17.5 C
Tirana
HomeDioqeza SapëKrishtlindjet në Sapë dhe Betlehemi i gjallë
HomeDioqeza SapëKrishtlindjet në Sapë dhe Betlehemi i gjallë

Krishtlindjet në Sapë dhe Betlehemi i gjallë

Ashtu si në mbarë botën, edhe në Sapë u kremtua festa e madhe e Krishtlindjes, festa e lindjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, një festë kjo mjaft e ndjerë dhe e përjetuar gjerësisht nga të gjithë. Përgatitjet për Krishtlindje kanë filluar që me Kohën e Ardhjes, me kremtimet liturgjike, me lutje, me adhurime dhe me organizimin e rrëfimeve në të gjitha famullitë e Dioqezës. E nisur nga kjo, të gjithë besimtarëve iu është dhënë mundësia e përgatitjes shpirtërore për të pritur sa më dënjësisht lindjen e Jezusit.  

Në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” është kremtuar mesha e mesnatës nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me famullitarin dom Mark Shtjefni. Në këtë Natë të Shenjtë të Lindjes së Jezusit, Shpëtimtarit të njerëzimit, le të gëzohemi të gjithë pa dallim: sepse Zoti vjen ndër ne. Askush nuk përjashtohet nga ky gëzim. Janë këto fjalët e para të ipeshkvit i cili dëshiroi t’ju ofronte besimtarëve të tij, duke shpallur kështu Lindjen e Krishtit. Krishtlindja është mister i madh i së Vërtetës e i Bukurisë së Hyjit që vjen ndërmjet nesh. Prandaj duhet të gëzojmë dhe të dëshmojmë këtë. Jezusi nuk e pakëson gëzimin, vazhdoi më tej Imzot Simoni, përkundrazi, e bën më njerëzor dhe më të bukur. Shëlbuesi ynë lindi sot! Le të gëzohemi! Nuk ka vend për trishtim ditën në të cilën lind jeta, një jetë që e shkatërron frikën e vdekjes dhe jep gëzimin e premtimeve të amshuara. Askush nuk është i përjashtuar prej kësaj lumturie sepse Zoti ynë erdhi për shëlbimin e të gjithëve.

Përveç kremtimit të Meshës, Krishtlindja në Sapë është kremtuar dhe përjetuar edhe në një formë krejt ndryshe nga herët e tjera, duke themeluar Betlehemin e gjallë, me pamje reale duke na kthyer pas në kohë, pikërisht në kohën e Lindjes së Krishtit.

Rreth 250 besimtarë të grupmoshave të ndryshme të famullisë “Shën Pali & Pjetri” në Hajmel, prej ditësh janë organizuar për të improvizuar qytetin e Betlehemit. Nën kujdesin e Etërve Kapuçinë në bashkëpunim me Motrat Stigmatine, ato kanë ofruar për vizitorët pamje reale të asaj kohe, ku spikasin shumë veshja, traditat dhe mënyra e të jetuarit. E në të njëjtën kohë, ofrohet ikja e popullit të Egjiptit drejt tokës së premtuar dhe rrugëtimi i Marias dhe Lindja e Jezusit fëmijë. Sipas regjisorit, birit të kësaj famullie, z. Markerid Hilaj, ai tregon se e gjithë kjo është për t’u treguar njerëzve se jo gjithçka është luksi. Ta shohin me sytë e tyre se si sfumohet nga pallatet e mermerta drejt thjeshtësisë. Ndërsa për pader Reoland Marku, ky organizim është mjaft domethënës ku së bashku ne shohim se Zoti me Lindjen e Krishtit, na përfshin edhe ne me natyrën e tij Hyjnore. Ka qenë e mrekullueshme edhe Krishti fëmijë, ku fëmija tre muajsh ka luajtur këtë rol të mahnitshëm. I gjithë ky organizim sjellë një mesazh paqeje dhe dashurie që na vlen të gjithëve, ku në plan të parë është jeta, dhurata e Zotit bërë ndër ne dhe familja e shenjtë, bërthama e njerëzimit. Betlehemi i gjallë u vizitua nga 3 mijë persona jo vetem nga Shqipëria por edhe nga trevat Shqiptare, Kosova dhe Mali i Zi.

Violeta Marashi

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme