16.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleNënë Tereza, fjalë që jehojnë edhe sot: “asgjë nuk do t’i justifikojë...
HomeKisha UniversaleNënë Tereza, fjalë që jehojnë edhe sot: “asgjë nuk do t’i justifikojë...

Nënë Tereza, fjalë që jehojnë edhe sot: “asgjë nuk do t’i justifikojë humbjet e shkaktuara nga armët tuaja”

Sot, në ditën e dymbëdhjetë pas sulmit rus, gjendja në Ukrainë mbetet dramatike. Vijojnë bombardimet e situata në periferi të kryeqytetit duket katastrofike, ndërsa në Mariupol e në qytetet e tjera të rrethuara, civilët nuk arrijnë të largohen. Moska akuzon ukrainasit se po i përdorin si mburoja njerëzore. Ndër ta, mbeti i vrarë kryebashkiaku i Gostomel, ndërsa përpiqej të organizonte shpërndarjen e ndihmave. Gjithnjë aktuale thirrja e kryeipeshkvit greko-katolik Sviatoslav Shevchuk për krijimin e korridoreve, që i japin mundësi popullsisë të zhvendoset në vende më të sigurta dhe lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare. Ndërkaq, Moska, me idenë e hapjes së këtyre korridoreve në drejtim të Rusisë e Bjellorusisë, shkakton protestat e botës perëndimore.

 Nuk dihet nëse bisedimet, që kanë hyrë në raudin e tretë, do të mund të sjellin risi pozitive, por Kievi njofton se Rusia ka filluar të shtojë trupat e veta përreth kryeqytetit. Hapen kanale të tjera diplomatike me Izraelin, Kinën e Turqinë. Në bisedimin e katërt Putin-Macron, kreu i Kremlinit deklaroi se nuk do të sulmojë centralet bërthamore. Ndërkaq, në Rusi, ende mijëra arrestime gjatë manifestimeve kundër luftës.

Thirrja e Papës Françesku: të ndalen sulmet

Edhe për Papën Françesku, Ukraina është përfshirë nga një “luftë që mbjell vdekje”. Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë foli për “lumenj gjaku e lotësh”, shkaktuar nga konflikti Moskë-Kiev, të cilin sërish e quajti “çmenduri”. Kujtoi viktimat e shumta, nënat e fëmijët në ikje nga bombat. Siguroi se Selia e Shenjtë do të bëjë ç’është e mundur për paqen. E duke komentuar Ungjillin paralajmëroi: me djallin, as dialog, as kompromis, por “Fjalën e Zotit”. Papa nuk harroi të falënderojë të gjithë ata, që mirëpresin refugjatët, të cilët kanë arritur tashmë shifrën një milion e gjysmë. E sërish, bëri thirrje “të ndalen sulmet e armatosura, të kenë epërsi bisedimet e mirëkuptimi dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare”.

Lufta në Ukrainë: familjet ruse në krizë

Pushtimi i Ukrainës, urdhëruar nga presidenti Putin, ka shkaktuar përçarje ndërmjet brezave në familjet ruse, në krizë: të rinjtë kritikojnë regjimin e Moskës, të moshuarit mbështesin presidentin. Për propagandën e Kremlinit, ukrainasit po bombardojnë shtëpitë e tyre. Ndër aspektet e shumta tragjike të këtij sulmi, është edhe humbja e jetëve të ushtarëve rusë, të rinj dërguar si mish për top kundër ukrainasve. Zyrtarisht, Kremlini pranon disa qindra humbje në krahasim me mijërat, që raportojnë ukrainasit, shkruan agjencia AsiaNews.

Kufomat riatdhesohen gati fshehurazi, por funeralet e para “të heshtura” po kremtohen tashmë në rajonet afër zonave të luftës, si në Çeçeni, Ingushetia, Kabardino-Balkaria, Astrakhan, në Osetinë e Veriut, Krasnodar dhe Dagestan. Nga këto territore, vaji i nënave u pasqyrua edhe në shtyp, siç dokumenton Kavkaz.Realii, një nga agjencitë e shumta, që ka rrezik të mbyllet nga autoritetet ruse.

Thirrja e salezianëve: “njerëzit kanë nevojë ta ndiejnë praninë e Zotit”

“Janë ditë të vështira, lufta e ka tronditur thellë popullsinë tonë. Shumë nuk kanë më shtëpi dhe ka radhë pa fund për të blerë edhe gjërat më të nevojshme. Shumë njerëz kanë nevojë ta ndiejnë mbështetjen, forcën, praninë e Zotit e, edhe atë të botës”. Këto fjalë i thotë për agjencinë katolike të lajmeve Fides, Át Maksym Ryabukha, meshtar salezian, drejtor i “Shtëpisë së Zojës Ndihmëtare” në Kiev, duke rrëfyer tragjedinë e kryeqytetit ukrainas të rrethuar nga ushtria ruse.

Dy motra indiane të Nënë Terezës nuk ikin nga Kievi

Ndërkaq, nëse meshtarë e misionarë largohen nga Ukraina për të shoqëruar refugjatët, dy Misionare të Dashurisë me origjinë nga Mizoram, shtet i vogël në Indinë verilindore, me shumicë të krishterë, kanë vendosur të rrinë në Kiev, siç njofton agjencia katolike indiane MattersIndia. Dy motrat e Nënë Terezës, Rosela Nuthangi dhe Ann Frida vënë në rrezik jetën për të ndihmuar të varfrit e tyre. Lidhja ndërmjet Misionareve të Dashurisë dhe Ukrainës e ka zanafillën në impenjimin e vetë Nënë Terezës, e cila, në vitin 1987, arriti të kalonte Perden e hekurt dhe të hynte në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik, për të ndihmuar viktimat e Çernobilit. Motrat e saj kujtojnë sot thirrjen e shenjtes së madhe shqiptare për paqen: “Ju lutem në gjunjë: asgjë nuk do ta justifikojë kurrë dhimbjen dhe humbjet e shkaktuara nga armët tuaja”.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme