26.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa në mesazhin ‘Urbi et Orbi’: Ngjallja e Krishtit ngjarje që ndriçon...
HomeKryesorPapa në mesazhin ‘Urbi et Orbi’: Ngjallja e Krishtit ngjarje që ndriçon...

Papa në mesazhin ‘Urbi et Orbi’: Ngjallja e Krishtit ngjarje që ndriçon zonat e errëta të botës

Në orën 12 të mesditës, nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Ati Shenjt Françesku u drejtoi Mesazhin e Pashkëve besimtarëve të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit dhe atyre që e dëgjonin atë nëpërmjet radios, televizionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit.

Më pas, si u bë shpallja e dhënies së ndjesës nga Kardinali Protodiakon Renato Raffaele Martino, Papa dha Bekimin “Urbi et Orbi”.

Më poshtë po publikojmë Mesazhin e Pashkëve të Atit Shenjt:

Mesazhi i Atit Shenjt

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkët!

Jezusi, i Kryqëzuari, u ngjall! Ai vjen mes atyre që e vajtojnë, e që ishin të mbyllur në shtëpi, plot frikë dhe ankth. Ai vjen tek ata dhe u thotë: «Paqja me ju» (Gjn 20,19). U tregon atyre plagët në duar dhe këmbë, plagën në kraharor: nuk është një fantazmë, është pikërisht Ai, i njëjti Jezus që vdiq në kryq dhe qe varrosur. Para syve mosbesues të dishepujve, Ai përsërit: «Paqja me ju!» (rr. 21).

Edhe sytë tanë janë mosbesues, në këtë Pashkë lufte. Kemi parë shumë gjak, shumë dhunë. Edhe zemrat tona janë mbushur me frikë dhe ankth, ndërsa kaq shumë prej vëllezërve dhe motrave tona u është dashur të mbyllen brenda për t’u mbrojtur nga bombat. E kemi të vështirë ta besojmë se Jezusi u ngjall përnjëmend, se me të vërtetë e mundi vdekjen. A mund të jetë një iluzion? Një fryt i imagjinatës sonë?

Jo, nuk është një iluzion! Sot më shumë se kurrë jehon kumtimi i Pashkëve, kaq i dashur për Lindjen e krishterë: «Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall!». Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Të, në përfundim të një Kreshmëje që duket se nuk do që të përfundojë. Kemi lënë pas dy vite pandemie, të cilat kanë lënë gjurmë të thella. Ishte koha për të dalë nga tuneli së bashku, dorë për dore, duke bashkuar forcat dhe burimet tona … Dhe, në vend të kësaj, ne po tregojmë se në ne nuk është ende shpirti i Jezusit, ekziston ende shpirti i Kainit, i cili e vëren Abelin jo si vëlla, por si një rival dhe mendon se si ta eliminojë. Kemi nevojë për të Kryqëzuarin e Ngjallur për të besuar në fitoren e dashurisë, për të shpresuar për pajtim. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Të, që ai të vijë mes nesh dhe të na thotë përsëri: «Paqja me ju!».

Vetëm Ai mund ta bëjë këtë gjë. Vetëm ai ka të drejtën, sot, të na kumtojë paqen. Vetëm Jezusi, sepse ai mbart plagët, plagët tona. Ato plagë të tijat janë tonat dy herë: tonat sepse ne ia kemi shkaktuar atij, me mëkatet tona, me ngurtësinë e zemrës sonë, me urrejtjen vëllavrasëse; dhe tonat sepse ai i bart për ne, nuk i ka fshirë nga Trupi i tij i lavdishëm, deshi t’i mbante përgjithmonë në vetvete. Ato janë një vulë e pashlyeshme e dashurisë së tij për ne, një ndërmjetësim i përhershëm në mënyrë që Ati qiellor t’i shohë dhe të ketë mëshirë për ne dhe për mbarë botën. Plagët, në Trupin e Jezusit të ngjallur, janë shenja e luftës që Ai bëri dhe fitoi për ne, me armët e dashurisë, që ne të kemi paqe, të jemi në paqe, të jetojmë në paqe.

Duke parë ato plagë të lavdishme, sytë tanë mosbesues hapen, zemrat tona të ngurtësuara hapen dhe lejojnë që të hyjë kumtimi i Pashkëve: «Paqja me ju!».

Vëllezër dhe motra, të lejojmë që paqja e Krishtit të hyjë në jetën tonë, në shtëpitë tona, në vendet tona!

Paqja qoftë mbi Ukrainën e goditur, kaq shumë të sprovuar nga dhuna dhe shkatërrimi i luftës mizore dhe të pakuptimtë në të cilën u shty. Në këtë natë të tmerrshme vuajtjeje dhe vdekjeje, lindtë pa vonuar një agim i ri shprese! U përqafoftë paqja. U ndaltë ajo shpërfaqje e muskujve ndërsa njerëzit vuajnë. Ju lutem, ju lutem: të mos mësohemi me luftë, të angazhohemi të gjithë për të thirrur me sa zë kemi paqen, nga ballkonet e shtëpive dhe nëpër rrugë! Paqe! Kushdo që në një komb ka përgjegjësi, ta dëgjojë thirrjen e njerëzve për paqe. Ta dëgjojë atë pyetjeje vramendëse të bërë nga shkencëtarët gati shtatëdhjetë vjet më parë: «A do t’i japim fund njerëzimit apo njerëzimi do të dijë të heqë dorë nga lufta?» (Manifesto Russell-Einstein, 9 korrik 1955).

Unë mbaj në zemrën time të gjitha viktimat e shumta ukrainase, miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit, familjet e ndara, të moshuarit e mbetur vetëm, jetët e thyera dhe qytetet e rrafshuara. Në sytë e mi ruaj vështrimin e fëmijëve të ngelur jetimë e që ikin nga lufta. Duke i parë ata, nuk mund të mos e dëgjojmë britmën e tyre të dhimbjes, së bashku me atë të shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë në mbarë botën: të atyre që po vdesin nga uria ose nga mungesa e kurave, atyre që janë viktima të abuzimit dhe dhunës dhe atyre që u është mohuar e drejta për të lindur.

Në dhimbjen e luftës nuk mungojnë edhe shenjat inkurajuese, siç janë dyert e hapura të shumë familjeve dhe komuniteteve që mirëpresin emigrantët dhe refugjatët në të gjithë Evropën. Këto akte të shumta bamirësie u bëfshin një bekim për shoqëritë tona, ndonjëherë të degraduara nga kaq shumë egoizëm dhe individualizëm, dhe ndihmofshin për t’i bërë ato mikpritëse për të gjithë.

Konflikti në Evropë na bëftë më vigjilentë edhe përballë situatave të tjera të tensionit, vuajtjeve dhe dhimbjeve, duke prekur shumë rajone të botës; ne nuk mund e nuk duam t’i harrojmë.

Qoftë paqe për Lindjen e Mesme, të rrënuar nga vite të tëra përçarjesh dhe konfliktesh. Në këtë ditë të lavdishme le të kërkojmë paqe për Jerusalemin dhe paqe për ata që e duan atë (krh. Ps 121 [122]), të krishterë, hebrenj dhe myslimanë. Izraelitët, palestinezët dhe të gjithë banorët e Qytetit të shenjtë, së bashku me shtegtarët, e përjetofshin bukurinë e paqes, jetofshin në vëllazëri dhe paqin hyrje të lirë në Vendet e Shenjta në respekt të ndërsjellë për të drejtat e secilit.

Qoftë paqe dhe pajtim për popujt e Libanit, Sirisë dhe Irakut, dhe në veçanti për të gjitha bashkësitë e krishtera që jetojnë në Lindjen e Mesme.

Qoftë paqe edhe për Libinë, gjettë stabilitet pas vitesh tensionesh, dhe për Jemenin, i cili vuan nga një konflikt, i harruar prej të gjithëve, me viktima të vazhdueshme: armëpushimi i nënshkruar ditët e fundit ia ktheftë shpresën popullatës.

T’ia kërkojmë Zotit të Ngjallur dhuratën e pajtimit për Mianmarin, ku vazhdon një skenar dramatik i urrejtjes dhe dhunës, dhe për Afganistanin, ku tensionet e rrezikshme shoqërore nuk po zbuten dhe ku një krizë dramatike humanitare po e mundon popullsinë.

Qoftë paqe për mbarë kontinentin afrikan, që shfrytëzimi, viktimë e të cilit është, dhe hemorragjia e shkaktuar nga sulmet terroriste – veçanërisht në zonën e Sahelit – të pushojë dhe të gjejë mbështetje konkrete në vëllazërinë e popujve. Etiopia, e sfilitur nga një krizë e rëndë humanitare, e gjettë rrugën e dialogut dhe pajtimit, marrtë fund dhuna në Republikën Demokratike të Kongos. Lutja dhe solidariteti për popujt e Afrikës së Jugut lindor, të prekur nga përmbytjet shkatërruese, mos mungoftë.

Krishti i ngjallur shoqëroftë dhe ndihmoftë popullatat e Amerikës Latine, që në disa raste kanë parë të përkeqësohen kushtet e tyre sociale në këto kohë të vështira pandemie, të përkeqësuara edhe nga rastet e krimit, dhunës, korrupsionit dhe trafikut të drogës.

E lusim Zotin e Ngjallur të jetë përkrah Kishës Katolike kanadeze në rrugën e pajtimit që po ndjek me popujt autoktonë. Shpirti i Krishtit të Ngjallur i shëroftë plagët e të shkuarës dhe i bëftë të gatshme zemrat për kërkimin e së vërtetës dhe vëllazërisë.

Të dashur vëllezër dhe motra, çdo luftë sjell me vete pasoja që përfshijnë gjithë njerëzimin: nga pikëllimi te drama e refugjatëve, te kriza ekonomike dhe ushqimore, shenjat e së cilës tashmë mund t’i shohim. Përballë shenjave të vazhdueshme të luftës, si dhe humbjeve të shumta e të dhimbshme të jetës, Krishti, fitimtari i mëkatit, i frikës dhe i vdekjes, na nxittë që të mos i dorëzohemi të keqes dhe dhunës. Vëllezër dhe motra, të lejojmë që paqja e Krishtit të fitojë mbi ne! Paqja është e mundur, paqja është detyrore, paqja është përgjegjësia parësore e të gjithëve!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme