24.5 C
Tirana
HomeDioqeza Rrëshen"Lutuni pa ndërprerje, falenderoni për gjithçka..." 
HomeDioqeza Rrëshen"Lutuni pa ndërprerje, falenderoni për gjithçka..." 

“Lutuni pa ndërprerje, falenderoni për gjithçka…” 

Nga Esma Dodaj

Më 6 gusht 2019, gjatë Meshës së Shenjtë për festën e Shndërrimit të Zotit, iu patëm uruar mirëseardhjen në dioqezën dhe në qytetin tonë të Rrëshenit, motrave të Nanë Terezës. Qysh prej atij momenti kur i kam parë për herë të parë motrat e mia të dashura, e kam ditur përnjëmend se prania e tyre midis nesh është një dhuratë e Hyjit. Sot, pas tri vitesh, e pohoj me gjithë zemër atë ndjesi dhe shpall me gëzim se motrat e Nanë Terezës janë një bekim i madh në jetën time. 

Ndonëse dje në mëngjes patëm komunikuar së bashku nëpërmjet telefonit, nuk ua pata përmendur motrave se çfarë më kujtonte ajo ditë. Pasdite do të shkoja ta lutja Rruzaren e Shenjtë me to dhe e kisha lënë për atëherë. Qemë pak vetë aty në oborrin e shtëpisë së tyre, pranë shtatores së Zojës Mrekullibërëse. Të tjerët besoj se nuk patën mundësi t’i përgjigjeshin ftesës së motrave dhe të na bashkoheshin në lutje. Padre Giulio, e kujtoi dy herë për të pranishmit faktin se ky është fillimi i vitit të katërt të motrave të Nanë Terezës në dioqezën tonë dhe ato patën zgjedhur ta festonin ashtu, me ne, në lutje. Në fund, ai bekoi fëmijët që qenë aty dhe të gjithë u shpërndanë. Mbetëm vetëm unë dhe motrat. 

Para se të fillonim lutjen, motrat iu dhuruan rruzare të gjithëve atyre që nuk kishin. Pavarësisht se unë e kisha rruzaren time, ato kishin ndarë për mua 10 rruzare që m’i dhanë kur njerëzit u larguan.

-Our dear Esma, our beloved Esma, we have a rosary for you, for your sister Eli (tell her that I have remembered her name), for your brothers, for your mother, for your father and for your grandmother. – më tha motër Anna, eprorja. 

-Thank you so much sister Anna! But there are also three other rosaries. You can keep them. – iu përgjigja.

-No, no. They are all for you. We know that you will give them to the ones you love and appreciate. – shtoi ajo me buzëqeshjen e saj që rrezaton dritë. 

U ofrova t’i ndihmoja që të futnin brenda karriget dhe stolat që kishin nxjerrë për t’u ulur njerëzit dhe m’u desh të insistoja disa herë derisa motrat të pranonin. Por iu kërkova që më parë të përshëndesja Jezusin nëse ishte e mundur. 

-Of course Esma, of course you can. You are always welcome. So are all the people, but you even more and at any time. You know how special you are to us. – më tha motër Gloria. 

-You are part of the family Esma. – shtoi motër Anna me vështrimin e saj mirëdashës.

Kështu bashkë me dy motrat shkuam në kapelë. Ato janë katër gjithsej, por dy prej tyre ndodhen në Pukë këto ditë.

Lutja është krejt intime, por dua të rrëfej që siç i pata njet të rruzares motrat e Nanë Terezës, edhe në ato momente po e falenderoja Zotin për praninë e tyre në qytetin tonë dhe veçanërisht në jetën time. I kërkova gjithashtu që t’i ndihmonte në shërbimin e tyre, që nëpërmjet lutjes ato të vazhdojnë të na sjellin më afër përshpirtërinë e Nanës sonë. Për ata që nuk e dinë, motrat e Nanë Terezës që kemi në Rrëshen, janë motra kontemplative.

Pikërisht atëherë motër Anna foli dhe tha se donin të falenderonin Zotin për mua dhe t’i luteshin atij për mua dhe familjen time të madhe këtu dhe kudo nëpër botë. Fjalët të cilat i drejtuan Hyjit tonë për mua, dëshiroj dhe do t’i mbaj për vete, por më besoni që ishin të zgjedhura me aq dashuri, butësi, mirësi, përvujtëni dhe ishin aq të bukura, aq emocionuese, saqë unë po i dëgjoja gjithë admirim a thua se po flitnin për dikë tjetër: “O Zot, a i meritoj të gjitha këto?” 

Kërkesat që i paraqitën Atij për mua ishin gjithë ç’ka unë kam nevojë dhe thuajse ç’ka dhe vetë paraqes prore përballë Tij, por mënyra që kishin zgjedhur motrat më bëri të mendoj: “O Zot, më fal! Unë nuk di të lutem. Unë nuk di të flas me ty”. Por njëkohësisht ndieja edhe të kundërtën dhe e ndieja veten krejt të afërt me Hyjin. Po aq edhe të dashtun, të shoqëruar, të sigurt. 

Me të dalë jashtë i përqafova fort motrat dhe i falenderova shumë për atë moment. Unë e di që ato luten vazhdimisht për mua, siç luten edhe për të gjithë ata që nuk duan, nuk munden, nuk dinë. Ama në rastin tim, lutja është edhe tregues i mirënjohjes dhe dashurisë së madhe që ato kanë për mua, gjë që siç e kam treguar edhe në raste të tjera, më prek vërtetë. 

Sikurse ju thashë edhe motrave, unë nuk e di nëse uratët e mia, që si për secilin lindin në mënyrë kaq të natyrshme nga thellësitë e shpirtit dhe janë një nga misteret më të pashqyrtueshme të universit, janë të pëlqyeshme para Hyjit. Por përpara se t’ia drejtoj ato, gjithherë i kërkoj të më mësojë të lutem dhe e lë Atë të veprojë në shpirtin tim duke ia besuar gjithçka jetoj. Por kurrë më parë nuk e kisha dëgjuar dikë të lutej me zë për mua për gati çerek ore, përndryshe lutje të shkurtra po. Dhe kurrë më parë nuk e kisha provuar që gjithçka thuhet, të bëhej e rëndësishme, të fitonte peshë menjëherë, a thua se Zoti e mori në dorë dhe e shndërroi.

Pa e ditur fare, motrat u lutën për të tashmen time duke më bërë të reflektoja për shumë gjëra. E me ndërmjetësinë e tyre, Jezusi më takoi pikërisht sot, në këtë të tashme që po përjetoj. 

Dhe e tashmja ime u shndërrua në hir ose më saktë më shndërroi: zemërimi u zbut, dashuria u shtua, gëzimi u shumëfishua, u fuqizua forca për të falur. Sepse siç pohon Ati ynë i Shenjtë, Papa Françesku, lutja na ndihmon t’i duam të tjerët, pavarësisht nga gabimet dhe mëkatet e tyre. 

Duke qenë të kujtuar në lutje dhe duke i kujtuar të tjerët në lutje, ne jemi të dashtun dhe duam. Bëhemi arsye dhe bartës të mirënjohjes, e hapim zemrën, falim, i shfajësojmë të tjerët, i kuptojmë, iu qëndrojmë pranë, kemi dhembshuri, jemi të butë si Jezu Krishti. Kësisoj bota bëhet më e mirë, qoftë edhe pak, por ajo mjafton për të transmetuar shpresë.

Rruga drejt lumturisë është edhe ajo që Shën Pali përshkruan në fund të njërës prej letrave të tij: “Lutuni pa ndërprerje, falenderoni për gjithçka: në të vërtetë, ky është vullneti i Zotit në Jezu Krishtin për ju. Mos e shuani flakën e Shpirtit.” 

Sa bukur nëse edhe ne dukemi pak si Nana jonë, së cilës i përngjajnë dhe motrat e Nanë Terezës. Me zemër të hapur ndaj Fjalës së Zotit, me zemër të heshtur, me zemër të bindur, me zemër që di ta pranojë Fjalën e Zotit dhe e lejon atë të rritet si farë e së mirës së Kishës. Si ajo që na mbron në rrezik, shqetësohet për ne, edhe kur ne jemi të zënë me gjërat tona krejt të parëndësishme dhe e humbasim sensin e udhës, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin tonë shpirtëror e mendor, por edhe shpëtimin tonë. E Zoja e Bekuar ashtu si motrat, lutet për ne, lutet për ata që nuk luten. Sepse ajo është Nana jonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme