10.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësImzot Arjan Dodaj merr detyrën në krye të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësImzot Arjan Dodaj merr detyrën në krye të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës

Imzot Arjan Dodaj merr detyrën në krye të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës

I emëruar në 30 nëntor në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj ka mbajtur sot në Katedralen e Shën Palit në Tiranë meshën e parë si Arqipeshkëv.

Fillimi i shërbimit baritor ipeshkvor të Imzot Arjan Dodaj si Arqipeshkëv Metropolit i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës nisi me ritin e puthjes së kryqit në derën e katedrales. Imzot Arjani u prit nga Imzot George Frendo dhe të dy u drejtuan drejt tabernakullit ku qëndruan edhe për një çast të shkurtër lutjeje në heshtje.

Pas këtij riti, ka filluar edhe kremtimi solemn i Meshës së Shenjtë ku të mbledhur rreth altarit, Imzot Frendo i ka drejtuar fjalët e mirëseardhjes Arqipeshkvit të ri.

Imzot Frendo i cili tërhiqet pas 25 vitesh shërbim në Shqipëri, gjatë së cilave siç ai vetë u shpreh sot nuk më ka ardhur kurrë keq që kam ardhur si misionar në këtë vend. Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe Shqiptarët, dhe tek ky popull gjithmonë kam gjetur dashuri dhe respekt më shumë sesa meritoja. Përzemërsisht falënderoj popullin shqiptar, që u bë edhe populli im.

“Jemi mbledhur këtu për një rast shumë të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për Arqidioqezën tonë: përurimin e Arqipeshkvit të ri, Mons. Arjan Dodaj.

Por duke mbaruar shërbimin tim si Arqipeshkvi i kësaj dioqeze, më lejoni të përfitoj nga rasti për ta falënderuar së pari Zotin, i cili gjatë gjithë jetës sime por veçanërisht gjatë këtyre viteve si Arqipeshkëv, më ka përdorur mua, me të gjitha mungesat dhe kufizimet e mia.

Kërkoj falje prej Zotit dhe prej meshtarëve, motrave, dhe besimtarëve që mund t’i kem fyer me ndonjë fjalë ose gjest nga ana ime, ose nuk i kam dhënë shembull të mirë si i krishterë dhe bari. Erdhi koha të largohem nga ky vend. Jo sepse jam i mërzitur. Gjatë 25 viteve që kam qenë në Shqipëri nuk më ka ardhur kurrë keq që kam ardhur si misionar në këtë vend. Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe Shqiptarët, dhe tek ky popull gjithmonë kam gjetur dashuri dhe respekt më shumë sesa meritoja. Përzemërsisht falënderoj popullin shqiptar, që u bë edhe populli im. Do të largohem nga Shqipëria me shumë keqardhje, por m’u duk e drejtë të kalojë pjesën e fundit të jetës sime në vendlindjen time, bashkë me vëllezërit Domenikanë në një manastir domenikan. Ju premtoj se do të mbeteni gjithmonë në qendrën e zemrës sime dhe do t’ju kujtoj në lutje.

Gëzohem se, për këtë ceremoni, përveç autoriteteve civile dhe politike, janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e besimeve kryesore të pranishme në Shqipëri. Shoqëria ka nevojë për politikën dhe politikanët. Por ka nevojë edhe për besimet. Politika mund të ndryshojë dhe të përmirësojë strukturat. Por besimet kanë diçka që politika nuk e ka: mund t’i ndryshojnë zemrat, prandaj mund të arrijnë atje ku nuk mund të arrijë politika. Para më shumë se 30 viteve, Jacques Delors, atëherë Kryetari i Komisionit Evropian tek Bashkimi Evropian, tha: “i duhet t’i japim shpirt Evropës”. Dhe besoj se këto fjalë kanë më shumë  rëndësi sot, kur shohim kontinentin tonë, Evropën, dhe pra përfshirë edhe Shqipërinë, që po bëhet çdo ditë e më shumë një kontinent pagan, një Shqipëri pagane. Ne, si besime të ndryshme, por bashkë me politikanët, le të angazhohemi më shumë për një Shqipëri më të drejtë, më morale dhe më vëllazërore. Me një fjalë, një Shqipëri më të denjë për Shqiptarët.

Dhe në fund, i drejtohem pasardhësit tim si Arqipeshkvi i Tiranë – Durrësit, të dashurit Monsinjor Arjanit. Shumë i dashur vëlla, për më shumë se katër vjet kemi punuar shumë ngushtë sëbashku, së pari si Vikar i Përgjithshëm dhe paskësaj edhe si Ipeshkëv Ndihmës. Dhe çfarë kemi vënë re gjatë këtyre viteve? Sipas meje, së pari kemi parë mënyrën misterioze sesi Zoti ka përgatitur për ty këtë ditë, në të cilën Ai vetë po të beson një mision më fisnik, por edhe më delikat. Emri yt do të përmendet në meshë çdo ditë, dhe kjo do të thotë se nuk do të jesh vetëm në zbatimin e misionit tënd. Është një dioqezë e tërë që do të lutet për ty. Së dyti, gjatë këtyre viteve vetë vura re se Zoti të ka dhuruar shumë gjëra të bukura që të bëjnë kompetent për të kryer misionin tënd me përkushtim dhe besnikëri. Më ke shërbyer dhe ndihmuar me shumë kompetencë dhe besnikëri. Je shumë më i ri se unë dhe je shqiptar, që do të thotë se je më i aftë se unë për të kuptuar mentalitetin, kulturën dhe psikologjinë e këtij populli. Ti e di mirë se çdo gjë e mirë është dhuratë e Zotit, për të cilën duhet t’i jemi gjithmonë mirënjohës. Dhe të gjitha këto avantazhe, që unë nuk i kisha, le të jenë për ty dhurata që e bëjnë një bari shumë më afër deleve që Zoti do të të dhurojë.

Fort të dashur besimtarë, le ta falënderojmë Zotin për dhuratën e barinjve që Ai ka caktuar për t’ju udhëhequr në rrugën e dashurisë dhe të së vërtetës. Dhe lutuni për bariun tuaj”, u shpreh Imzot Frendo në fjalën e mirëseardhjes për Imzot Arjan Dodajn.

Pas fjalimit të Imzot Frendos, Nunci Apostolik, Imzot Luigi Bonazzi, i ka treguar asamblesë Bulën Papnore më të cilën Ati i Shenjtë, Papa Françesku ka emëruar Imzot Arjan Dodajn si Arqipeshkëv të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës e cila u lexua në shqip nga një diakon.

Pas momentit të leximit të Bulës Papnore, Imzot Frendo, si arqipeshkëv i nderit e ka shoqëruar Imzot Arjanin që të ulet në Katedër e cila deri në ato çaste kishte mbetur bosh.

Katedra në të cilën ulet ipeshkvi, nga i cili merr emrin kisha katedrale, nuk është një fron, por selia e shërbimit të tij si bari dhe mësues i Kishës. Si pasardhës i shën Çezarit protoipeshkëv i Durrësit.

Pas uljes në katedër në shenjë të bashkimit kishtar meshtarët që shërbejnë në Arqidioqezën e Tiranë-Durrësit duke filluar nga më të moshuarit, një përfaqësi rregulltarësh e rregulltaresh kanë ardhur përpara Ipeshkvit për të shprehur gjestin e mikpritjes dhe dëgjesës.

Pas këtij momenti solemn edhe emocional për të gjithë besimtarët e pranishëm, mesha e shenjtë ka vazhduar normalisht me liturgjinë e fjalës.

Pas leximit të Ungjillit të Shenjt sipas Gjonit, Mons. Arjani ka mbajtur edhe homelinë e tij të parë si Arqipeshkëv.

homelinë e tij Imzot Dodaj preku plagët e shoqërisë shqiptare ndërsa u shpreh se “dhe në Shqipërinë tonë të dashur është e mundur një angazhim i përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e të mirës së personit, të familjes natyrore të themeluar nga një babë e nënë, që është baza e një shoqërie të shëndetshme dhe me të ardhme Për inkurajimin e brezave të rinj, që të zbulojnë që toka e premtuar është kjo në të cilën kanë lindur, e se dielli askund nuk lind më bukur se këtu, nëse sadopak do të hapin perdet që pengojnë për të parë dritën dhe shpresën që kanë ditur të shohin të parët tanë, që na e kanë lënë si trashëgimi”.

Në ceremoninë e marrjes së detyrës së Imzot Arjanit, ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e besimeve të tjera. Praninë e tyre ai e përkufizoi “si një mozaik këtu së bashku shprehim që në Zotin jemi vëllezër të gjithë”.

Përpara përfundimit të Meshës së Shënjtë, Nunci Apostolik ka mbajtur një fjalë përshëndetëse. Në fjalën e tij, ai ka falenderuar Imzot George Frendon për përkushtimin e tij prej 25 vitesh në Shqipëri si edhe për drejtimin e Arqipeshkvisë së Tiranës, ndërsa uroj edhe Imzot Arjanin për detyrën e tij.

Në ceremoninë e fillimit të shërbimit baritor të Imzot Arjan Dodajt ishin të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës, Presidenti Ilir Meta, Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.  Madje në homelinë e tij Imzot Dodaj u duk se pati dhe një mesazh për politikën kur tha se “sa të lodhur jemi Jezus, nga zërat që ulërasin, që përçajnë, që akuzojnë, që dënojnë e ndonjëherë edhe mallkojnë duke menduar që kështu mbrojnë drejtësinë, të ardhmen dhe kombin! Çliroji nga errësira dhe nga mashtrimi ata që kërkojnë mirëqenien nëpërmjet korrupsionit, manipulimit dhe abuzimit të përgjegjësive që iu janë besuar”.

Pas mbarimit të Meshës së Shenjtë, për të gjithë të bësimtarët si edhe autoritetët më të larta shtetërore ishte përgatitur një kokteil.

Kush është Imzot Arjan Dodaj:

Monsinjor Arjan Dodaj lindi më 21 janar 1977 në Laç-Kurbin. Pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, në vitin 1993 emigroi në Itali, në Kuneo. Në vitin 1997 ai kërkoi të pranohej në Vëllazërinë Priftërore të Djemve të Kryqit, Komuniteti Shtëpia e Marisë, me seli në Romë.

Ai studioi Filozofi dhe Teologji në përgatitje për meshtarinë pranë Universitetit Papnor Regina Apostolorum, duke marrë Bakalaureatin.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 për Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë së lartpërmendur. Në vitin 2017, u transferua si fidei donum në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.

Pas shugurimit të tij meshtarak pati këto detyra: Vikar Famullie (2003-2017), Zëvendës Rektor i Rektoratit të San Giovanni della Malva dhe Kapelan i Komunitetit Shqiptar në Romë (2004-2005), Vikar i Përgjithshëm i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë- Durrës, Famullitar, Përgjegjës i Baritores Universitare, Sekretar ndihmës i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit Dioqezan.

U emërua Ipeshkëv ndihmës i Tiranë-Durrës më 9 prill 2020 dhe u shugurua më 15 shtator.

Mons. Arjan Dodaj është i treti Arqipeshkëv pas rënies së diktaturës komuniste. I pari që drejtoi Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës ishte Imzot Rrok Mirdita. Në këtë detyrë të lartë që ju besua nga Papa Françesku ai pason Imzot George Frendon.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme