Të dielën e 26 qershorit, në rastin e solemnitetit të Shën Gjon Pagëzuesit, Pajtor i Urdhrit Sovran të Maltës, Arqipeshkvi Metropolit i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj ka marrë një titull nderi nga Urdhri Sovran i Maltës.
Me një ceremoni të veçantë përpara Meshës së Shenjtë, Imzot Dodaj i është dhënë titulli Kapelan “Ad Honorem” (të nderit), nga ambasadori i Urdhrit Sovran të Maltës, Stefano Palumo.
Pas kësaj ceremonie të veçantë, ka nisur edhe Mesha e Shenjtë.
Gjatë homelisë së tij Imzot Dodaj do të shprehej në një pjesë të saj: “Në ungjillin e sotëm, vëmë re tre situata të ndryshme personash, ku ose i afrohen ose i thërret Ai, por në përfundim asnjëri nuk do ta ndjekë. Jezusi na lë të lirë në thirrjen tonë, nuk na imponon, por e di që gjërat më të mëdha ndodhin nëpërmjet zemrave më të thjeshta që braktisen në dorën e Tij. Prandaj jemi të thirrur që të mos jemi më, të pavendosur për Krishtin.”
Në këtë ceremoni të veçantë ishte i pranishëm edhe Nunci Apostolik, Imzot Luigi Bonazzi. Gjithashtu ishin të pranishëm disa prej përfaqësuesve të besimeve të tjera fetare, si Imzot Asti nga Kisha Ortodokse, Bujar Spahiu nga Komuniteti Mysliman i Shqipërise dhe Pastor Ylli Doçi nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.







