HomeKISHKisha në dëgjim dhe në shërbim të botës

Kisha në dëgjim dhe në shërbim të botës

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS 1-10)

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Me takimin e sotëm fillojmë të reflektojmë mbi Kushtetutën baritore Gaudium et spes, me të cilën Koncili II i Vatikanit ka dashur të thellojë një temë themelore, domethënë marrëdhënien e Kishës me botën bashkëkohore. Shën Gjoni XXIII, që në Fjalimin e hapjes të 11 tetorit 1962, shprehu mospajtim me «profetët e fatkeqësisë [zymtësisë]», të cilët, «edhe pse të ndezur nga zelli për fenë […] vazhdojnë të thonë se kohët tona, nëse krahasohen me shekujt e kaluar, janë krejtësisht më të këqija; dhe arrijnë deri aty sa të sillen sikur të mos kishin asgjë për të mësuar nga historia» (Fjalimi Gaudet Mater Ecclesia, 11 tetor 1962, 4.2). Prej këtu buronte detyra që iu besua Etërve konciliarë: «Në gjendjen e tanishme të ngjarjeve njerëzore, në të cilën njerëzimi duket se po hyn në një rend të ri të gjërave, duhet të shihen më tepër planet e mistershme të Provanisë Hyjnore, të cilat realizohen në periudha vijuese përmes veprës së njerëzve dhe shpesh përtej pritshmërive të tyre, dhe me urti drejtojnë gjithçka, edhe ngjarjet e pafavorshme njerëzore, për të mirën e Kishës» (Gaudet Mater Ecclesia, 4.4).

Tri vite më vonë, shpallja e Gaudium et spes njihte në këtë shoshitje një element thelbësor të natyrës së Kishës, duke e përshkruar si themeltare natyrën e saj baritore: prej këtu vjen edhe përkufizimi «Kushtetutë baritore». Nuk bëhet fjalë për një optimizëm naiv, por për një besnikëri të përtërirë ndaj Misterit të Krishtit, i cili, duke u mishëruar, zgjedh të bashkëndajë jetën tonë: Ai «u bë në gjithçka i ngjashëm me vëllezërit» (Heb 2,17; krh. 4,15) dhe mori mbi vete pasojat e mëkatit, duke vdekur «si shpërblim për të gjithë» (1 Tim 2,6). Këtë bashkëndarje me njerëzimin Krishti ia kërkon Kishës si rrugë të saj; prandaj Kushtetuta konciliare Gaudium et spes hapet duke shpallur se Kisha i ndien si të vetat «gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e njerëzve të sotëm, sidomos të të varfërve dhe të të gjithë atyre që vuajnë» (GS 1).

Është një bashkëndarje që na thërret të dalim nga çdo pasivitet dhe indiferencë përballë ngjarjeve që ndodhin, përballë historisë dhe jetës së njerëzve, sidomos përballë ndryshimit të shpejtë e të thellë që përjetojmë sot. Nuk është e mundur të mbetemi spektatorë të painteresuar; përkundrazi, duhet të dëgjojmë me zemër, të lejojmë të interpelohemi e të përfshihemi. Me Krishtin dhe të mbështetur nga fuqia e Shpirtit të tij, besimtarët janë të thirrur që të marrin mbi vete vështirësitë e vëllezërve, sidomos të atyre që shtypen nga padrejtësia, diskriminimi dhe dhuna. Në të vërtetë, vetëm në bashkëndarje e në angazhim është e mundur të arrihen përgjigje të përshtatshme, gjithmonë të mbështetur nga siguria se «vuajtjet e kohës së tashme nuk mund të krahasohen me lavdinë e ardhshme që do të zbulohet në ne» (Rom 8,18).

Në këtë kuptim, afërsia me njerëzimin shikon drejt një leximi më të thellë të ngjarjeve dhe të vetë Zbulesës dhe, në të njëjtën perspektivë, Gaudium et spes kujton «detyrën e përhershme të Kishës për të shqyrtuar shenjat e kohëve dhe për t’i interpretuar ato në dritën e Ungjillit» (GS 4). Kjo Kushtetutë konciliare, pra, e ka thirrur Kishën në një angazhim të përhershëm kthimi, për të dëshmuar se ajo nuk udhëhiqet nga «asnjë ambicie tokësore», por «synon vetëm këtë: të vazhdojë, nën udhëheqjen e Shpirtit Ngushëllues, vetë veprën e Krishtit, i cili erdhi në botë për të dëshmuar të vërtetën, për të shpëtuar e jo për të dënuar, për të shërbyer e jo për t’u shërbyer» (GS 3).

Njëmend, nuk bëhet fjalë thjesht për një qëndrim moral. Papa Françesku na ka kujtuar se për Kishën «zgjedhja për të varfrit është një kategori teologjike përpara se të jetë kulturore, sociologjike, politike apo filozofike. […] Jemi të thirrur që ta zbulojmë Krishtin në ta, t’u japim zërin tonë kauzave të tyre, por edhe të jemi miqtë e tyre, t’i dëgjojmë, t’i kuptojmë dhe të pranojmë urtinë e mistershme që Hyji dëshiron të na komunikojë përmes tyre» (Nxitja Apostolike Evangelii gaudium, 198).

Bashkëndarja e krishterë na angazhon që ta marrim përsipër realitetin dhe gjithashtu të demaskojmë kundërthëniet që karakterizojnë jetën personale dhe shoqërore të botës bashkëkohore: për shembull, një përparim shkencor dhe teknologjik që ofron vazhdimisht mundësi të reja, por vetëm për disa dhe që njeriu nuk arrin gjithmonë ta vërë «në shërbimin e vet»; ose një njohje më të qartë të «ligjeve të jetës shoqërore», e shoqëruar megjithatë nga pasiguri «rreth drejtimit që duhet t’u jepet»; apo edhe një disponueshmëri më të madhe të «pasurive, mundësive dhe fuqisë ekonomike», e cila, për fat të keq, sot ashtu si në kohën e Koncilit, lë «një pjesë të madhe të banorëve të globit […] ende të munduar nga uria dhe mjerimi» (GS 4); ose një vetëdije të përbashkët se është në çështje e ardhmja e planetit dhe, njëkohësisht, paaftësinë për të hequr dorë nga konsumi egoist dhe nga iluzioni se lufta është një rrugë e efektshme për të ndërtuar paqen.

Në një kohë të shënuar nga ndryshime të thella, prej të cilave lindin çekuilibra shqetësues, Kisha është e thirrur t’i shërbejë njeriut, duke dëgjuar dhe pranuar pyetjet më të thella të zemrës së tij dhe dëshirat që banojnë në të, duke treguar në Krishtin «çelësin, qendrën dhe qëllimin e krejt historisë njerëzore» (GS 10). Prandaj, në Kishë, në çdo nivel e në çdo epokë, duhet të realizohet kenoza e mëshirshme e Krishtit, i cili «nuk e çmoi si një privilegj të qenit i barabartë me Hyjin, por e zbrazi vetveten duke marrë gjendjen e shërbëtorit, […] duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, madje deri në vdekje në kryq» (Fil 2,6-8).

Të dashur vëllezër e motra, gëzimi dhe shpresa – gaudium et spes – të jenë tiparet dalluese të një Kishe që e shpall dhe e dëshmon Ungjillin, duke u bërë e afërt me gratë e burrat e kohës sonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme