HomeKISHIpeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri mblidhen sot në Shkodër për Asamblenë...

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri mblidhen sot në Shkodër për Asamblenë e 78-të të zakonshme: drejt Vizitës ad Limina në Romë

Në qendër të punimeve, jeta dhe misioni i Kishës në Shqipëri, procesi sinodal, Dita Botërore e Rinisë dhe veprimtaria e komisioneve të Konferencës Ipeshkvnore.

Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

Ipeshkvijtë e Kishës në Shqipëri mblidhen sot në Shkodër: në qendër të Asamblesë, Vizita “Ad Limina” në Romë, Sinodi, përvjetori i Lumnimit të martirëve dhe Dita Botërore e Rinisë

Asambleja e 78-të e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë po zhvillon punimet në ambientet e Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër. Ipeshkvijtë shqiptarë janë mbledhur për të reflektuar mbi jetën dhe misionin e Kishës në vend, sfidat e kohës dhe prioritetet e veprimtarisë baritore

Në qendër të diskutimeve të kësaj Asambleje është edhe Vizita ad Limina Apostolorum, të cilën ipeshkvijtë e Shqipërisë do ta zhvillojnë në fund të këtij muaji në Romë.

Vizita ad Limina përbën një moment të veçantë në jetën e çdo Kishe lokale. Ajo i jep mundësinë ipeshkvijve që të paraqesin para Selisë së Shenjtë realitetin e Kishës në vendin e tyre, veprimtarinë baritore, sfidat me të cilat përballen dhe rrugët që synojnë të ndjekin në të ardhmen.

Por, përtej dimensionit të raportimit, kjo vizitë është edhe një moment i rëndësishëm bashkimi, inkurajimi dhe forcimi në fe, përmes takimit me Papën, pasardhësin e Shën Pjetrit dhe Vikar të Krishtit në Romë.

Gjatë punimeve të Asamblesë po shqyrtohet gjithashtu veprimtaria e komisioneve të ndryshme të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, të cilat angazhohen në fusha të ndryshme të jetës dhe misionit të Kishës.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe ngjarjeve dhe proceseve me karakter universal kishtar. Në këtë kuadër, pjesë e diskutimeve janë edhe Dita Botërore e Rinisë, si dhe procesi sinodal, duke vlerësuar zhvillimet e tyre dhe mënyrën se si këto nisma po përjetohen dhe zbatohen në realitetin e Kishës në Shqipëri

Asambleja e 78-të vjen kështu si një moment reflektimi dhe bashkimi për barinjtë e Kishës në Shqipëri, në përgatitje edhe për një seri ngjarjesh të rëndësishme, ku takimi me Papën dhe me dikasteret e Selisë së Shenjtë gjatë Vizitës ad Limina në Romë shënon një nga eventet më të rëdësishme të këtij viti.

Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme