se çfarë duhet bërë e çfarë s’duhet bërë. Fuqia e fizikut s’është më dhe na braktis, edhe pse zemra jonë nuk resht së dëshiruari. Prandaj, duhet të mësojmë që ta pastrojmë dëshirën: të kemi duresë së çfarë duhet t’i kërkojmë trupit, jetës. Si të vjetër që jemi nuk mund të bëjmë atë që bënim kur ishim të rinj, trupi ka një ritëm dhe duhet ta dëgjojmë atë e të pranojmë limitet; të gjithë kemi, apo jo? Edhe unë duhet të eci me shkop.

Mbi të moshuarin, sëmundja peshon në mënyrë të ndryshme e të re krahasuar me moshën e re apo të rritur. Është si një goditje e fortë që bie mbi një kohë, tashmë, të vështirë. Sëmundja e të moshuarit duket se e përshpejton vdekjen dhe, sidoqoftë, atë kohë që ngelet për t’u jetuar që tashmë çmohet e shkurtër. Na lind dyshimi se nuk do ta marrim më veten, se “kjo herë do të jetë e fundit që sëmurem…”. Na vijnë këto ide, e kështu më radhë. Nuk arrijmë ta ëndërrojmë shpresën e një të ardhmeje që duket tashmë e paqenë. Një shkrimtar i famshëm italian, Italo Calvino, vërente sesi të vjetërit që vuajnë humbjen e gjerave që i kishin, hidhërohen në zemër më tepër sesa i gëzohen ardhjes së atyre të reja. Mirëpo, skena ungjillore që kemi dëgjuar na ndihmon të shpresojmë dhe na ofron tashmë një mësim të parë. Jezusi nuk e viziton i vetëm atë grua të moshuar, por shkon së bashku me dishepujt. Kjo na bën të mendojmë.

Është bashkësia e krishterë ajo që duhet të kujdeset për të moshuarit: të afërmit dhe miqtë. Bashkësia. Vizita te të vjetrit duhet të bëhet nga shumë veta, së bashku dhe shpesh. Asnjëherë nuk duhet t’i harrojmë këto tre rreshta të Ungjillit. Sidomos sot, që numri i të moshuarve është rritur ndjeshëm. Edhe në proporcion më të rinjtë, sepse nuk lindin më fëmijë dhe ka më shumë të vjetër sesa të rinj. Duhet ta ndjejmë përgjegjësinë për të vizituar të moshuarit të cilët shpeshherë janë të vetmuar dhe t’ia paraqesim Zotit me lutjen tonë. Vetë Jezusi do të na mësojë se si t’i duam ata. «Një shoqëri është përnjëmend mirëpritëse kundrejt jetës kur njeh se ajo është e çmueshme edhe në pleqëri, në paaftësi, në sëmundje të rëndë dhe kur është duke u shuar». Jeta është kurdoherë e çmueshme. Jezusi, kur sheh atë grua të vjetër të sëmurë, e merr për dore dhe e shëron duke e çuar përsëri në këmbë. I njëjti gjest që bën për të ringjallur vajzën e re që kishte vdekur: e merr për dore dhe e ngrit. E shëron duke e çuar përsëri në këmbë. Jezusi, me këtë gjest të ngrohtë dashurie, u jep mësimin e parë dishepujve: shpëtimi kumtohet ose më mirë përcillet nëpërmjet vëmendjes ndaj atij personi të sëmurë dhe feja e asaj gruaje shkëlqen në mirënjohje për dashamirësinë e Hyjit që është përkulur mbi të. Po kthehem sërish mbi një temë që e kam përsëritur në këto katekeza. Kjo kultura e “skartimit” duket se i fshin të moshuarit. Është e vërtetë se nuk i vret, por nga ana shoqërore i fshin si të ishin një peshë për t’u bartur, është më mirë që t’i fshehim. Kjo është një tradhti përkundrejt njerëzishmërisë vetjake. Kjo është gjëja më e shëmtuar. Kjo është një seleksionim i jetës sipas dobishmërisë, sipas rinisë. E jo pranim i jetës ashtu siç është, me urtinë e pleqve, me kufizimet e tyre. Të vjetrit kanë shumë për të na dhënë. Urtinë e jetës, kanë shumë për të na mësuar. Për këtë arsye ne duhet t’u mësojmë edhe fëmijëve që të shkojnë e t’i kujdesin të vjetrit. Dialogu: të rinj – fëmijë – gjyshër, është themeltar për shoqërinë, për Kishën, për shëndetin e jetës; aty ku mungon dialogu mes të rinjve dhe të moshuarve mungon diçka dhe rritet një brezni pa të kaluar, domethënë pa rrënjë!

Nëse mësimi i parë na vjen nga Jezusi, i dyti vjen na gruaja e moshuar, që “u ngrit dhe u shërbeu”. Edhe si të vjetër mundemi, madje, duhet ta shërbejmë bashkësinë. Është mirë që të moshuarit të kultivojnë përsëri përgjegjshmërinë e të shërbyerit, duke mposhtur tundimin për t’u vënë mënjanë. Zoti nuk i skarton, përkundrazi u rijep atyre forcë për të shërbyer. Më pëlqen të vë në dukje se nuk ka asnjë emfazë të veçantë në këtë tregim prej anës së ungjilltarëve: është normaliteti i ndjekjes së Jezusit [sekuelës], të cilën dishepujt do ta mësojnë, me gjithë rëndësinë e vet, përgjatë rrugës së formimit që do të bëjnë në shkollën e Jezusit. Pleqtë që ruajnë gatishmërinë për shërim, ngushëllim, ndërmjetësim për vëllezërit dhe motrat e tyre – qofshin ata dishepuj, qofshin centurionë, njerëz të munduar nga shpirtrat e këqij, njerëz të skartuar… – janë ndoshta dëshmia më e lartë e pastërtisë së kësaj mirënjohjeje që shoqëron fenë. Nëse të moshuarit, në vend që të skartoheshin dhe të largoheshin nga skena e ngjarjeve që shënojnë jetën e bashkësisë, do të viheshin në qendër të vëmendjes kolektive, [ata] do të inkurajoheshin të ushtronin shërbimin e çmuar të mirënjohjes ndaj Hyjit, i cili nuk harron askënd. Mirënjohja e të moshuarve për dhuratat e marra nga Hyji në jetën e tyre, siç na mëson vjehrra e Pjetrit, i rikthen bashkësisë gëzimin e bashkëjetesës dhe i jep fesë së dishepujve tiparin thelbësor të destinacionit të vet.

Por ne duhet të kuptojmë mirë se fryma e ndërmjetësimit dhe e shërbimit, që Jezusi përshkruan për të gjithë dishepujt e tij, nuk është thjesht një çështje grash: nuk ka asnjë gjurmë të këtij kufizimi, në fjalët dhe veprimet e Jezusit. Shërbimi ungjillor i mirënjohjes për dashamirësinë e Hyjit nuk shkruhet në asnjë mënyrë në gramatikën e burrit padron dhe gruas shërbëtore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gratë nuk mund t’u mësojnë burrave gjëra për mirënjohjen dhe dashamirësinë/butësinë e fesë, të cilat ata e kanë më të vështirë t’i kuptojnë. Vjehrra e Pjetrit, përpara se Apostujt të mbërrinin, përgjatë rrugëtimit të sekuelës së Jezusit, u tregoi edhe atyre rrugën. Dhe delikatesa e veçantë e Jezusit, i cili “i preku dorën” dhe “u përkul butësisht” mbi të, e bëri të qartë që në fillim ndjeshmërinë e tij të veçantë ndaj të dobëtëve dhe të sëmurëve, të cilën Biri i Hyjit e kishte mësuar me siguri nga Nëna e vet. Ju lutem, lërini të moshuarit, gjyshërit, gjyshet të jenë pranë fëmijëve, pranë të rinjve për të përçuar këtë kujtesë të jetës, për të përçuar këtë përvojë të jetës, këtë urti të jetës. Në masën me të cilën bëjmë që të rinjtë dhe të vjetrit të lidhen, në atë masë do të ketë shpresë për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme