Ditët e fundit, gjendja shëndetësore e Papa Françeskut ka qenë delikate, duke prekur jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe të gjithë ata që e vlerësojnë figurën e tij si një udhëheqës shpirtëror dhe njeri i paqes. Për këtë arsye, në mbarë botën janë shtuar lutjet për shëndetin e Atit të Shenjtë, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim.
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka marrë mesazhe mbështetjeje dhe lutjeje nga të gjitha komunitetet fetare në vend.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur solidaritetin e tij dhe lutjet për shërimin e Papa Françeskut, duke nënvizuar vlerësimin e veçantë që Ati i Shenjtë ka treguar për Shqipërinë dhe kontributin e tij për paqen dhe dialogun ndërfetar; “Papa Françesku ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore. E ndiej për obligim t’u shpreh gjithë solidaritetin tim dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë besimtarëve katolikë shqiptarë, ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë dhe autoriteteve të Vatikanit. Kam patur fatin të kem një bisedë të gjatë me Papa Françeskun dhe e di mirë, në vetë të parë, vullnetin e tij të hekurt për paqen botërore dhe dialogun ndërfetar, por edhe njohjen e vlerësimin që ka për popullin shqiptar. I urojmë Papa Françeskut shërim të shpejtë e të plotë!”.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka përcjellë një mesazh mbështetjeje, duke theksuar rëndësinë e lutjes dhe unitetit shpirtëror në këto momente. “Në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas lajmit për sëmundjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut, shprehim solidaritetin tonë dhe lutemi që Perëndia i Tërëmirë, në këto momente sprove, t’i japë shërim të shpejtë dhe të plotë për të vazhduar misionin e Tij të rëndësishëm për Kishën Katolike dhe besimtarët e saj në mbarë botën. ‘O Zot, Perëndia im, unë të kam thirrur në ndihmë dhe ti më ke shëruar’ (Psalmi 30:2)

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka vlerësuar kontributin e Papa Françeskut për paqen dhe harmoninë mes besimeve, duke shprehur urimet për një shërim sa më të shpejtë. “Të nderuar, me anë të këtij mesazhi i shprehim urimet për shërim sa më të shpejtë Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. Kryegjyshata Botërore Bektashiane i uron shërim të shpejtë dhe të plotë Papa Françeskut, prijësit të besimtarëve katolikë në mbarë botën. Njëzëri bashkohemi në lutje për shërim sa më të shpejtë dhe rikthim në detyrat e rëndësishme e misionin e shenjtë në ndihmë të besimtarëve dhe krejt botës që ka aq shumë nevojë për mesazhe të thëna prej Tij. Lutemi për shëndetin tënd Papa Françesk, Zoti qoftë me ty në këto ditë të vështira shëndetësore dhe të bekoftë me shëndet e shërim të plotë! Amin”
Ky solidaritet i treguar nga komunitetet fetare në Shqipëri është një shembull i bukur i harmonisë dhe respektit të ndërsjellë, duke dëshmuar se, përtej dallimeve, vlerat e dashurisë dhe mirëkuptimit na bashkojnë të gjithëve.
Në këto momente të vështira, ne i bashkohemi lutjeve të mbarë botës për shëndetin e Papa Françeskut, duke besuar se Zoti do ta mbështesë dhe do t’i japë forcën e nevojshme për t’u shëruar dhe për të vazhduar misionin e tij.