14.5 C
Tirana
HomeKISHLETRA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT LIDHUR ME ROLIN E LETËRSISË MBI...
HomeKISHLETRA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT LIDHUR ME ROLIN E LETËRSISË MBI...

LETRA E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT LIDHUR ME ROLIN E LETËRSISË MBI FORMIMIN

1. Në fillim kisha vendosur një titull që i referohej formimit meshtarak, por më pas mendova se, në mënyrë analoge, këto gjëra mund të thuhen për formimin e të gjithë veprimtarëve baritorë, si dhe për çdo të krishterë. E kam fjalën për vlerën e leximit të romaneve dhe poezive në rrugëtimin e pjekurisë personale.

2. Shpesh në mërzinë e pushimeve, në vapën dhe vetminë e disa lagjeve të shkreta, gjetja e një libri të mirë për ta lexuar bëhet një oazë që na largon nga zgjedhjet e tjera që nuk na bëjnë mirë. Pastaj, nuk mungojnë momentet e lodhjes, zemërimit, zhgënjimit, dështimit dhe, kur nuk e gjejmë dot qetësinë e shpirtit edhe në lutje, një libër i mirë na ndihmon të paktën të kalojmë stuhinë, derisa të kemi pak më shumë qetësi. Mbase ai lexim çel hapësira të reja të brendshme që na ndihmojnë të shmangim mbylljen në ato pak ide që na mbërthejnë e na bllokojnë në mënyrë të pamëshirshme. Përpara se të ishin mediat, rrjetet sociale, celularët dhe pajisjet e tjera, tashmë të kudondodhura, kjo ishte një përvojë e shpeshtë dhe ata që e kanë përjetuar e dinë mirë se për çfarë po flas. Nuk bëhet fjalë për diçka të vjetruar.

3. Ndryshe nga mediat audiovizive, ku produkti është më i plotë dhe ku marzha dhe koha për të “pasuruar” rrëfimin apo për ta interpretuar atë janë më të reduktuara, lexuesi, kur lexon një libër, është shumë më ndërveprues. Ai, në një farë mënyre, e rishkruan veprën, e zgjeron me imagjinatën e tij, krijon një botë, përdor aftësitë e tij, kujtesën, ëndrrat e veta, vetë historinë e tij plot dramë dhe simbolikë dhe, në këtë mënyrë, ajo që del është një vepër shumë e ndryshme nga ajo që autori donte të shkruante. Një vepër letrare është kësisoj një tekst i gjallë dhe gjithmonë i frytshëm, i aftë për të folur përsëri në shumë mënyra dhe për të përftuar një sintezë origjinale me çdo lexues që ndesh. Gjatë leximit, lexuesi pasurohet me atë që merr nga autori, por nga kjo gjë lulëzon edhe vetë pasuria e personit, kështu që çdo vepër e re që lexon përtërinë dhe zgjeron universin e tij personal.

4. Kjo e vërtetë më bën ta vlerësoj shumë pozitivisht faktin se, të paktën në disa Seminare, fiksimi pas ekraneve – dhe lajmeve të rreme helmuese, sipërfaqësore dhe të dhunshme – është tejkaluar dhe koha i kushtohet letërsisë, momenteve të leximit të qetë e me dëshirë, bisedimit mbi këta libra, të rinj apo të vjetër, që vazhdojnë të na tregojnë kaq shumë gjëra. Por në përgjithësi, me keqardhje duhet theksuar se në rrugëtimin formues të atyre që kanë marrë rrugën për shërbesën e urdhëruar, vëmendja ndaj letërsisë, aktualisht, nuk gjen vendin e duhur. Njëmend, ajo çmohet shpesh si një formë argëtimi, ose si një shprehje më e ulët e kulturës që nuk i përket ecjes së përgatitjes e rrjedhimisht përvojës konkrete baritore të meshtarëve të ardhshëm. Me disa përjashtime, vëmendja ndaj letërsisë çmohet si diçka jo thelbësore. Lidhur me këtë gjë, dëshiroj të them se kjo qasje nuk është e mirë. Ky fakt qëndron në zanafillë të një forme varfërimi të rëndë intelektual dhe shpirtëror të presbiterëve të ardhshëm, të cilëve u privohet kështu hyrja e privilegjuar, pikërisht nëpërmjet letërsisë, në zemrën e kulturës njerëzore dhe më konkretisht në zemrën e qenies njerëzore.

5. Me këtë shkrim, dëshiroj të parashtroj një ndryshim rrënjësor në lidhje me vëmendjen e madhe që duhet t’i kushtohet letërsisë, në kuadër të formimit të kandidatëve për meshtari. Në këtë drejtim, më duket shumë e frytshme ajo që pohon një teolog.

«Letërsia […] buron nga personi, nga ajo që është më e paepur, nga misteri i tij […]. Letërsia është jetë, ndërgjegjësim mbi vetveten, që arrin plotësinë e shprehjes së vet nëpërmjet përdorimit të të gjitha burimeve të gjuhës». 1

6. Letërsia, pra, ka të bëjë, në një mënyrë apo një tjetër, me atë që secili prej nesh dëshiron nga jeta, pasi ajo hyn në një marrëdhënie intime me ekzistencën tonë konkrete, me tensionet e saj thelbësore, me dëshirat dhe domethëniet e saj.

7. Këtë e kam mësuar kur isha i ri me studentët e mi. Ndërmjet viteve 1964 dhe 1965, në moshën 28-vjeçare, kam qenë profesor i letërsisë në Santa Fe pranë një shkolle jezuite. U jepja mësim dy viteve të fundit të shkollës së mesme dhe më duhej të sigurohesha që studentët e mi ta studionin El Cid. Por atyre nuk u pëlqente. Kërkonin që të lexonin García Lorca. Atëherë vendosa që ata të studionin El Cida në shtëpi dhe gjatë mësimeve të diskutoja mbi autorët që u pëlqenin më shumë atyre. Natyrisht ata donin të lexonin veprat letrare bashkëkohore. Por, duke lexuar këto gjëra që i tërhiqnin në atë moment, ata fituan një shije më të përgjithshme për letërsinë, poezinë dhe më pas kaluan tek autorë të tjerë. Në fund, zemra kërkon më shumë dhe secili e gjen rrugën e vet në letërsi 2. Unë, për shembull, i dua artistët tragjikë, sepse të gjithë ne do të mund t’i ndjenim veprat e tyre si tonat, si shprehje e dramave tona. Duke qarë për fatin e personazheve, tek e fundit ne qajmë për veten dhe zbrazëtinë tonë, mangësitë tona, vetminë tonë. Natyrisht, nuk po ju kërkoj të bëni të njëjtat lexime që kam bërë unë. Secili do të gjejë ato libra që flasin për jetën e tyre dhe që bëhen shokë të vërtetë udhëtimi. Nuk ka asgjë më kundërproduktive sesa të lexosh diçka për detyrim, duke bërë përpjekje të konsiderueshme vetëm sepse të tjerët kanë thënë se është thelbësore. Jo, ne duhet t’i zgjedhim leximet tona me çiltërsi, habi, përthyeshmëri, duke kërkuar këshillë, por edhe me sinqeritet, duke u përpjekur të gjejmë atë që na nevojitet në çdo moment të jetës sonë.

Feja dhe kultura

8. Për më tepër, për një besimtar që dëshiron sinqerisht të dialogojë me kulturën e kohës së vet, ose thjesht me jetën e njerëzve konkretë, letërsia bëhet e domosdoshme. Me të drejtë, Koncili II i Vatikanit pohon se «letërsia dhe artet […] kërkojnë të shprehin vetë natyrën e njeriut» dhe «të ilustrojnë mjerimet dhe gëzimet e tij, nevojat dhe aftësitë e tij». 3 Në të vërtetë, letërsia merr shkas nga përditshmëria e jetës, nga pasionet e saj dhe nga ngjarjet e saj reale si «veprimtaria, puna, dashuria, vdekja dhe të gjitha gjërat e mjera që mbushin jetën». 4

9. Si mund të arrijmë në qendrën e kulturave të lashta e të reja nëse shpërfillim, hedhim dhe/ose heshtim simbolet, mesazhet, krijimet dhe narrativat e tyre me të cilat ato rrokën dhe deshën të zbulonin dhe thërritnin bëmat dhe idealet e tyre më të bukura, si edhe dhunën, frikën dhe pasionet e tyre më të thella? Si mund t’u flasim zemrave të njerëzve nëse i shpërfillim, i syrgjynosim ose nuk i vlerësojmë “ato fjalë” me të cilat ato donin të shpërfaqnin e, pse jo, të zbulonin dramën e jetës dhe ndjenjat e tyre përmes romaneve dhe poezive?

10. Misioni kishtar ka mundur të shpalosë gjithë bukurinë, freskinë dhe risinë e tij në takimin me kulturat e ndryshme – shpeshherë falë letërsisë – në të cilën ka zënë rrënjë pa hezituar të përfshihet dhe të mbështetet te më të mirat e asaj që ka gjetur në çdo kulturë. Është një qëndrim që e ka çliruar atë nga tundimi i një solipsizmi të shurdhët dhe fundamentalist, i cili qëndron në bindjen se një gramatikë e caktuar historiko-kulturore ka aftësinë të shprehë gjithë pasurinë dhe thellësinë e Ungjillit. 5 Shumë nga profecitë gjëmëndjellëse që sot provojnë të mbjellin dëshpërim janë të rrënjosura pikërisht mbi këtë aspekt. Kontakti me stile të ndryshme letrare dhe gramatikore do të na lejojë kurdoherë të thellohemi në polifoninë e Zbulesës pa e reduktuar apo varfëruar atë në nevojat përkatëse historike apo strukturat mendore.

11. Nuk është rastësi që krishterimi i hershëm, për shembull, e kishte kuptuar mirë nevojën e një ballafaqimi të ngushtë me kulturën klasike të kohës. Një Atë i Kishës së Lindjes si Bazili i Cezaresë, për shembull, në “Fjalimin drejtuar të rinjve”, i krijuar ndërmjet viteve 370 dhe 375, mbase drejtuar nipërve të vet, lartësonte vlerën e letërsisë klasike – të prodhuar nga éxothen (“ata jashtë” ), siç i quante ai autorët paganë – qoftë për argumentimin, d.m.th. për logoi-të (“diskutimet”) për t’u përdorur në teologji dhe ekzegjezë, qoftë për vetë dëshminë në jetë, d.m.th. për práxeis (“veprimet, sjelljet”) për t’u mbajtur para sysh në asketikë dhe moral. Dhe ai përfundonte duke i nxitur të rinjtë e krishterë që t’i çmonin klasikët si një përshtegtim (“viaticum”) për edukimin dhe formimin e tyre, duke nxjerrë “përfitim për shpirtin” (IV, 8-9). Dhe pikërisht nga ky takim i ngjarjes së krishterë me kulturën e kohës u përftua një ripërpunim origjinal i shpalljes ungjillore.

12. Falë shoshitjes ungjillore të kulturës, është e mundur të njihet prania e Shpirtit në realitetin e larmishëm njerëzor, domethënë është e mundur të rroket fara tashmë e mbjellë e pranisë së Shpirtit në ngjarjet, në ndjeshmërinë, në dëshirat, në tensionet e thella të zemrave e të konteksteve sociale, kulturore dhe shpirtërore. Për shembull, ne mund të dallojmë një qasje të ngjashme në Veprat e Apostujve, aty ku flitet për praninë e Palit në Areopag (krh. Vap 17,16-34). Pali, duke folur për Hyjin, thotë: «Sepse në Të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse edhe disa prej poetëve tuaj thanë: “Sepse jemi prej rodit të tij”» (Vap 17,28). Në këtë varg janë të pranishëm dy citime: njëri indirekt, në pjesën e parë, ku citohet poeti Epimenidi (shek. VI p. K.) dhe njëri i drejtpërdrejtë, i cili citon Fenomenet [Dukuritë] e poetit Aratus të Silos (shek. III p. K.), i cili këndon yjësitë dhe shenjat e motit të mirë e të keq. Këtu «Pali tregohet “lexues” i poezisë dhe lë të kuptohet mënyra me të cilën i qasej tekstit letrar, i cili  nuk mund të mos na bëjë të reflektojmë lidhur me shoshitjen ungjillore të kulturës. Ai përkufizohet nga athinasit spermologos, domethënë “korb, llafazan, sharlatan”, por fjalë për fjalë do të thotë “mbledhës farash”. Ajo që ishte padyshim një fyerje, duket, paradoksalisht, një e vërtetë e thellë. Pali mbledh farat e poezisë pagane dhe, duke dalë nga një qëndrim i mëparshëm ku ishte i indinjuar thellë (krh. Vap 17,16), arrin t’i njohë athinasit si “shumë fetarë” dhe sheh në ato faqe të letërsisë së tyre klasike një preparatio evangelica të mirëfilltë» 6.

13. Çfarë bëri Pali? Ai e ka kuptuar se “letërsia zbulon humnerat që banojnë në njeriun, ndërsa zbulesa dhe, më pas teologjia, i marrin ato për të treguar sesi Krishti arrin t’i përshkojë dhe t’i ndriçojë” 7. Në drejtim të këtyre humnerave, letërsia është, pra, një “mënyrë hyrjeje” 8, që e ndihmon bariun të futet në një dialog të frytshëm me kulturën e kohës së tij.

Kurrë një Krisht të pa mishëruar

14. Përpara se të thellohemi në arsyet specifike se pse duhet të nxitet vëmendja ndaj letërsisë në rrugëtimin formues të meshtarëve të ardhshëm, më lejoni të sjell këtu një mendim mbi kontekstin aktual fetar: «Kthimi tek e shenjta dhe kërkimi shpirtëror, që e karakterizojnë epokën tonë, janë dukuri të paqarta. Por më shumë se me ateizmin, sot ne përballemi me sfidën për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme etjes së shumë njerëzve për Hyjin, në mënyrë që ata të mos përpiqen ta shuajnë atë me propozime tjetërsuese ose me një Jezu Krisht të pa mishëruar». 9 Kësisoj, detyra urgjente për ta kumtuar Ungjillin në kohën tonë, u kërkon besimtarëve, e veçanërisht meshtarëve, që të angazhohen në atë mënyrë që të gjithë të mund ta takojnë Jezu Krishtin e mishëruar, të bërë njëri, të bërë histori. Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e humbim kurrë nga shikimi ekzistencën në “mish” të Jezu Krishtit: në atë mish të përbërë nga pasione, emocione, ndjenja, histori konkrete, duar që prekin e shërojnë, shikime që çlirojnë e japin zemër, mikpritje, falje, indinjatë, guxim, burrëri: me një fjalë, dashuri.

15. Dhe është pikërisht në këtë nivel që leximi i zellshëm i letërsisë mund t’i bëjë meshtarët e ardhshëm dhe të gjithë veprimtarët baritorë edhe më të ndjeshëm ndaj njerëzishmërisë së plotë të Zotit Jezus, në të cilën hyjnia e tij është plotësisht e pranishme, dhe të shpallin Ungjillin në mënyrë që të gjithë, vërtet të gjithë, të mund të përjetojnë se sa e vërtetë është ajo që thotë Koncili II i Vatikanit: «njëmend, vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar misteri i njeriut gjen dritën e vërtetë». 10 Mirëpo, këtu nuk flasim për misterin e një njerëzishmërie abstrakte, por misterin e qenies njerëzore konkrete, me të gjitha plagët, dëshirat, kujtimet dhe shpresat e jetës së vet.

Një e mirë e madhe

16. Nga një këndvështrim pragmatik, shumë shkencëtarë argumentojnë se zakoni i të lexuarit prodhon shumë efekte pozitive në jetën e një personi: i ndihmon ata që të përvetësojnë një fjalor më të madh dhe për pasojë të zhvillojnë aspekte të ndryshme të inteligjencës së tyre. Gjithashtu stimulon imagjinatën dhe kreativitetin. Në të njëjtën kohë, kjo mundëson të nxënit dhe shprehjen, në një mënyrë më të pasur, të rrëfimeve vetjake. Përmirëson gjithashtu aftësinë për t’u përqendruar, zvogëlon nivelet e përkeqësimit konjitiv [njohës], qetëson stresin dhe ankthin.

17. Më mirë akoma: na përgatit për të kuptuar dhe kësisoj për t’u përballur me situata të ndryshme që mund të paraqiten në jetë. Gjatë leximit, zhytemi në personazhet, shqetësimet, dramat, rreziqet, frikën e njerëzve që më në fund i kanë tejkaluar sfidat e jetës, ose ndoshta gjatë leximit u japim personazheve këshilla që më vonë do të jenë të dobishme për veten tonë.

18. Me qëllimin për të nxitur përsëri leximin, po citoj me dëshirë disa tekste të autorëve të njohur, të cilët, me pak fjalë, na mësojnë shumë:

Romanet shpalosin «në ne, në harkun kohor të një ore, të gjitha gëzimet dhe fatkeqësitë e mundshme që në jetë do të na duheshin vite të tëra për t’i njohur qoftë edhe në masë të vogël, e nga të cilat më të fortat nuk do të na zbuloheshin kurrë, sepse ngadalësia me të cilat ato ndodhin na pengon t’i kapim». 11

«Duke lexuar veprat e mëdha të letërsisë bëhem “mijëra njerëz” dhe, në të njëjtën kohë, mbetem vetvetja. Ashtu si qielli i natës në poezinë greke, unë shoh me një mori sysh, por jam gjithnjë unë që shoh. Këtu, si në fe, në dashuri, në veprim moral e në njohje, e tejkaloj veten, e megjithatë, kur e bëj këtë gjë, jam më tepër se asnjëherë vetvetja». 12

19. Gjithsesi, nuk është qëllimi im të ndalem vetëm në këtë nivel të dobisë personale, por të reflektoj mbi arsyet më vendimtare për të rizgjuar dashurinë për leximin.

Të dëgjojmë zërin e dikujt

20. Kur mendoj për letërsinë, më vjen ndërmend ajo që shkrimtari i madh argjentinas Jorge Luis Borges 13 u thoshte studentëve të tij: gjëja më e rëndësishme është të lexosh, të hysh në kontakt të drejtpërdrejtë me letërsinë, të zhytesh në tekstin e gjallë që qëndron përpara nesh, në vend se të fiksohemi pas ideve dhe komenteve kritike. Dhe Borges ua shpjegonte këtë ide studentëve të tij duke u thënë atyre se ndoshta në fillim ata do të kuptonin pak nga ajo që do të lexonin, porse, në çdo rast, do të dëgjonin “zërin e dikujt”. Ja këtu një përkufizim i letërsisë që më pëlqen shumë: të dëgjojmë zërin e dikujt. E të mos harrojmë se sa e rrezikshme është të pushojmë së dëgjuari zërin e tjetrit që na interpelon! Mbyllemi menjëherë në vetvete, biem në një lloj shurdhimi “shpirtëror”, i cili ndikon negativisht edhe në marrëdhënien tonë me vetveten dhe në marrëdhënien tonë me Hyjin, pavarësisht se sa teologji apo psikologji kemi studiuar.

21. Duke ndjekur këtë rrugë, e cila na bën të ndjeshëm ndaj misterit të të tjerëve, letërsia na ndihmon të mësojmë të prekim zemrat e tyre. Si mund të mos e kujtojmë në këtë pikë fjalën e guximshme që Shën Pali VI ua drejtoi artistëve dhe për rrjedhojë edhe shkrimtarëve të mëdhenj më 7 maj 1964? Ai thoshte: «Ne kemi nevojë për ju. Shërbesa jonë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj. Sepse, siç e dini, shërbesa jonë është të predikojmë dhe ta bëjmë të arritshme dhe të kuptueshme, madje prekëse, botën e shpirtit, e së padukshmes, e së pashprehshmes, të Hyjit. Dhe në këtë veprim, që derdh botën e padukshme në shprehje të kapshme e të kuptueshme, ju jeni mjeshtra». 14 Kjo është çështja: detyra e besimtarëve, dhe e priftërinjve në veçanti, është pikërisht të “prekin” zemrën e njeriut bashkëkohor, në mënyrë që ai të ndiejë mall e të hapet përpara kumtimit të Zotit Jezus dhe, në këtë angazhim të tyre, kontributi që mund të japë letërsia dhe poezia ka një vlerë të pashoqe.

22. Thomas. S. Eliot, poeti, veprat letrare të të cilit pasqyrojnë shpirtin e  krishterë dhe kanë shënuar kohën tonë, me të drejtë e ka përshkruar krizën fetare moderne si atë të një “paaftësie për t’u ngashëryer” 15, që është e përhapur. Në dritën e këtij leximi të realitetit, sot, problemi i fesë nuk është kryesisht ajo e të besuarit më shumë apo më pak në parashtrimet doktrinore. Ai lidhet më shumë me paaftësinë e shumë njerëzve për t’u ngashëryer përballë Hyjit, përballë krijimit të tij, përballë qenieve të tjera njerëzore. Këtu, pra, lind detyra për të shëruar dhe pasuruar ndjeshmërinë tonë. Për këtë arsye, kur u ktheva nga Udhëtimi Apostolik në Japoni, kur më pyetën se çfarë ka për të mësuar Perëndimi nga Lindja, unë u përgjigja: «Mendoj se Perëndimit i mungon pak poezia». 16

Letërsia një lloj palestre për shoshitje  

23. Çfarë përfiton, pra, meshtari nga kjo afri me letërsinë? Pse është e nevojshme të çmohet dhe të përnxitet leximi i romaneve të mëdha si një komponent i rëndësishëm i paideia-s meshtarake? Pse është e rëndësishme të rikuperohet dhe të zbatohet, në rrugëtimin formues të kandidatëve për meshtari, intuita, e përshkruar nga teologu Karl Rahner, e një afrie të thellë shpirtërore midis priftit dhe poetit? 17

24. Po përpiqemi që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve duke dëgjuar reflektimet e teologut gjerman. 18 Fjalët e poetit, shkruan Rahner, janë “plot mall”, janë «dyer që hapen drejt  pafundësisë, dyer që hapen drejt horizonteve pamasë. Ato thërrasin të pashprehshmen, priren drejt të pashprehshmes». Kjo fjalë poetike «shikon kah pafundësia, por nuk mund të na e japë këtë pafundësi, as nuk mund ta mbajë apo ta fshehë brenda vetes atë që është i Pafundmi». Kjo është tipike e Fjalës së Hyjit, njëmend, dhe – vijon Rahner – «fjala poetike, pra, thërret fjalën e Hyjit». 19 Për të krishterët, Fjala është Hyj dhe të gjitha fjalët njerëzore bartin gjurmë të një malli të brendashkruar për Hyjin, duke u prirë drejt asaj Fjale. Mund të thuhet se fjala vërtet poetike merr pjesë, në mënyrë analogjike, në Fjalën e Hyjit, sikurse na e paraqet fuqishëm letra drejtuar Hebrenjve (krh. Heb 4, 12-13).

25. Kësisoj, Karl Rahner mund të krijojë një paralele të bukur midis meshtarit dhe poetit: «vetëm fjala është thellësisht e aftë për të ç’kyçur atë që mban në burg gjithë realitetet e pashprehura: memecërinë e prirjes së tyre ndaj Hyjit». 20

26. Në letërsi, pastaj, kemi të bëjmë me çështje të formës së shprehjes dhe të kuptimit. Prandaj, ajo përbën një lloj palestre shoshitëse, e cila mpreh aftësitë e meshtarit të ardhshëm për të shqyrtuar me urti brendësinë e vet dhe botën rreth tij. Vendi në të cilin hapet kjo rrugë e qasjes në të vërtetën e vet është brendësia e lexuesit, i cili përfshihet drejtpërdrejt në procesin e leximit. Këtu shpaloset atëherë skenari i shoshitjes shpirtërore personale ku nuk mungojnë ankthet e madje edhe krizat. Njëmend, janë të shumta faqet e letërsisë që përkojnë me atë që Shën Injaci e quan “pikëllim/shkretim”.

27. «Me pikëllim […] nënkuptojmë errësirën e shpirtit, trazimin e brendshëm, nxitjen drejt gjërave të ulëta dhe tokësore, shqetësimin për shkak të turbullirave dhe tundimeve të ndryshme: kështu shpirti priret drejt shkurajimit, është pa shpresë e pa dashuri, bie në përtaci, në gjendje të vakët, të trishtuar si të ishte i ndarë nga Krijuesi dhe Zoti i vet». 21

28. Dhimbja ose mërzia që ndjen duke lexuar disa tekste nuk janë domosdoshmërisht ndjesi të këqija ose të padobishme. Vetë Injaci nga Loyola kishte vënë në dukje se në «ata që vazhdojnë nga e keqja në të keqe», shpirti i mirë vepron duke shkaktuar paqetësi, trazim, pakënaqësi. 22 Ky do të ishte zbatimi fjalë për fjalë i rregullit të parë injacian të shoshitjes së shpirtrave, drejtuar atyre që «kalojnë nga një mëkat mortar në tjetrin», domethënë se në këto persona shpirti i mirë vepron «duke i thumbuar dhe duke i vrarë në ndërgjegjen e tyre përmes parimeve të moralitetit [synderesis] të arsyes» 23 për t’i çuar drejt së mirës dhe bukurisë.

29. Kësisoj, kuptohet që lexuesi nuk është marrësi i një mesazhi edukues, por është një person të cilit i jepet fuqimisht zemër për t’u hedhur në një terren të paqëndrueshëm ku kufijtë midis shpëtimit dhe humbjes nuk janë të përcaktuar e të ndarë apriori. Akti i leximit është, pra, si një akt “shoshitjeje”, falë të cilit lexuesi përfshihet në veten e parë si “subjekt” i leximit dhe, në të njëjtën kohë, si “objekt” i asaj që lexon. Duke lexuar një roman apo një vepër poetike, lexuesi, në realitet, jeton përvojën e “të qenit i lexuar” nga fjalët që lexon. 24 Lexuesi është kështu i ngjashëm me një lojtar në fushë: ai luan lojën, por në të njëjtën kohë loja luhet nëpërmjet tij, në kuptimin që ai është tërësisht i përfshirë në atë që vepron. 25

Vëmendje dhe tretje

30. Për sa i përket përmbajtjeve, duhet pranuar se letërsia është si “një teleskop” – sipas imazhit të famshëm të sajuar nga Proust 26 – i drejtuar kah qeniet dhe sendet, i domosdoshëm për të përshquar “largësinë e madhe” që e përditshmja gërmon ndërmjet perceptimit tonë dhe krejt përvojës njerëzore. «Letërsia është si një laborator fotografik, në të cilin është e mundur të përpunohen imazhet e jetës në mënyrë që ato të zbulojnë përvijimet dhe nuancat e tyre. Ja, pra, për çfarë “shërben” letërsia: për të “zhvilluar” imazhet e jetës» 27, për të pyetur veten mbi domethënien e saj. Me pak fjalë, shërben për ta përjetuar jetën në mënyrë të frytshme.

31. Në të vërtetë, vështrimi ynë i zakonshëm mbi botën sikur është “reduktuar” dhe kufizuar për shkak të presionit që ushtrojnë mbi ne objektivat tona të shumta praktike e afatshkurtra. Edhe shërbimi – hyjnderues, baritor, bamirës – mund të bëhet një imperativ që i drejton forcat dhe vëmendjen tonë vetëm te objektivat që duhen arritur. Mirëpo, siç na kujton Jezusi në shëmbëlltyrën e mbjellësit, fara duhet të bjerë në tokë të thellë që të piqet në mënyrë të frytshme me kalimin e kohës, pa iu marrë fryma nga sipërfaqësia ose ferrat (Mt 13,18-23). Kështu, rreziku është që të rrëshqasim në një shqetësim të tepruar për efikasitet, gjë që e banalizon shoshitjen, e varfëron ndjeshmërinë dhe redukton kompleksinë. Prandaj, është e nevojshme dhe urgjente që t’i përgjigjemi këtij përshpejtimi dhe thjeshtimi të pashmangshëm të jetës sonë të përditshme duke mësuar të distancohemi nga ajo që është e atypëratyshme, duke mos u ngutur, duke soditur e dëgjuar. Kjo gjë mund të ndodhë kur një person ndalon vetëm e vetëm për të lexuar një libër.

32. Është e nevojshme të rizbulojmë mënyra të lidhjes me realitetin që janë më mikpritëse, jo strategjike, që nuk synojnë drejtpërdrejt një rezultat, mënyra që na lejojnë të përjetojmë madhështinë e pafundme të qenies. Distanca, pangutshmëria, liria janë karakteristikat e një qasjeje ndaj realitetit që gjen te letërsia një formë shprehjeje të privilegjuar, edhe pse sigurisht jo ekskluzive. Letërsia, atëherë, bëhet një palestër ku njeriu stërvit shikimin për ta kërkuar dhe eksploruar të vërtetën e personave dhe situatave si një mister, të ngarkuara me një kuptim aq të madh, që mund të shfaqet vetëm pjesërisht në kategori, skema sqaruese, në dinamikën lineare të shkak-pasojë, mjet-qëllim.

33. Një tjetër imazh i bukur për të shprehur rolin e letërsisë, vjen nga fiziologjia e aparatit njerëzor, në veçanti ai i tretjes. Këtu modeli i saj na jepet nga përtypja e lopës, siç pohonte murgu i shekullit XI Guillaume de Saint-Thierry dhe jezuiti i shekullit XVII Jean-Joseph Surin. Ky i fundit flet për “stomakun e shpirtit” dhe jezuiti Michel De Certeau ka treguar një “fiziologji të leximit tretës” të mirëfilltë. 28 Ja: letërsia na ndihmon për ta shprehur praninë tonë botë, për ta “tretur” dhe përvetësuar atë duke rrokur atë që qëndron nën sipërfaqen e përvojës sonë. Letërsia, pra, shërben për ta interpretuar jetën, për të dalluar domethëniet dhe tensionet e saj më të thella. 29.

Duke parë me sytë e të tjerëve

34. Lidhur me formën e ligjërimit, ndodh kjo gjë: duke lexuar një tekst letrar, ne bëhemi të aftë «për të parë me sytë e të tjerëve», 30 duke fituar kështu një gjerësi këndvështrimi që zgjeron anën tonë njerëzore. Kësisoj, aktivizohet në ne fuqia empatike e imagjinatës, e cila është një mjet themelor për aftësinë e identifikimit me këndvështrimin, gjendjen dhe ndjenjat e të tjerëve, pa të cilën nuk ka solidaritet, bashkëndarje, dhembshuri apo mëshirë. Duke lexuar, ne zbulojmë se ajo që ndiejmë nuk është vetëm e jona, ajo është universale dhe kështu edhe njeriu më i braktisur nuk ndihet i vetmuar.

35. Ndryshmëria e mrekullueshme e qenies njerëzore dhe shumësia diakronike dhe sinkronike e kulturave dhe e njohurive, përtrajtësohen në letërsi në një gjuhë që ia arrin të respektojë e të shprehë shumëllojshmërinë e tyre, por në të njëjtën kohë ato përkthehen në një gramatikë simbolike që i bën kuptimplote, të afërta, e të përbashkëta. Veçantia e letërsisë qëndron në faktin se ajo shpreh dhe përçon pasurinë e përvojës, jo duke e objektivizuar atë si në modelet përshkruese të dijes analitike apo gjykimet e kritikës letrare, por duke shprehur dhe interpretuar kuptimin e saj më të thellë.

36. Kur lexon një tregim, falë vizionit të autorit, secili përfytyron, në mënyrën e vet, të qarën e një vajze të braktisur, të moshuarën që mbulon trupin e nipit që fle, zellin e një ndërmarrësi të vogël që përpiqet të ecë përpara pavarësisht vështirësive, përuljen e atyre që ndihen të kritikuar nga të gjithë, djalin që strehohet në ëndrra si e vetmja rrugëdalje nga dhimbja e një jete të mjerë e të dhunshme. Teksa vërejmë gjurmë të botës sonë të brendshme në mes të atyre historive, bëhemi më të ndjeshëm ndaj përvojave të të tjerëve, dalim nga vetja jonë për të hyrë në thellësitë e tyre, mund të kuptojmë pak më shumë përpjekjet dhe dëshirat e tyre, e shohim realitetin me sytë e tyre dhe, në fund, bëhemi shokë udhëtimi. Kështu zhytemi në ekzistencën konkrete dhe të brendshme të shitësit të zarzavateve, të prostitutës, të fëmijës që rritet pa prindër, të gruas së muratorit, të plakës që beson ende se do ta gjejë princin e vet. Dhe mund ta bëjmë këtë gjë me ndjeshmëri dhe ndonjëherë me tolerancë dhe mirëkuptim.

37. Jean Cocteau i shkruante Jacques Maritain: «Letërsia e ka të pamundur. Ne duhet të dalim prej saj dhe është e kotë të përpiqemi të dalim përmes letërsisë; vetëm dashuria dhe feja na mundësojnë të dalim nga vetvetja». 31 Mirëpo, a mund të dalim vërtet nga vetja nëse nuk digjemi në zemrat tona nga vuajtjet dhe gëzimet e të tjerëve? Më pëlqen të kujtoj se, duke qenë të krishterë, asgjë që i përket njeriut nuk më rri mënjanë.

38. Për më tepër, letërsia nuk është relativiste, sepse nuk na zhvesh nga kriteret e vlerës. Paraqitja simbolike e së mirës dhe së keqes, e së vërtetës dhe gënjeshtrës, si përmasa që në letërsi marrin formë në ekzistencat individuale dhe ngjarjet historike kolektive, nuk e neutralizon gjykimin moral, por e pengon atë të bëhet i verbër apo sipërfaqësisht dënues. «Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd?» – na pyet Jezusi (Mt 7,3).

39. Duke lexuar për dhunën, fundmërinë ose brishtësinë e të tjerëve, ne kemi mundësinë të reflektojmë mbi përvojat tona me këto realitete. Duke i hapur lexuesit një pamje më të gjerë të madhështisë dhe mjerimit të përvojës njerëzore, letërsia na mëson durimin në përpjekjen për të kuptuar të tjerët, përulësinë në qasjen ndaj situatave komplekse, butësinë në gjykimin tonë ndaj individëve dhe ndjeshmërinë ndaj gjendjes sonë njerëzore. Gjykimi është sigurisht i nevojshëm, por nuk duhet ta harrojmë kurrë shtrirjen e tij të kufizuar: njëmend, gjykimi nuk duhet të përkthehet kurrë në një dënim me vdekje, në eliminim të personave ose shtypje të njerëzimit për hir të një absolutizimi pa shpirt të ligjit.

40. Vështrimi i letërsisë formon në lexuesin decentralizimin, ndjenjën e cakut, aftësinë për të hequr dorë nga sundimi, konjitiv e kritik, mbi përvojën duke ia mësuar atë varfri që është burim i një pasurie të jashtëzakonshme. Duke njohur kotësinë dhe ndoshta edhe pamundësinë e reduktimit të misterit të botës dhe qenies njerëzore në një polaritet antinomik të së vërtetës kundër së rremes ose të drejtës kundër së gabuarës, lexuesi e pranon përgjegjësinë e gjykimit, jo si një mjet sundimi, por si një shtysë drejt dëgjimit të vazhdueshëm dhe si gatishmëri për t’u përfshirë në pasurinë e jashtëzakonshme të një historie falë pranisë së Shpirtit, që jepet edhe si Hir, domethënë, si një ngjarje e paparashikueshme dhe e pakuptueshme që nuk varet nga një veprim njerëzor, por e ripërcakton njeriun në kuptimin e shpresës për shpëtim.

Fuqia shpirtërore e letërsisë

41. Besoj se në këto reflektime të shkurtra kam vënë në dukje rolin që mund të ketë letërsia në edukimin e zemrës dhe mendjes së bariut ose bariut të ardhshëm drejt një ushtrimi të lirë dhe të përvujtë të racionalitetit të tij, drejt një njohjeje të frytshme të shumësisë së gjuhëve njerëzore, drejt të një zgjerimi të ndjeshmërisë njerëzore vetjake dhe, së fundi, drejt një hapjeje të madhe shpirtërore për të dëgjuar Zërin përmes shumë zërave.

42. Në këtë kuptim, letërsia e ndihmon lexuesin të thyejë idhujt e gjuhëve vetëreferuese, gabimisht vetëmjaftuese, ngurtësisht konvencionale, të cilat ndonjëherë rrezikojnë të ndotin edhe ligjërimin tonë kishtar, duke burgosur lirinë e Fjalës. Fjala letrare është e tillë që e vë gjuhën në lëvizje, e çliron dhe e pastron atë: në fund, e hap atë drejt mundësive të tjera shprehëse dhe eksploruese, e bën atë mikpritëse për Fjalën që banon në fjalën njerëzore, jo kur e njeh veten si dije tashmë të plotë, përfundimtare dhe të përmbushur, por kur bëhet vigjilje dëgjimi dhe pritjeje e Atij që vjen për t’i bërë të reja të gjitha gjërat (krh. Zb 21,5).

43. Në përmbyllje, fuqia shpirtërore e letërsisë thërret detyrën parësore që Hyji ia besoi njeriut: detyrën për të “emërtuar” qeniet dhe sendet (krh. Zan 2,19-20). Misioni për ta kujdesur krijimin, të caktuar nga Hyji për Adamin, kalon para së gjithash pikërisht nga njohja e realitetit të vet dhe e kuptimit që ka ekzistenca e qenieve të tjera. Meshtari është i veshur edhe me këtë detyrë zanafillore për të “emërtuar”, për të dhënë kuptim, për t’u bërë mjet bashkimi midis krijimit dhe Fjalës së mishëruar dhe fuqisë së saj për të ndriçuar çdo aspekt të gjendjes njerëzore.

44. Afria midis meshtarit dhe poetit shfaqet kështu në këtë bashkim të mistershëm dhe të pazgjidhshëm sakramental midis Fjalës hyjnore dhe fjalës njerëzore, duke i dhënë jetë një shërbese që bëhet shërbim plot dëgjim dhe dhembshuri, në karizme që bëhet përgjegjësi, një vizioni të së vërtetës dhe së mirës që shpaloset si bukuri. Nuk mund të mos i dëgjojmë fjalët që na ka lënë poeti Paul Celan: «Ai që mëson vërtet të shohë, i afrohet së padukshmes». 32

Dhënë në Romë, në Shën Gjoni në Lateran, më 17 korrik 2024, i dymbëdhjeti i pontifikatit tim.

FRANÇESKU

______________________________________________________________________

  1. Rene Latourelle, «Letteratura», në R. Latourelle – R. Fisichella, Dizionario di Teologia Fondamentale, Assisi (PG) 1990, 631. ↩︎
  2. Krh. Antonio Spadaro, «J. M. Bergoglio, il “maestrillo” creativo. Intervista all’alunno Jorge Milia», në La Civiltà Cattolica 2014 I 523-534. ↩︎
  3. Koncili II i Vatikanit. Kusht. bar. Mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes 62. ↩︎
  4. Karl Rahner, «Il futuro del libro religioso», në Nuovi saggi II, Roma 1968, 647. ↩︎
  5. krh. Nxitja Apostolike Evangelii gaudium 117. ↩︎
  6. Antonio Spadaro, Svolta di respiro. Spiritualità della vita contemporanea, Milano, Vita e Pensiero, 101. ↩︎
  7. Rene Latourelle, «Letteratura», 633. ↩︎
  8. Shën Gjon Pali II, Lettera agli artisti, n. 6. ↩︎
  9. Nxitja Apostolike Evangelii gaudium 89. ↩︎
  10. Koncili II i Vatikanit. Kusht. bar. Mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes 22. ↩︎
  11. Marcel Proust, Alla ricerca del tempo perduto. I. La strada di Swann, Milano, Mondadori, 1983, 104 v. ↩︎
  12. Clive S. Lewis, Lettori e letture. Un esperimento di critica, Milano 1997, 165. ↩︎
  13. Krh. Jorges Lous Borges, Borges, Oral, Buenos Aires 1979, 22. ↩︎
  14. Shën Pali VI, Omelia, «Messa degli Artisti» nella Cappella Sistina, 7 maj 1964. ↩︎
  15. Thomas S. Eliot, The Idea of a Christian Society, London 1946, 30. ↩︎
  16. Konferencë shtypi e Atit të Shenjtë gjatë kthimit nga Udhëtimi Apostolik i Shenjtërisë së Tij Françeskut në Tailandë dhe Japoni, 26 nëntor 2019. ↩︎
  17. Krh. Antonio Spadaro, La grazia della parola. Karl Rahner e la poesia, Milano, Jaca   Book, 2006. ↩︎
  18. Karl Rahner, «Sacerdote e poeta»La fede in mezzo al mondo, Alba 1963, 131-173. ↩︎
  19. Po aty 171 v. ↩︎
  20. Po aty, 146. ↩︎
  21. Shën Injaci i Loyolës, Ushtrimet Shpirtërore, n. 317. ↩︎
  22. Po aty, n. 335. ↩︎
  23. Po aty, n. 314 ↩︎
  24. Krh. Karl Rahner, «Sacerdote e poeta»La Fede in mezzo al mondo, Alba 1963, 141. ↩︎
  25. Krh. Antonio Spadaro, La pagina che illumina. Scrittura creativa come esercizio spirituale, Milano, Ares, 2023, 46-47. ↩︎
  26. Marcel Proust, À la recherche du temps perdu. Le temps retrouvé, Paris 1954, Vol. III, 1041. ↩︎
  27. Antonio Spadaro, La pagina che illumina…cit., 14. ↩︎
  28. Michel De Certeau, Il parlare angelico. Figure per una poetica della lingua (Shekujt XVI e XVII), Firenze 1989, 139 v. ↩︎
  29. Krh. Antonio Spadaro, La pagina che illumina…cit., 16. ↩︎
  30. Clive .S. Lewis, Lettori e letture. Un esperimento di critica, Milano 1997, 165. ↩︎
  31. Jean Cocteau – Jacques Maritain, Dialogo sulla fede, Firenze, Passigli, 1988, 56. Krh. A. Spadaro, La pagina che illumina…cit., 11-12. ↩︎
  32. Paul Celan, Microliti, Milano 2020, 101. ↩︎

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme