11.5 C
Tirana
HomeMësimi i PapësPapa Françesku nga Gemelli: Kujdesi shëndetësor është për të gjithë të...
HomeMësimi i PapësPapa Françesku nga Gemelli: Kujdesi shëndetësor është për të gjithë të...

Papa Françesku nga Gemelli: Kujdesi shëndetësor është për të gjithë të sëmurët

Mond MARKU

Një Angelus i veçantë ai i kësaj të diele. Me pamje nga ballkoni në katin e 10-të të Poliklinikës Gemelli, Papa Françesku shpreh kënaqësinë e tij për të qenë në gjendje të “mbajë takimin e së Dielës”, me besimtarët të cilët u mblodhën të shumtë në Gemelli për ta dëgjuar atë. Mendimet e tij shkojnë te të sëmurët. “Një sistem shëndetësor që siguron një shërbim të mirë të arritshëm për të gjithë”, thotë ai, është një aset i çmuar që nuk humbet, ne duhet të angazhohemi për mirëmbajtjen e tij

Angelus-i i plotë:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Jam i lumtur që mund të mbaj takimin e së dielës së Angelus, edhe këtu nga Poliklinika “Gemelli”. Unë ju falënderoj të gjithëve: e ndjeva afërsinë tuaj dhe mbështetjen e lutjeve tuaja. Faleminderit me gjithë zemër! Ungjilli që lexojmë sot në Liturgji tregon se dishepujt e Jezusit, të dërguar prej Tij, “lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin” (Mk 6,13). Ky “vaj” na bën të mendojmë edhe për sakramentin e Vajimit të të Sëmurëve, i cili i jep ngushëllim shpirtit dhe trupit. Por ky “vaj” është edhe dëgjimi, afërsia, kujdesi, butësia e atyre që kujdesen për personin e sëmurë: është si një përkëdhelje që të bën të ndihesh më mirë, lehtëson dhimbjen dhe të ngre përsëri. Të gjithë ne, të gjithë, herët a vonë kemi nevojë për këtë “vajim” të afërsisë dhe butësisë, dhe të gjithë mund t’ia dhurojmë dikujt tjetër, me një vizitë, një telefonatë, një dorë të shtrirë për atë që ka nevojë për ndihmë. Le të kujtojmë se, në protokollin e gjykimit të fundit – Mateu 25 – një nga gjërat që do të kërkohet nga ne do të jetë afërsia ndaj të sëmurëve.

Në këto ditë shtrimi në spital, unë kam provuar edhe një herë se sa i rëndësishëm është një shërbim i mirë shëndetësor, i arritshëm për të gjithë, siç është rasti në Itali dhe vendet e tjera. Një shërbim shëndetësor falas, i cili siguron një shërbim të mirë të arritshëm për të gjithë. Këtë pasuri të çmuar nuk duhet ta humbim. Duhet ta mbajmë atë! Dhe për këtë gjë duhet të angazhohemi të gjithë, sepse i shërben të gjithëve dhe kërkon kontributin e të gjithëve. Edhe në Kishë ndonjëherë ndodh që ndonjë institucion shëndetësor, për shkak të një menaxhimi jo të mirë, nuk ecën mirë ekonomikisht dhe mendimi i parë që na vjen është ta shesim atë. Por thirrja, në Kishë, nuk është të kesh para, është të bësh shërbimin dhe shërbimi është gjithmonë falas. Mos ta harrojmë këtë: të shpëtojmë institucionet që veprojnë falas.

Dua të shpreh vlerësimin dhe inkurajimin tim për mjekët dhe të gjithë operatorët e kujdesit shëndetësor dhe personelin e këtij spitali dhe spitaleve të tjera. Ata punojnë shumë! E të lutemi për të gjithë të sëmurët. Këtu janë disa miq fëmijë të sëmurë… Pse vuajnë fëmijët? Pse vuajnë fëmijët është një pyetje që të prek në zemër. T’i shoqërojmë ata me lutje dhe të lutemi për të gjithë të sëmurët, veçanërisht për ata që janë në kushte më të vështira: askush të mos lihet vetëm, të gjithë të mund të marrin vajimin e dëgjimit, afërsisë, butësisë dhe kujdesit. E kërkojmë këtë për ndërmjetësinë e Marisë, Nënës sonë, Shëndeti i të sëmurëve.

Marrë nga: Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme