10.5 C
Tirana
HomeKISHMotër Gemma, 100 vjeçe, në shërbim të Krishtit e të shqiptarëve
HomeKISHMotër Gemma, 100 vjeçe, në shërbim të Krishtit e të shqiptarëve

Motër Gemma, 100 vjeçe, në shërbim të Krishtit e të shqiptarëve

Motra Engjëllore Gemma Naccarato shkeli në trojet tona e shoqëruar nga motra shqiptare, Vera Lleshi, më 12 nёntor tё vitit 1995… Shkeli e nuk u largua më. Shqipëria u bë atdheu i saj i dytë. Bardhoshe, me fytyrë gjithnjë të re, që qan kur të tjerët qajnë e qesh njëheresh me gazin e të tjerëve, u lidh aq me shqiptarët, sa t’i kalojë vitet e fundit të jetës në këto troje, e jo gjithnjë në Shkodër, ku shkeli së pari, po kudo e thërriste zëri i Zotit, të cilit ia kushtoi jetën e saj tejet të gjatë. Duke nisur nga Roma, për të kaluar në Prizren, në Shkodër e…. Shumë shqiptarë janë në borxh të motrës, që di veç të qeshë! E po  t’ia përmendin, çon gishtin lart, drejt qiellit e duket sikur thotë: “Ia ke borxh Atij!”. E duket sikur u kujton se edhe në trojet e tyre, të ngarkuara me një mori hallesh, mund t’i sfidosh vitet, që shkojnë… Ata shkojnë në punë të vet, e motër Gemma, në punë të saj. E puna e saj është  me dashtë, me shërbye, me u lutë. E nisi shërbimin në Shkodër me bindjen se Zoti do ta  realizonte, përmes saj, ëndrrën e simotrës shkodrane, Luçie Lacës, ikur nga Shqipëria, për ta bërë shtëpinë atërore, Kuvend Motrash Engjëllore! Lutje, që u dëgjua mrekullisht.

Në shtëpinë e Motër Luçisë

E Motër Gemma do ta kremtojë 100-vjetorin e ditëlindjes pikërisht në shtëpinë e Motër Luçisë, femra e parë që foli në Programin Shqip të Radio Vatikanit e që vdiq e përmallur për Atdheun, por me besimin se motrat e bardha do ta realizonin ëndërrën e saj, të parealizuar për shumë vjet!

Një motër e huaj u bë me kënaqësi shqiptare, në një kohë kur shumë shqiptare marrin rrugën e hidhur, pa kthim, të kurbetit. Një moter e huaj, që jetonte në Romë, kënaqet me jetën në Milot. Një motër e huaj bëhet kështu shembull i shkëlqyer! Shqiptare dhe 100-vjeçe, duke ua kaluar shumë grave, që ankohen se në Shqipëri e sotme vdiset, nuk jetohet!

Motër Gemma është shqiptare!

Ndaj Festa e saj gëzon mbarë Shkodrën, ku tashmë është përhapur lajmi i gëzuar: “Motra Gemma Naccarato kremton, më 7.06.1922, 100-vjetorin e ditëlindjes”. Së pari, në Katedrale – më pas aty ku nisi rrugën e re. Në shtëpinë mikpritëse të Motrave me emrin e bukur “Engjëllore”.

Kur u nis, motrat e Romës e patën përcjellë me lot në sy. E për t’i fshehur lotët pas gazit, i patën quajtur me emrin e dy apostujve të Krishtit, Palit e Barnabës, Atë, e Motër Verën, që niseshin për mision. Me që njera ishte topolake, si Barnaba, tjetra e hollë, si Pali! U nisën dy, e tani janë shumë e shërbejnë në shumë vende: në Fushë Milot, Gallatë, Skuraj, Ferrë Shkopet, Malbardhë, Laskaj…

Gjatë këtyre 25 viteve – pati pohuar motra engjëllore File Gёshtenja në një intervistë dhënë Programit tonë – përveç shumë hireve të tjera, kemi pasur si bekim të Zotit dhe të Provanisë së Tij thirrjet e reja. Lutja, shembulli i jetës, dashuria ndaj Krishtit, kujdesi për tjetrin,  shërbimi i dy motrave të para, bënë që në 25 vite të bulojnë 10 thirrje të reja: dhjetë motra, të cilat shërbejnë me dashuri e përkushtim shembullor në bashkësitë e ndryshme të Kongregatës sonë”.

Kongregatë që këto ditë feston me gëzim një njëqind-vjetor… 

Nga (Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme