15.5 C
Tirana
HomeAdministratura Apostolike e Shqipërisë së JugutMrekullia e një feje në rritje në Shqipëri
HomeAdministratura Apostolike e Shqipërisë së JugutMrekullia e një feje në rritje në Shqipëri

Mrekullia e një feje në rritje në Shqipëri

Intervista e Imzot Giovanni Peragine për ChiesadiMilano

Këtë e vuri në dukje edhe Arqipeshkvi Delpini, siç tregon Imzot Giovanni Peragine, Administrator apostolik që e mirëpriti atë në jug të vendit, në etapën e fundit të vizitës së tij, “e cila përforcoi bashkimin dhe bashkëpunimin midis Kishave tona”.

Dy ditët e fundit të vizitës baritore të Arqipeshkvit të Milanos në jug të Shqipërisë janë një bilanc pozitiv. Kështu shprehet Imzot Giovanni Peragine, Administrator apostolik i mbërritur në jugun e Shqipërisë në vitin 2017, i cili pak orë më parë përshëndeti Delpinin në takimin e fundit në Lushnje para se ai të kthehej në dioqezë.

Si e vlerësoni vizitën e Arqipeshkvit Delpini?

Bilanci është sigurisht pozitiv, jo vetëm për ne, por edhe për Imzot Delpinin që na vizitoi së bashku me don Maurizio Zago-n. Kjo vizitë përforcoi bashkimin mes Kishave, bashkim i cili gjen shprehjen e vet jo vetëm në vëllazërim, por edhe në pjesëmarrjen në të njëjtin mision të Kishës. Janë Kisha që kërkojnë të bashkëpunojnë duke pasur si qëllim ungjillëzimin.

Cilat ishin etapat?

Imzot Delpini vizitoi dje disa nga bashkësitë tona që padyshim kanë një karakter të ndryshëm nga ato që ai kishte vizituar dy ditë më parë në veri të Shqipërisë. Realiteti ynë është i veçantë jo vetëm sepse është Administratë dhe jo Dioqezë, por mbi të gjitha për shkak të shtrirjes së gjerë të territorit. Arqipeshkvi do të ketë vënë re dhe i është thënë, se distancat këtu janë shumë më të mëdha sesa ato që kishte përshkuar në ditët e mëparshme. Administrata apostolike mbulon më shumë se gjysmën e territorit të Shqipërisë, që përkon me 60% të mbarë vendit.

Po popullsia me sa përkon? E katolikët?

Nuk është e lehtë të llogaritet popullsia për dy arsye. Së pari, Shqipëria ka rreth 2.500.000-2.800.000 banorë, nga të cilët vetëm 1 milion janë të përqendruar në kryeqytet; së dyti, ka një eksod të vazhdueshëm të shqiptarëve drejt vendeve të jashtme. Si katolikë ne jemi ende pakicë. Në vendin tonë, katolikët përbëjnë 12-13% të mbarë popullsisë dhe pjesa më e madhe është e pranishme në veri. Në Shqipëri ka 6 dioqeza, nga të cilat 5 janë të përqendruara në veri, sepse pakica katolike është e pranishme në pjesën veriore të vendit, ndërsa në të gjithë jugun ekziston një dioqezë e vetme, ku sot mund të llogariten rreth 3000 katolikë. Këto bashkësi të shpërndara në mbarë territorin e gjerë të jugut lindën falë pranisë së misionarëve në 25 vjet.

Një punë e madhe për ungjillëzim…

Po, sepse 20-25 vjet më parë mbërritën misionarë dhe motra në një zonë ku mbase nuk kishte asnjë katolik dhe sot ka një bashkësi të vogël. Imzot Delpini, i cili vizitoi disa prej tyre, tha se kishte parë të paktën disa mrekulli, sepse atje ku nuk ka pasur asnjë katolik, sot, ekziston një bashkësi e vogël.

Kështu edhe roli i don Enzo Zago-s (ambrozian fidei donum që mbërriti një muaj më parë) bëhet i rëndësishëm…

Don Enzo vjen për të ndihmuar ungjillëzimin veçanërisht në këto vende të pa vizituara ende nga misionarët. Unë kam vetëm 4 vjet këtu dhe ende sot jam dëshmitar i mrekullive, sepse ka njerëz që vijnë e kërkojnë për të njohur Jezusin, ngaqë në këto vende askush nuk e ka shpallur Ungjillin. Dhe ka ende shumë zona që nuk janë arritur nga ne, nga misionarët, edhe përballë kërkesave. Së bashku me misionarë të tjerë, don Enzo ka filluar të vizitojë disa zona, veçanërisht një fshat ku dy vite më parë njerëzit na kërkuan të shkonim dhe të shpallnim Ungjillin sepse donin të njihnin Jezusin. Megjithatë, pandemia na ka bllokuar pak, porse me ardhjen e don Enzo-s i rifilluam vizitat në këtë fshat. Dhe kjo është diçka shumë e bukur.

Vizita baritore përfundoi mëngjesin e së premtes me takimin e misionarëve…

Po, dhe Imzot Delpini nënvizoi këtë bashkëpunim mes Kishave. Unë them se bashkëpunimi nuk bazohet vetëm mbi nevojën: don Enzo nuk është këtu vetëm sepse kjo Kishë e re ka nevojë për misionarë (ndër të tjera, këtu nuk kam asnjë prift dioqezan). Nevoja për të pasur misionarë në një territor kaq të gjerë është e rëndësishme, por prania e don Enzo-s nuk lidhet vetëm me një nevojë: është një bashkëpunim, një bashkim mes Kishave. Sigurisht, ne e kemi këtë ndihmë, këtë mbështetje nga Dioqeza e Milanos, por siç theksoi edhe Imzot Delpini, edhe Kisha e kahershme e Milanos ka nevojë për këtë «freski shpirtërore» dhe atë entuziazëm që këto Kisha të reja mund t’u ofrojnë Kishave të traditës së lashtë.

Përkthyer nga Chiesa di Milano

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme