Me një dekret të veçantë, Arqipeshkvi i Arqidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult ka bërë riemertimin e famullisë së Katedralës së Shën Shtjefnit nga famullia “Shën Shtjefni” në famullinë “Zoja e Shkodrës”.
Në dekretin e tij, Arqipeshkvi ka rënditur disa pika sepse e ka marrë këtë vendim për ta ndryshuar emrin e famullisë. Një nga pikat është se besimtarët dhe kleri nuk e kanë ndjerë kurrë si të tyren festën e Shën Shtjefnit si Pajtor të Famullise, dëshmi për këtë është zhgënjimi i madh i shumë njerëzve në vitin 1996, dëshmuar edhe nga shprehja e Atë Gjergj Vatës S.l., njohës i mirë i jetës kishtare të Shkodrës, i cili ka thënë: “Na ndjefte Zoti! Na falte Zoti!) Unë kurr nuk e kam ndie përpara këtë emër të famullisë së Shkodrës”.
Ndërsa emri i Katedrales do mbetet ashtu siç është “Katedralja e Shën Shtjefnit”.
DEKRET
Çdo kishë e veçantë e ka qendrën e saj në Katedralen e Dioqezës, seli e Katedrales së Ipeshkvit, nga e cila ai ushtron mbarështimin e tij si bari që drejton, mëson dhe shenjtëron popullin që i është besuar.
Kjo nuk përjashton që, bashkangjitur me kishën Katedrale, mund të ketë një pjesë të Popullit të Zotit që mund të identifikohet, territorialisht, ne entin juridic “Famulli”.
Kështu është për Katedralen tonë të Shkodrës që mban emrin e Shën Shtjefnit protomartir, emër të cilin e mban njëkohësisht edhe Arqipeshkvia Shkodër-Pult.
Në vitin 1996, Famullia, e cila e ka selinë në Katedrale, ka marrë të njëjtin emër pa marrë parasysh as traditën as historinë.
PRANDAJ
1. Duke u bazuar në dokumentet historike dhe në vulat e të kaluarës të cilat tregojnë se e vetmja Famulli në Shkodër i kushtohej “Zojës së Këshillit të Mirë”;
2. Pasi u konstatua se Mons. Loro Nodaj, famullitar i Katedralës, nga maji 1993 deri në qershor 1995 i ka nënshkruar dokumentet e famullisë me vulën e Arqipeshkvisë;
3. Pasi u pa se Mons. Lucjan Avgustini, famullitar që nga 14 korriku 1995, fillimisht i ka nënshkruar dokumentet me vulën: “Kisha Katedrale – Famullia e Shkodrës” dhe vetëm me datën 9 prill 1996 ka lajmëruar zyrtarisht entet e ndryshme publike (sip.sh.: Postën, Bankën Tregtare, etj.), që duke filluar nga ajo datë famullia do t’i kushtohej “Shën Shtjefnit”.
4. Pasi u pa dhe u mor parasysh se si para komunizmit ashtu edhe fill pas rifitimit të lirisë fetare, domethënë që nga viti 1992, në qytetin e Shkodres besimtarët kanë kremtuar dhe ende sot kremtojnë solemnisht “Festën e Zojës së Shkodrës”, të hënën e tretë të muajit tetor. Kjo festë përjetohet si një ”festë tradicionale” dhe ”festë e pajtores”, me një pjesëmarrje të madhe të njerëzve që ndjekin procesionin me ikonën e Virgjërës Mari;
5. Pasi u konstatua se besimtarët dhe kleri nuk e kanë ndjerë kurrë si të tyren festën e Shën Shtjefnit si Pajtor të Famullise, dëshmi për këtë është zhgënjimi i madh i shumë njerëzve në vitin 1996, dëshmuar edhe nga shprehja e Atë Gjergj Vatës S.l., njohës i mirë i jetës kishtare të Shkodrës, i cili ka thënë: “Na ndjefte Zoti! Na falte Zoti!) Unë kurr nuk e kam ndie përpara këtë emër të famullisë së Shkodrës”.
6. Duke marrë parasysh që Këshilli Presbiteral, në takimin e mbajtur me datën 17 qershor 2021, u shpreh njëzëri për kushtimin e famullisë “Zojës së Shkodrës”, në mënyrë që të dallohet nga Katedralja që mban emrin “Shën Shtjefni”;
I Mbështetur nga mendimi në favor i Këshillit Presbiteral, në respekt të plotë të traditës historike dhe të devocionit të besimtarëve të Arqipeshkvisë dhe të qytetit të Shkodrës në veçanti,
DEKRETOJMË
që Entit juridik “Famulli” me seli në Katedralen e Shkodrës t’i jepet emri “Zoja e Shkodrës”, ndërsa Entit juridik “Katedralja” t’i ruhet emri “Shën Shtjefni, Protomartir”.
Ky Dekret hyn në fuqi duke filluar nga data 18 tetor 2021, festa tradicionale e “Zojës së Shkodrës”.
Me shpresën se ky dekret do të mirëpritet nga të gjithë, e shoqëroj atë me bekimin tim.
Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult