10.5 C
Tirana
HomeDioqeza LezhëLezhë, vendoset busti i klerikut, intelektualit të shquar dhe atdhetarit Monsinjor...
HomeDioqeza LezhëLezhë, vendoset busti i klerikut, intelektualit të shquar dhe atdhetarit Monsinjor...

Lezhë, vendoset busti i klerikut, intelektualit të shquar dhe atdhetarit Monsinjor Zef Oroshi

Lezha e Kuvendeve ka vlerësuar në 109 vjetorin e lindjes klerikun, intelektualin dhe atdhetarin e shquar, themeluesin e kishës ” Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Monsinjor Zef Oroshi. Në ceremoninë e vendosjes së bustit pikërisht në sheshin Papa Gjon Pali II, morën pjesë autoritete vendore, përfaqësues të klerit katolik si edhe studiues, intelektualë nga Lezha, Mirdita, Kurbini, Shkodra etj.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu theksoi se “është një ditë e mirë, sepse jemi këtu për të përuruar bustin e një burri shumë të madh, që ka vlera intelektuale, veprimtare dhe patriotike, jo vetëm për Lezhën, Mirditën dhe Shkodrën por për të gjitha trevat”.
Përfaqësuesi i Dioqezës së Lezhës, Dom Angjelin Krygja theksoi se “ne qëndrojmë mbi shpatullat e heronjve, që kanë dhënë më të miren e tyre për ne, një prej këtyre heronjve është edhe Monsinjor Zef Oroshi, themelues i kishës Zoja e Shkodrës në SHBA.
Një ndër iniciatorët e vendosjes së bustit është studiuesi Dom Nikë Ukgjini, i cili duke u ndalur në jetën dhe veprën e Monsinjor Zef Oroshit e vlerësoi si një figurë përbashkuese gjatë veprimtarisë së tij, jo vetëm në Europë por edhe në SHBA.

Dom Nikë Ukgjini

FJALA PËRSHËNDETËSE E DOM NIKË UKGJINI

“Sot në 109 vjetorin e lindjes, së Mons. Zef Oroshit, si do të ishte ndryshe, veçse një gëzim për të gjithë, kur pas 32 viteve të kalimit të tij në Amshim në qytetin e New Yorkut, nëpërmjet bustit në bronx, përjetësohet në atdheun e tij të dashur, pikërisht në qytetin e Besëlidhjes në Lezhë, kleriku, intelektuali e atdhetari, Mons. Dr. Zef Oroshi.
Nuk është lehtë sot të flitet para kësaj përkujtimoreje, kur kemi parasysh jetën dhe veprën e tij që e kaloi përplot trazira shpirtërorë e fizike. Jeta e mundimshme e tij si dhe shumë klerikëve katolike, kishte filluar që nga koha e kthimit të tij si meshtar i ri nga Roma, në vitin 1940, për në Shqipëri, me pas arratisja e detyrueshme në vitin 1952, për në Jugosllavi, për shkak se mortja e zezë e kishte kapluar gjithë Shqipërinë e në veçanti me persekutimet e klerit katolik në mënyrë të pa mëshirëshme. Gjatë qëndrimit në mes refugjatëve në Itali, nga viti 1954-1960, edhe pse tani e kishte lirinë fizike, brengosjen e mbante në zëmër për Shqipërinë e robëruar nga bolshevizmi komunist. Po kështu shqetësimet dhe dhimbja shpirtërore e përcollën jetën e tij edhe gjatë veprimtarisë në mes emigrantëve shqiptare në Amerikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar dhe të mbrojtur nga asimilimi, Oroshi, do zhvillonte aktivite të shumta, fetare, kulturore e atdhetare, në Kishë dhe në tribuna të ndryshme kudoqë shqiptarët bashkoheshin. Edhe pse qe i vëzhguar nga sigurimi i shtetit ateist shqiptar, ai kundër sistemit komunist fliste shpesh me mikun e tij Fan Nolin, dhe shkruante kudo në shtypin e diasporës shqiptare në SHBA dhe Europë.
Forca, madhështia dhe serioziteti i fjalës së tij, dituria e gjerë dhe e thellë, bënte që ai të gëzonte gjithnjë respektin dhe admirimin e thellë nga të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi e ndarje politike.
Një ditë pas vdekjes, më 16 mars, 1989, gazeta “The New York Times” botoi një shkrim për vdekjen e këtij meshtari shqiptar, duke vënë në dukje veprimtarinë e tij fetare dhe kombëtare.
Së fundi, Agjencia telegrafike shqiptare, më rastin e vdekjes se tij, ndër të tjera do shprehej me 17 mars 1989: “Mons. Zef Oroshi ishte veprimtar i shquar i çështjes fetare dhe kulturore në komunitetin shqiptar në Amerike”.
Ne sot një gjë duhet ta kuptojmë se heronjtë e martirët, nuk kanë nevojë për ne, por ne kemi nevojë për të qenë të frymëzuar nga jeta e vepra e tyre.
Për këtë vepër, duhet falënderuar, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, dashamirësi e thekshëm i kulturës, z. Pjerin Ndreu, për dhënien e lejes së ndërtimit; prefektin fjalëmirë, Gjokë Jaku; pronarin e Restorantit Milenium, vullnetmirin, Martin Lleshi; biografin e Oroshit, atdhetarin, Tomë Mirjaj nga New Yorku; skulptorin e bustit Sadik Spahia, dhe ata që e mundësuan gjithë këtë vepër: Dy djemtë e vëllezërve të Mons. Oroshit: Gjon e Nikollë Prendi me djemtë e nipat të tyre.
Ta gëzojmë këtë vepër më vlera kombëtare”.

**
Katedralja e Shën Kollit, busti i Papa Gjon Pali II si edhe busti i Monsinjor Zef Oroshit janë një trinom i vendosur si trekëndësh pikërisht në Lezhën e Besëlidhjes duke përcjellë mesazhe paqeje e shprese për të gjithë, veçanarisht për brezin e ri, pasi ata janë të vendosur pikërisht përballë bllokut të shkollave të qytetit.


Lindita Kokaj

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme